Pas Ukrainës, a do të bëhet Ballkani teatër i një konfrontimi të ri Lindje-Perëndim?Rusia riinveston në rajon për arsye sa tregtare po aq edhe gjeopolitike. Por edhe duke e ruajtur ndikimin që ushtron aty tradicionalisht, Moska nuk mundet më të shpresojë në një rajon që po kthehet gjithnjë e më shumë nga Bashkimi Europian.
Le Monde Diplomatique*
Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia a gjenden në një « vijë zjarri » që ndan Rusinë prej Perëndimit? Këtë e afirmonte Sekretari i Shtetit Amerikan, John Kerry në 24 shkurtin e fundit, para komitetit të Çështjeve të Jashtme në Senat. Por Rusia ishte e para ajo që bëri këtë paralele mes Ukrainës dhe Ballkanit. Argumentet e ngritura nga Moska në mars 2014 në lidhje me aneksimin e Krimesë tingëllonin si një eko ironike e atyre të vitit 1999 nga NATO për të arsyetuar fushatën e bombardimeve ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur të asaj kohe. Në të dyja rastet bëhej fjalë për të parandaluar një katastrofë njerëzore.
Gjatë konferencës ndërkombëtare mbi sigurinë në Mynih më 7 shkurt 2015, ministri i Punëve të Jashtme, rusi Sergej Lavrov mori sërish këtë paralele duke nënvizuar se nuk kishte referendum të vetëvendosjes në Kosovë, ndërsa ishte një i tillë në Krime. Kështu, ndarja e Krimesë dhe mëvetësimi i saj në Federatën Ruse do të ishin më konform ndaj së drejtës ndërkombëtare se sa pavarësia e shpallur e Kosovës. Në këtë kontekst, Qendra Humanitare Ruso-Serbe për Situata Emergjence në Nish, qytet në jug të Serbisë, nuk ndalon së ushqyeri dyshimet dhe polemikat. E inauguruar më 2012 nga zëvendësministri i Situatave të Emergjencës ruse, Vladimir Puçkov, është e instaluar në një fabrikë të vjetër të pajisjeve kompjuterike, nja disa qindra metra nga pistat e aeroportit lokal. Dhjetra kamionë zjarrëfikësish dhe po aq makina të të gjitha llojeve janë të stacionuara në oborr. Depot, të rradhitura si në paradë, gufojnë me gjeneratorë elektrikë, shtresa mbulesash të tendave, kartona për pajisje mjekore etj. Më tutje, një sallë moderne komunikimi mundëson ndjekjen e operacioneve në terrenin që lidh drejtpërdrejt Beogradin me Moskën. Gjithçka është e hapur për gazetarët. Qendra ku punojnë nja dyzet persona të përhershëm, pretendon për transparencë totale.
“Ky është një projekt-pilot. Është qendra e parë e këtij lloji jashtë kufirit të Federatës Ruse” – deklaron drejtori i saj, Viktor Safjanov. Ai shpjegon se ishte përgjegjës i Sigurisë Civile në Shën Petersburg dhe ka udhëhequr një mision ndërkombëtar në Afganistan, më 2002, duke mos mohuar poashtu një përvoje ushtarake. Qendra ka dëshmuar që është e dobishme. Shpëtimtarët rusë kanë arritur të parët gjatë vërshimeve katastrovike që shkatërruan Bosnjën dhe Serbinë.
Dyshimet gjithsesi mbeten. A mos ishte kjo vetëm sipërfaqja e një qelize informacioni dhe spiunazh? Disa shkojnë edhe më larg duke folur për një “Bondsteel rus”, duke iu refereuar bazës amerikane të vendosur në Kosovë, që numëronte deri më 7000 burra.
E pamundur të dihet në qoftëse ky projekt human fsheh edhe aktivitete tjera. Por, diçka është e sigurtë: qendra, e vendosur nën tutelat e ministrit të Situatave të Emergjencës së Federatës Ruse dhe të ministrit të Brendshëm të Serbisë shfaq qartaz rëndësinë strategjike që Rusia i jep Ballkanit.
“Ky kompleks ka lindur si rrjedhojë e një vullneti politik rus. Është Kremlini ai që ka propozuar hapjen e tij” – shpjegon ish-presidenti serb Boris Tadiç, nënshkrues i marrëveshjes që mbante krijimin e kësaj qendre më 2008. “Por, ka qenë gjithmonë e qartë që nuk do të strehonte aktivitete ushtarake”- thotë ai.
Gjatë dy mandateve të tij 2004-2012, Tadic orienton Serbinë në rrugën drejt integrimit europian, duke shtrënguar edhe lidhjet me Rusinë. “Doja t’i normalizoja marrëdhëniet tona me Moskën e poashtu edhe me Shtetet e Bashkuara ose Kinën, pa vënë në pikëpyetje orientimin tonë fundamental drejtë Bashkimit Europian” – na shpjegon ai.
Pikërisht gjatë presidencës së tij, Serbia mori më 1 mars 2012 statusin e vendit kandidat në BE. Gjatë kësaj kohe, Rusia merrte çelësat e tregut energjetik serb. Më 24 dhjetor 2008, presidenti Tadiç nënshkruante në Moskë shitjen e 51% të kapitalit të industrisë së naftës Serbe (Naftna Industrija Srbije, NIS), kompani publike në monopol ndaj Gazpromit. Shuma e shitjes, 400 milionë euro sipas vlerësimeve, u duket analistëve të jetë 3 deri në 5 herë inferiore. Kjo marrëveshje iu garanton rusëve një pozitë dominuese si për rrugëtimin e hidrokarbureve në vend, ashtu edhe për shpërndarjen e brendshme.
Kandidat i Partisë Progresiste Serbe, një formacion i dalë nga e djathta ekstreme nacionaliste, tradicionalisht shumë rusofil, Tomislav Nikoliç doli fitues i zgjedhjeve presidenciale të 6 majit 2012 përballë Tadiç. Pastaj, PPS-ja mori shumicën absolute në zgjedhjet legjislative të parakohshme të marsit 2014. Më 2008, u angazhua për një reformim drejt pro-europianizmit.
Që atëherë, edhe pse Beogradi dhe Moska ruajnë lidhje të ngushta, njeriu i fortë i vendit, kryeministri Aleksandar Vuçiç pretendon për një vijë politike gjithnjë e më shumë pro-perëndimore. A është çështje bindjesh apo oportunizmi? Kjo e vë në pikëpyetje principin sacro-saint të neutralitetit ushtarak të Serbisë.
E thirrur nga partneret europianë, qeveria serbe gjithsesi ka refuzuar të aplikojë sanksione kundër Rusisë në emër të interesave të saja ekonomike dhe lidhjeve tradicionale miqësore në mes të dy vendeve. Për pro-amerikanen Jelena Miliç, drejtore e Qendrës së Studimeve Euroatlantike të Beogradit, “me ndjekjen e integrimit europian, korniza e manovrimit të Serbisë do të ngushtohet. Vendi do të duhet të koordinojë politikën e vet të jashtme me atë të Bashkimit Europian”. Beogradi beson gjithmonë se do të mund ta mbajë një vijë ekuilibri në një botë të polarizuar nga kriza ukrainase.
As Sllovenia dhe Kroacia fqinje nuk i kanë prerë të gjitha lidhjet me Moskën. Tregtarë rusë dhe sllovenë janë takuar në Ljubljanë në fund të 2014-ës. Në shkurt të këtij viti, një forum ekonomik ruso-kroat ngjalli polemika për arsye të embargos ndërkombëtare. Anëtare të BE, të dyja vendet aplikojnë sanksionet kundër Rusisë, por pa entuziazëm. Kompania e naftës dhe e gazit hungarez (Magyar Olaj-es Gazipari, MOL) duhej kështu t’i shiste gjigantit rus Rosneft pjesë të kompanisë kroate INA Industrija Nafte, por transaksioni u bllokua me urdhër të Brukselit në fillim të 2014, gjë kjo që përkeqësoi krizën e industrisë së naftës në Kroaci. Pikërisht në fushën e energjisë koncentrohen interesat thelbësore ekonomike ruse në këtë rajon, e shkëmbimet e tjera mbeten të kufizuara.
Vizita e Vladimir Putinit në Beograd më 16 tetor 2014 duhet të jepte rastin për të festuar miqësinë në mes Serbisë dhe Rusisë. Për ta bërë Putinin mysafir nderi të paradës më të madhe të organizuar ndonjëherë pas vdekjes së marshallit Tito, ishte vendosur të afrohet data zyrtare e celebrimeve të 70-vjetorit të çlimirit të Beogradit, më 20 tetor 1944.
Fatkeqësisht, dita nuk u shkoi mirë, pasi Serbia refuzoi t’i japë statusin diplomatik të gjithë personelit të Qendrës Humanitare të Nishit. Për t’iu përgjigjur, presidenti rus e anashkaloi kërkesën e Vuçiç për 200 milionë euro të një fature gazi. Gjashtë javë më vonë, më 1 dhjetor, Rusia lajmëron braktisjen e projektit të gazit South Stream, që do të mundësonte furnizimin e Europës me gaz rus, duke evituar Ukrainën.
Ky vendim shpjegohet para se gjithash me refuzimin e Bullgarisë, nën presionin e Bashkimit Europian, për të autorizuar kalimin e gazsjellësitt rus në territorin e saj pas zgjedhjeve legjislative të 5 tetorit 2014, që kthyen në pushtet kampionin e së djathtës, Boiko Borisov.
Në Bullgari, lakimi e majtë – e djathtë mbetet fundamentalisht i lidhur me çështjet energjetike dhe me marrëdhëniet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. Pak pas fitorës së tij, Borisov u ngut ta presë me ceremoni luksi Sekretarin e Shtetit Amerikan, John Kerry, duke lajmëruar me këtë rast angazhimin e vendit të tij në favor të tregut të madh transatlantik (GMT, Grand Marché Transatlantique), dhe poashtu rinisjen e projektit të gazit të argjilit edhe pse ligji bullgar i ndalon teknikat e frakturimit hidraulik.
Kerry premtoi që Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin Bullgarinë të ketë qasje në “pavarësi energjetike”. Qartësisht: Të mos varet më nga Rusia.
Për vendet që do të gjendeshin në rrugën e South Streamit – Bullgari, Serbi dhe Hungari (degëzime ishin të parashikuara edhe në Maqedoni, Bosnje dhe Slloveni) braktisja është një lajm i keq, edhe pse projekti i gazodukut drejtë kufirit greko-turk do të mund të zëvendësohej. Milorad Dodik, president i Republikës Srpska në Bosnjë vlerëson dëmin e anulimit këtyre punimeve në rreth 1 miliard euro. Investimet kryesore aty përbëjnë poashtu sektorin energjetik. Më 2007 qeveria ka lëshuar 65% të aksioneve të grupit Naftna Industrija RS (NIRS) ndaj kompanisë ruse Njeftegaznikor, gjë që i mundëson të marrë kontrollin e dy rafinerive dhe të një zinxhiri të pompave të benzinës. Në të vërtetë, privatizimi më i suksseshëm i vendit, sipas fjalëve të promotorit të saj Dodik, u kthye shpejt në katastrofë. Humbjet e rafinerive u mblodhën, sepse rusët asnjëherë nuk investuan shumat e premtuara për modernizimin e tyre. Njeftegazinkor i takon 40% kompanisë publike ruse Zarubezhneft dhe 60% … tre të panjohurve. Në Republikën Srpsa, shumë afirmojnë që pronari i vërtetë nuk është askush tjetër, veçse “të fortët” e enklavës.
“Argumenti rus mbetet thelbësor për Dodik” – shpjegon Tanja Topiç, përgjegjëse e Zyrës së Fondacionit Friedrich-Ebert në Banja Lluka.
Në një Bosnje gjtihmonë të përçarë, Banja Lluka evokon prej vitesh hipotezën e një referendumi për vetëvendosje. Për Dodik, organizimi i referendumit në Krime ishte fat i papritur. Ai zgjoi frikën perëndimore të një konsultimi të ngjashëm, që do të njihej menjëherë nga Moska dhe do të nënshkruante kështu aktin e vdekjes së Basnjës dhe Hercegovinës.
Megjithëse Putin do të ruajë marrëdhëniet e privilegjuara, a është i gatshëm ai që të zgjerojë në Europën Juglindore një logjikë konfrontimi me Perëndimin? Kështu duket se mendojnë përgjegjësit e lartë amerikanë. Nënsekretarja e shtetit Christine Uormuth konfirmonte në fund të shkurtit 2015 me rastin e një auditimi përballë Komisionit të Mbrojtjes së Kongreit se Rusia mund të koncentrohej në vende të vogla që ende s’janë anëtarë të NATO-s, si Mali i Zi, për të tentuar krijimin e ndonjë destabilizimi.
Prej pavarësisë më 2006, Mali i Zi gjendet në një situatë unike. Përderisa udheqësit e saj shfaqin besimin e tyre atlantist dhe europian, vendi tërheq shumë investime ruse. Oligarku Oleg Deripaska, një i afërt i Putinit, ka blerë kështu në vitin 2005 Kombinatin e Aluminit të Podgoricës (KAP). “Mbreti i aluminit”, e mori në tavolinë kompaninë kryesore të vendit, duke premtuar investime të mëdha, që asnjëherë nuk u bënë. Përderisa KAP është tanimë në falimentim, Deripaska ndjek shtetin malazeze nëpër gjykata, gjë që nuk e ndalon të jetë i implikuar në projekte të tjera të investimit, siç është marina e Porto-Montenegros, një nga më luksozet e Adriatikut, i krijuar në vend të arsenalit të vjetër të Tivatit.
Ky lloj montazhi dyshohet të jetë në çdo projekt ndërtimor, që figurojnë në brigjet malezeze prej dhjetra vitesh. Kështu, hoteli Splendid i Budvës është zyrtarisht i mbajtur nga kompania Leuitt Finance Montenegro, që i takon Viktor Ivanenkos, ish-shef i KGB-së në periudhën e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Ivanenko që u bë miliarder duke krijuar bankën Menatep, pastaj të famshmen kompani nafte Iukos. Kur Putini vendosi ti qërojë hesapet me pronarët e Iukos duke burgosur Mkhail Khodorovskin, vetëm Ivanenko mbeti i paprekur. “Edhe sot e quajnë “gjenerali Viktor”. Është lidhja thelbësore në mes udhëheqësve politikë të Podgoricës, botës së krimit malazez, mafias ruse dhe shërbimeve të informacionit” – pati shkruar në vitin 2005 javorja malazeze Monitor.
Duket se familja Gjykanoviç është poashtu e lidhur me pronën e Splendid. Milo Gjykanoviç udhëheq partinë Social-Demokrate. Ai alternon që prej vitit 1989 funksione të kryeministrit dhe të presidentit të republikës. Vëllai i tij Aleksandar, udhëheq bankën kryesore private të vendit. Motra e tyre, Ana Kolareviç është avokate e fuqishme që ka menaxhuar dosjet më të mëdha të privatizimit të vendit, ndërsa një numër i pronave familjare janë tashmë të vëna në emër të djalit të kryeministrit.
Këto lidhje të ngushta në mes të udhëheqësve malazezë, oligarkëve dhe shërbimeve sekrete ruse dalin në vitet 1990, kur Mali i Zi mbijetoi me kontrabandë të cigareve në shkallë të madhe.
Megjithë këto lidhje strukturore Rusia asnjëherë nuk është dukur në siklet me orientimin pro-perëndimor të marrë nga Mali i Zi.
Prej 22 Majit 2014, Mali i Zi aplikon sanskionet e Bashkimit Europian. Ai mori më 2010 statusin zyrtar të vendit kandidat për integrim europian dhe aspiron të hyjë në NATO. Dosja e Malit të Zi është refuzuar në pranverë të vitit 2014, zyrtarisht për arsye të nivelit të lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, por ka shumë gjasa për shkak të inflitrimit masiv të agjentëve të Moskës. Sipas opozitarit Nebojsa Medojeviç “rreth 20 deri 50 agjentë malazezë mund t’jenë të lidhur me Rusinë”.
Çështja e aderimit të Malit të Zi në NATO do të ngrihej prapë dhe Podgorica do të duhej të konfirmonte aderimin e saj me votë në Parlament ose me referendum. Opinioni publik mbetet shumë i ndarë, por Zeljko Ivanoviç drejtor i së përditshmes së opozitës “Vijesti” është i bindur se Gjykanoviç do të zgjedhë opsionin e referendumit.
Në një klimat që kujton luftën e ftohtë, të gjitha goditjet duken të lejuara, prej momentit që mund ti qëndrojmë të vyeshëm atij “më të fortit se vetëvetja”. Tiranët ballkanikë siç është Djukanovic ose Dodik dinëdine merkulli të luajnë mbi tensionet dhe rivalitetet ndërkombëtare për të konsoliduar pushtetin e tyre. Të ardhur të rinj si Vucic mendojnë tërheqin gjilpërën e tyre të lojës duke mbajtur pozicion të luhatur në mes dy kampeve. Historia megjithatë ka treguar se drama e popujve të Ballkanit ishte shumë shpesh të shërbejnë si pion në mes afrontimeve të fuqive të mëdha.
Po në Maqedoni, a duhet ta lexojmë krizën që e ka shkundur Republikën prej fillimit të vitit duke e krahasuar me konfrontimin e Rusisë me atë të Perëndimit? Regjimi konservator dhe nacionalist i këtij vendi të lehtëthyeshëm multietnik, fqinj i Kosovës është i lëkundur nga zbardhjet që i bën ditë për ditë shefi i opozitës, Zoran Zaev. Regjistrimet zbulojnë se si kryeministri Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt organizojnë korrupsionin në nivelin më të lartë të shtetit, mbikëqyrin dhe orientojnë drejtësinë dhe mediat. Thënë shkurt, e kanë çuar vendin në katandisje. Zaev thotë se ka një “spiun” brenda Shërbimeve të Informacionit, por sytë janë tek një shërbim misterioz i jashtëm, që si duket po ndihmon opozitën. Prej fillimit të muajit maj, opozita është në rrugë dhe kërkon dorëheqjen e Gruevskit.
Gruevski dhe partia e tij, VMRO-DPMNE kanë fituar zgjedhjet për herë të parë më 2006. Pretendonin atëherë qëllimin e dyfishtë të integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO. Mbronin një vizion ultraliberal të ekonomisë, që bazohej në privatizime masive. Këto investime asnjëherë nuk erdhën, kurse Maqedonia e zhytur në krizë ekonomike po bllokohej për kandimin euroatlanik për shkak të kundërshtimit të emrit nga Greqia.
Përballë këtij dështimi, Gruevski e ka riorientuar politikën e tij në një drejtim gjithnjë e më shumë nacionalist, duke ekzaltuar të shkuarën antike të vendit. Gruevski u bë pak nga pak i pafrekuentueshëm gjatë dy viteve të fundit. Atëherë, iu afrua Moskës dhe Beogradit, gjë që s’i mungon ironia, sepse pretendon të jetë trashëgimtar i një politike tradicionale probullgare dhe rreptësisht antiserbe. Atëherë kur gazsjellësi Turkish Stream duhet të kalojë nga Maqedonia, Rusia i ka sjellë një mbështetje të theksuar qeverisë së Shkupit duke denoncuar tentativat perëndimore për “destabilizim” të vendit. Kryeministri, siç duket, do të fitojë kohë duke lajmëruar zgjedhje të parakohshme, si përgjigje ndaj manifestimeve.
*Përgatiti Abdul Ameti