Kryetari i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla e cilësoi reformën në drejtësi një nga dëshmitë më domethënëse të përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, ai tha se ndryshimet kushtetuese dhe institucionet e krijuara prej reformës i kanë dhënë sistemit të drejtësisë mundësinë të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të gjykojë edhe zyrtarë të niveleve të larta.
Sipas Ballës, sfida e Shqipërisë para reformës nuk ishte vetëm korrupsioni, por edhe mungesa e institucioneve të pavarura e të fuqishme për ta luftuar atë. Ai tha se sistemi i mëparshëm nuk kishte kapacitetin e nevojshëm për të vepruar kur dyshimet përfshinin individë me pushtet politik ose publik.
“Tani Shqipëria ka institucione të drejtësisë me pavarësinë për të hetuar, për të ndjekur penalisht dhe për të gjykuar, edhe kur rastet kanë të bëjnë me individë që mbajnë poste të larta politike apo publike”, u shpreh Balla..
Ai vlerësoi se drejtësia ka sot kapacitete që i mungonin prej kohësh, përfshirë mundësinë për t’iu përgjigjur shkeljeve dhe për të korrigjuar problemet brenda sistemit.
Kreu i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri tha se mbështetja për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe strukturat e specializuara kundër korrupsionit duhet të jetë e palëkundur, pavarësisht kostos politike apo nivelit të pushtetit të personave të përfshirë.
Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se pavarësia e drejtësisë duhet të ushtrohet brenda kufijve të Kushtetutës dhe në respekt të të drejtave të njeriut. Sipas tij, prezumimi i pafajësisë, procesi i rregullt ligjor, fshehtësia e hetimit dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbeten në qendër të veprimtarisë së institucioneve.
Për këtë arsye, Balla tha se faza e ardhshme e reformës duhet të përqendrohet te konsolidimi i sistemit dhe ngritja e standardeve, duke garantuar njëkohësisht zbatimin e standardeve kushtetuese dhe evropiane për mbrojtjen e të drejtave individuale. “Po ndërtojmë një sistem ku askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është jashtë mbrojtjes së ligjit”, u shpreh ai.
Balla tha se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm, objektiv që e cilësoi ambicioz. Ai kërkoi mbështetjen e parlamenteve të vendeve të BE-së për ratifikimin në kohë të traktatit të aderimit dhe u bëri thirrje që çështja të mos lihet në fund të agjendave parlamentare.
Fjala e plotë e Ballës:
“Faleminderit, i nderuar kryetar, të nderuar kolegë.
Mirë se erdhët në Shqipëri.
Teksa po prisja sesionin e sotëm, po flisja me disa kolegë të cilët kishin fluturim direkt për në Tiranë.
Dhe kjo është diçka e shkëlqyer që tregon ndërlidhjen që është përmirësuar.
Sigurisht që ne synojmë të kemi fluturime direkte me secilin nga 27 kryeqytetet e BE-së, por dua të filloj së pari, duke ndarë me ju disa të dhëna kuptimplote për Aeroportin e Tiranës. Në 2013 ne kishim vetëm 1,75 milionë pasagjerë në vit.
Ndërsa vetëm në gusht të 2026-ës kemi pasur 1,8 milionë pra të gjithë pasagjerët e 2013-ës.
Gjithë ky numër u tejkalua vetëm me shifra të gushtit 2026 dhe i gjithë viti 2026 parashikohet të shkojë përtej 13,3 milionë pasagjerë që fluturojnë përmes Aeroportit të Tiranës dhe shpresojmë që vitin tjetër të kemi aeroportin e dytë në Vlorë dhe numrat do të rriten edhe më tej.
Kjo e ka bërë Tiranën kryeqytetin e Ballkanit Perëndimor dhe jemi krenarë me këtë fakt.
Teksa po përgatisja disa mendime për të ndarë me ju në këtë takim të sotëm po i hidhja një sy anketës, sondazhit të fundit të bërë nga Instituti Ndërkombëtar Republikan dhe i publikuar në korrik. 96 për qind e shqiptarëve do të votonin në një referendum pro bashkimit me BE-në, nëse referendumi do të bëhej tani. 96 për qind është pwrkrahja dhe mbase 4 për qind nuk e kuptojnë pyetjen.
Kjo është diçka e shkëlqyer.
Dhe diçka tjetër që flet shumë.
Ky sondazhi u publikua nga Euronews. 96 për qind e shqiptarëve e mbështesin Ukrainën, vetëm 2 për qind mbështesin Rusinë dhe këtu besoj se e njëjta gjë, nuk e kuptojnë pyetjen.
99 për qind e shqiptarëve nuk e pëlqejnë Vladimir Putinin dhe 1 për qind nuk e njeh.
Këto shifra ju tregojnë shumë për vendin tonë.
Më lejoni t’ju them se jemi në një moment shumë deciziv.
Jemi shumë krenarë që flasim për një BE zgjeruar dhe kanë kaluar shumë vite që nga zgjerimi i fundit i fundit.
Unë isha në Kroaci në korrik 2013, së bashku me kryeministrin Rama, që sapo ishte emëruar si kryeministër i Shqipërisë, pasi fituam zgjedhjet në qershor 2013. Nuk më besohej që do të duhej një kohë kaq e gjatë për një tjetër zgjerim të BE-së.
Në 2003-shin kam qenë në Samitin e Selanikut dhe gjatë darkës patëm një dolli të ngrohtë me miqtë tanë me George Papandreu, i cili tha që shpresojmë që BE-ja të bëhet anëtare e BE-së brenda 20 viteve, por tashmë kanë kaluar 20 vite dhe 23, por kjo nuk është vetëm në dorën tonë, prandaj ju kemi ftuar juve gjithëve, të diskutojmë me kryetarin e Kuvendit, kryetarin e kryeministrin që të mblidhemi këtu bashkë në Tiranë, që të ndajmë me ju idetë.
E di që vendimi për ratifikimin e Traktatit të Aderimit të Shqipërisë në BE do të kalojë në kuvend, në parlament tuaja.
Shpresoj dhe besoj që ndonjë vend të mos kalojë në referendum dhe të miratohet në parlament.
Dhe ne kërkojmë mbështetjen tuaj që kjo të ndodhë në kohën e duhur, pa vonesa.
Agjenda jonë është e që ne planifikojmë që të përmbyllim negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit që vjen dhe pastaj do të jetë në dorën tuaj, puna juaj që ta kaloni në parlament tuaja.
E dimë që është një objektiv ambicioz, por përparimi i arritur deri tani ka demonstruar se, kur reformat mbështeten nga vullneti politik, nga kapacitetet institucionale dhe sigurisht nga një perspektivë e besueshme evropiane, e di që mund të ecim përpara me një ritëm të shpejtë.
Sfida tani është që të ruajmë këtë ritëm, sepse sa më shumë i afrohemi përmbylljes së negociatave, aq më kërkuese, sfiduese bëhet puna. Ne po zhvendosemi nga një proces i fokusuar tek hapja e grupkapitjeve, kryesisht tek përafrimi i legjislacionit, në një proces ku theksi është gjithnjë e më tepër tek zbatimi, tek qëndrueshmëria e reformave dhe sigurisht tek rezultatet e prekshme.
Në këtë fazë, nuk është më e mjaftueshme që një ligj është miratuar, apo që ajo pjesë e Acquis-ë për shembull, është transpozuar. Ne duhet të demonstrojmë që ligjet të zbatohen, që institucionet të funksionojnë në mënyrë efektive, dhe që të realizohen rezultate konkrete, dhe mbi të gjitha, që qytetari ynë ta ndjejë ndryshimin.
Prandaj, procesi i aderimit vazhdon të jetë katalizatori më i rëndësishëm, më i fuqishëm për vendin tonë. Ne besojmë te ky proces 100%, dhe është pothuajse tërësisht komplet e qartë, sepse ne, Shqipëria, nuk kemi një plan B; kemi vetëm planin A, të bashkohemi me Bashkimin Evropian.
Dhe nëse duam të kuptojmë progresin real të Shqipërisë, duhet të shohim vetëm te grupkapitujt që kemi hapur dhe mbyllur, por duhet të shohim edhe institucionet që kemi ndërtuar dhe mënyrën se si ato funksionojnë. Një nga shembujt më domethënës të rezultateve tona është reforma në drejtësi.
Janë më shumë se 10 vjet që kur e morëm vendimin dhe votuam në parlament për këtë reformë, si dhe ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi. Dhe, nëse e kthejmë kokën pas, pas 10 vitesh, për Shqipërinë sfida nuk ka qenë vetëm lufta kundër korrupsionit, por problemi ka qenë edhe mungesa e një sistemi institucional me pavarësinë e duhur dhe me fuqinë e duhur për ta luftuar korrupsionin, përfshirë rastet kur kishte edhe dyshime tek individët që ushtronin pushtet politik publik.
Sot kemi një realitet tjetër: sot Shqipëria ka institucione të drejtësisë me pavarësinë që të hetojnë, të ndjekin penalisht dhe të gjykojnë, sidomos edhe kur rastet kanë të bëjnë me individë që mbajnë poste të larta politike, publike, apo ato që kanë lidhje me pushtetin politik.
Kur ishim gati për të votuar për reformën në drejtësi në 2016-ën, dhe unë personalisht kisha përvojë personale, sepse kam përfunduar studimet në Rumani, edhe atje filluan me ADN, nuk është ADN aktualisht, por është. Kanë filluar me departamentin për luftën kundër korrupsionit, kështu quhej Shumë kolegë më pyesnin, edhe gazetarë më pyesnin, ka shumë raste arrestimesh politikanësh të nivelit të lartë në Rumani. Po këtu, edhe këtu njësoj do jetë, edhe ne do kemi raste të tilla, dhe këto kanë ndodhur.
Fakt është që drejtësia shkon deri tek ata që janë lart në pushtet, dhe kjo nuk është dëshmi e një shteti të dobët, por është dëshmi se pushteti politik nuk mund të të ofrojë më imunitet.
Në një sistem ku drejtësia kontrollohet nga politika, prokurorët nuk bëjnë ndjekje penale. Kjo marrëdhënie, drejtësia, reforma në drejtësi e ka ndryshuar. Ky transformim nuk ka qenë as i kollajtë, as i menjëhershëm; ka kërkuar ndryshime kushtetuese që bënë të mundur rindërtimin e institucioneve.
Procesi i vetting ishte sukses, ngritja e strukturave të reja, dhe mbi të gjitha, e pranimit të parimeve themelore demokratike, dhe ka bërë të mundur që politika të mos ketë më kontroll mbi sistemin e drejtësisë. Sot sistemi i drejtësisë i ka kapacitetet të cilat i mungonin prej një kohe të gjatë. Ka kapacitetin për t’iu kundërpërgjigjur keqbërjes dhe për të korrigjuar veten.
Kjo nuk do të thotë që korrupsioni është zhdukur, sigurisht që jo; mbetet si një sfidë dhe një kërcënim me të cilin duhet të përballemi përditë, por dallimi themelor është se korrupsioni sot përballet me një sistem institucional drejtësie ndryshe, me një sistem që heton më kriminalisht, gjykata që gjykojnë, dhe agjenci që konfiskojnë pasuritë kur plotësohen kërkesat ligjore.
Të gjitha këto duhet të bëhen pavarësisht vullnetit politik. Prandaj, mbështetja jonë për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe me strukturat antikorrupsion të specializuara duhet të mbetet e palëkundur, pavarësisht kostos politike dhe pavarësisht pushtetit.
Ky është shteti i së drejtës. Edhe, ama, duhet të jemi të qartë edhe për anën tjetër të monedhës: pavarësia e drejtësisë nuk do të thotë të jesh i pavarur nga kushtetuta dhe as të shkëputesh nga të drejtat e njeriut. Pezumimi i pafajësisë, procesit të rregullt ligjor, dhe i konfidencialitetit, i fshehtësisë së hetimit, dhe respektimi i dinjitetit njerëzor duhet të qëndrojë në zemër të këtij procesi.
Prandaj, faza e radhës e reformës në drejtësi duhet të jetë për konsolidim, rritje standartesh, dhe njëkohësisht të garantojmë që standardet kushtetuese dhe evropiane për mbrojtjen e të drejtave individuale të dominojnë.
Sepse ne po ndërtojmë një sistem ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk është jashtë mbrojtjes së ligjit. Prandaj, kolegë, transformimi nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e drejtësisë, por reforma në drejtësi është një sukses, dhe jemi krenarë që e morëm përsipër edhe arritëm që të kalojmë, të miratojmë në parlament të gjitha ligjet që nevojiteshin për ta bërë të mundur reformën, si dhe gjithashtu kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar menaxhimin publik financiar dhe rezistencën ekonomike. Dhe ne po përshpejtojmë tranzicionin dixhital dhe të gjelbër, dhe po i sjellim politikat tona gjithnjë e më shumë në linjëzim me objektivat evropianë. Po përmirësojmë klimën e investimeve dhe biznesit përmes reformave rregullatore, thjeshtimeve, dhe po bëjmë edhe modernizimin e kuadrit të investimeve.
Në 13 vitet e fundit, investimet e huaja janë trefishuar, ekonomia jonë është trefishuar, prodhimi i brendshëm i brendshëm është trefishuar. Gjithashtu, po forcojmë masat antikorrupsion, që është diçka, një pikë që dua veçanërisht ta theksoj: ne nuk po ndërmarrim këto reforma thjesht sepse na e kërkon Brukseli.
Ne i konsiderojmë jo vetëm detyra shtëpie që kërkohen nga Brukseli, por ne po i ndërmarrim këto reforma sepse Shqipëria ka nevojë, siç e thashë, një sistem drejtësie të pavarur, ka nevojë për një administratë publike profesionale, Shqipëria ka nevojë për një ekonomi konkuruese, Shqipëria ka nevojë për institucione llogaridhënëse. Ky është kuptimi i vërtetë i procesit të aderimit. Ne po transformojmë vendin sot, që kur të vijë dita e aderimit, vendi ynë të jetë plotësisht gati të funksionojë si një shtet anëtar i BE-së.
Në këtë kontekst, Shqipëria mbetet e përkushtuar që të zbatojë agjendën e reformave në kuadrin e planit të rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Plani i rritjes nuk është thjesht një instrument financiar, por është një instrument për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike, duke sjellë progresivisht ekonominë tonë më afër tregut të përbashkët, dhe duke e përgatitur Shqipërinë për mundësitë që ai paraqet, dhe për përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin. Sepse konvergjenca politike duhet të ecë dorë më dorë me konvergjencën ekonomike dhe institucionale.
Të nderuar kolegë, kjo fazë e re ndryshon rolin e parlamentit. Parlamenti nuk mund të jetë thjesht vendi ku vjen legjislacioni që të votohet, por ai duhet të jetë dhe duhet të marrë rol aktiv në integrimin e procesit, përmes përafrimit të legjislacionit, mbikëqyrjes së zbatimit të tij, mbikëqyrjes së ekzekutivit të ligjit dhe të institucioneve.
Gjithashtu, e pazëvendësueshme është bashkëpunimi politik.
Pranverën e kaluar, parlamenti miratoi me konsensus të gjerë një rezolutë për aderimin e Shqipërisë në BE. Të gjithë anëtarët e pranishëm votuan pro, dhe ishte një demonstrim fantastik i gatishmërisë sonë për të marrë përsipër përgjegjësitë nga të gjitha forcat politike përfaqësuara. Të nderuar kolegë, për ta mbyllur, dua të them se ky është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe në forcën e vetë BE-së, që ta ketë Shqipërinë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në BE.
Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, prandaj ne shpresojmë, dhe shpresojmë që deri në Krishtlindje vitin tjetër do të përmbyllim negociatat, dhe pastaj të fillojmë nga pranvera e 2028-ës. Në kalendaret tuaja të punës parlamentare, shpresojmë që të na keni aty për ratifikim.
Procesin e ratifikimit të traktatit të aderimit të BE-së, mos e lini si temë e fundit në agjendë. Ju lutem, vëreni në krye të agjendës ratifikimin e aderimit të Shqipërisë në BE”.











