Nga Bedri Islami/
Babale, ose Albert Veliu, nuk do të ekstradohet në Shqipëri. Ai është lënë i lirë nga gjykata e Prishtinës, e cila, fillimisht ka marrë parasysh kërkesën e avokatit të njohur në këto raste të pështjellta, Tom Gashi, i cili është mbrojtës i shumë figurave të njohura dhe pjesë e trupës drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje!
Alibia e mosardhjes së tij është se, sipas Babales, në vendin e tij të lindjes, i rrezikohet jeta, ndaj ka kërkuar strehim politik në vendin tjetër, kufirin e të cilit e kaloi ilegalisht.
Do të hyjmë më pas në “rrezikimin” e jetës së tij dhe në planizimin e të gjithë aventurës babaliste, qëllimi i së cilës nuk ishte Kosova, si një vend i përkohshëm, por largimi drejt Perëndimit, për të gjetur një vend strehues politik, edhe përmes krijimit të ngjarjeve “tronditëse”, për realizimin e të cilave i është dhënë fjala e një jete tjetër.
Përse Babale është lënë i lirë dhe a kanë ndikuar lidhjet e hershme të një katërkëndëshi Babale- Berishë- Bashë dhe Beograd?
Është e vërtetë se i gjithë vendimi i gjykatës së Prishtinës është mbështetur mbi një fakt, i cili, njeriut të dhënë strehim politik, do i sigurohet mbrojtja pikërisht nga ligjet e shtetit prej edhe nga ka ardhur?
Çfarë ka ndryshuar mes deportimit të disa mësuesve të kolegjeve turke, të cilët, si të thuash, u grabitën në mesnatë dhe u rrwmbyen dhe rastit Babale?
Përse një numër i ndjeshëm i mësuesve në kolegjet turke në Kosovë, të quajtur si gylenistë, pa sjellë asnjë dëshmi, megjithëse kanë kërkuar strehim politik, nuk e marrin atë, por edhe në rastet kur e marrin, synojnë që sa më shpejt të kalojnë në një vend perëndimor, duke pasur gjithnjë drojën se, megjithë dhënien e statusit të të përndjekurit politik, përsëri mund të rrëmbehen dhe të deportohen në vendin e lindjes, ku i pret një fat tjetërsoj?
A është e njëjta gjendja si në shtetin, të quajtur amë, Shqipëri, me gjendjen në shtetin turk, ku të drejtat e njeriut as nuk njihen dhe njerëzit burgosen e jetën e kanë të rrezikuar?
Gjykata e Prishtinës, e cila i hap rrugë një trajtimi tjetër të Babales, që është mbrojtur nga një mjeshtër avokat, por që nuk kushton lirë dhe një ditë do të ketë zbrazje të enigmës se si njeriu i varfër mbulon shpenzime të habitshme, mori një vendim, i cili e njëson shtetin shqiptar me një shtet ku jeta e një dëshmitari, qoftë i saktë apo i rremë, rrezikohet dhe ku nuk ka asnjë siguri. Ajo, jam i bindur se nuk e bëri këtë duke u mbështetur tek një nen i veçantë apo duke qenë dashamirëse ndaj të drejtave të njeriut. Shumë gjyqtarë e prokurorë sot në Kosovë janë nga kasta e vjetër e sistemit të drejtësisë. Disa prej tyre kanë qenë mashat e dënimeve të rënda për grupet që aspironin e luftonin për lirinë e Kosovës, e për të mos shkuar edhe më tej që, jo pak nga ata kanë qenë bashkëpunues të zellshëm të shërbimit sekret jugosllav, e më pas, të shërbimit të fshehtë serb. Kam pasur rastin të kem në duar shumë dosje të dënimeve që kanë dhënë, por nuk dua të fut në këtë valle edhe atë gjykatës që mori këtë vendim, i cili, i jep lirinë Babales, ndoshta të përkohshme, por i mbyll portën e së drejtës krejt një shteti.
A është i rrezikuar Babale në Shqipëri?
Edhe më i larguari nga kjo çështje e di se askush nuk e rrezikon atë. Ai, ndër fajtorët, mund të jetë nga më të fundit të rrezikuar. Aq më tepër nëse është i pafajshëm, apo nëse ka bërë një vepër të denjë, duke denoncuar një akt trafikimi.
Ai dhe, përmes tij, Salianji, Basha, Bardhi, Alibeaj, janë shumë më të fajshëm se sa ai. Sepse ata e inspiruan, e nxitën, e joshën përmes 100 mijë eurove, sajuan video, fshehën prova, si për shembull origjinalin e mjetit të përgjimit, videon origjinale etj dhe, megjithatë, nuk ndjejnë asnjë lloj rreziku. Përkundrazi, “trimërohen”, sepse, përmes ngritjes së një kauze fallso deshën të ndodhë një përmbysje e trupës drejtuese të shtetit.
Babale është i rrezikuar , aq sa është edhe një mashtrues ordinier, as më pak e as më shumë, pavarësisht se vepra e tij ishte e ngritur mbi një qëllim tjetër.
Këtë e di edhe gjykata e Prishtinës, sepse nuk është mijra kilometra larg dhe nuk është se nuk i njeh ligjet e shtetit shqiptar, të drejtat e njeriut në këtë vend, e di po ashtu se, askujt nuk i është rrezikuar jeta deri tani që të fillojë ky rrezik me Babalen, që do të ishte turp edhe të mendohej.
Kush ka interes që Babale të mos ekstradohet në Shqipëri?
I intereson opozitës së sotme, e cila ka ende ndikim në Kosovë, përmes atyre strukturave të ngjeshura në vite dhe që, në një mënyrë ose në një tjetër kanë ruajtur lidhjet e vjetra.
Njeriu kryesor në këtë opozitë për lidhjet e hershme wshtë Berisha, e pas tij, Basha.
Të dy me lidhje të ndjeshme në Kosovë, por edhe përtej Kosovës.
E interesuar për mos ekstradimin e Babales në Shqipëri është edhe politika serbe, e cila, në mos direkt, ka dorë të zgjatur në të gjitha ngrehinat e prapshta në Kosovë. Asnjëherë më shumë se sa sot , politika serbe kërkon një shtet shqiptar të ngatërruar, të lodhur, të futur në sherr dhe të pabesuar si një shtet që rrezikon jetën e njerëzve të saj, qoftë edhe për një dëshmi apo mashtrim politik. Ky lob serb në politikën shqiptare ka gjetur edhe dishepujt e tij. Disa janë të njohur, përmes lidhjeve të vjetra e të reja, si dy-B, Berisha e Basha; disa të tjerë kanë ardhur pikërisht nga një shërbim ku ndikimi ka qenë aq shumë i mundshëm dhe aq shumë i leverdisshëm.
Çfarë do të ndodhë tani?
Ndoshta do të ketë njerëz të guximshëm që do e çajnë këtë rrethim të lobimit serb dhe të vendosë për një të drejtë të ligjshme, gjykimin e një njeriu që, edhe pse vegël, solli një rrëmujë politike të pështirë, nga e cila shteti dhe politika, me këmbëngulje të veçantë, nuk po del dot dhe ku janë ngërthyer të gjitha strukturat e mundshme të shtetit. Është gjendja e ëndërruar nga lobimet jashtë këtij shteti, në kohën kur përballja me të vërtetën e shtetit të Kosovës është në atë tehun e rrezikshëm të ftesës apo të përmbysjes. Një gjendje – ëndërr e Beogradit.
Miqtë e Berishës apo të Bashës morën një vendim që e paraqet shtetin ëndërr të viganëve të lirisë si një shtet të çartur.
Por, duhet thënë, nga kjo Babale nuk del i fituar. Ai vazhdon të fshihet nën rrobat e politikës, të cilët e zhveshën edhe më tej si karakter, si njeri dhe e bënë figurinë e çastit dhe të pështirë për t’u perceptuar.