Nga Entela Resuli
Ardian Hoxhën në Shqipëri e njohim si djali i Remzi Hoxhës.
Ardiani, paçka se ka humbur babain në moshën delikate, 14 vjeç, është rritur me kulturën e punës dhe edukimit. Me maturi dhe qetësi ai i ka bërë të dyja, është rritur profesionalisht, ka krijuar dhe zhvilluar biznese dhe asnjëherë nuk ka ndalur së kërkuari të atin.
Kjo gjë për shumëkënd mund të ishte një pengesë e madhe, por Ardiani ka ditur ta kthej dhimbjen në forcë dhe dëshirë për të arritur sa më shumë suksese në jetën e tij.
Ai vjen nga një familje me tradita në biznes dhe e pasur, por me zhdukjen e babait gjithçka u shua dhe atij iu desh ta niste nga e para në sipërmarrje.
Sot është një nga njerëzit më të suksesshëm të trevave tona, ka krijuar dhe zhvilluar 9 kompani të cilat ecin të gjitha shumë mirë dhe gjithmonë është në kërkim të sfidës së radhës.
Sot do të flasim me Ardian Hoxhën, motivues. Prej kohësh ai dëshiron qe dhe të tjerët të arrijnë sukses në jetë duke i dhënë disa këshilla, nga eksperienca, por edhe nga ajo çka ka mësuar. Sipas tij sekreti është të dish se çfarë do, e më pas gjërat realizohen. Ardiani thotë se asnjëherë nuk duhet të justifikohesh për dështimet e tua, por duhet të gjesh zgjidhje, pasi nuk ka asgjë që nuk realizohet.
Ai është një njeri i qetë, i cili paçka humbjes së madhe në jetë, nuk reflekton mllef dhe inat. E do familjen dhe mundohet ta shijojë atë.
-Ardian, në Shqipëri të njohin si djali i Remzi Hoxhës, pjesën më të madhe të intervistave i keni dhënë për çështjen e babait tuaj, ndërkohë sot do të flasim për tema të tjera ku do të mësojmë më shumë për ju dhe jetën tuaj.
Kam lexuar që familja juaj është marrë dhe merret prej shumë vitesh me argjendari, ndoshta ky ka qenë biznesi juaj i parë, apo gaboj. Mund të na tregoni pak më shumë për këtë profesion të trashëguar?
-Si fëmijë, punën time të parë e kam patur te babai, te xhaxhallarët. Aty kam mësuar se si punohet dhe se si operon një kompani, ekip dhe se si të gjithë së bashku bëjmë një punë që më pas shndërrohet në sukses dhe përfitim. Argjendaria ka qenë biznes i familjes.
Pjesën më të madhe të aseteve që ka patur familja jonë, u vodhën në Shqipëri gjatë trazirave të 97-s. Ajo çka na mbeti pas kësaj kohe ishin disa apartamente në Durrës dhe një shtëpi në Ferizaj, këto i kishim të trashëguara.
Unë veprimtarinë time të parë personale e kam me “American School of Kosova”, ku e fillova nga zero, me para të marr hua nga xhaxhallarët e mi. Isha i përgatitur sepse kisha punuar me xhaxhallarët, isha shkolluar. Shkolla ishte biznesi im i parë, ndërsa tani kam 9 kompani dhe mbi 500 të punësuar.
-Ju keni lindur i pasur apo jeni bërë gjatë rrugës?
-Unë kam lindur në një familje që konsiderohej e pasur, sepse argjendarët para luftës së Kosovës ishin njerëzit më të pasur. Kjo dhe për arsyen sepse kishte shumë pak njerëz që merreshin me biznes dhe ne ishim nga ato familje me një kapital më të madhe se të tjerët.
-Ju keni humbur babain në një moshë shumë të vogël, ndërkohë nga ana tjetër, paralelisht nuk e keni lënë pas dore edukimin tuaj, por edhe zhvillimin e bizneseve. Ku e ke gjetur forcën dhe motivin, pasi duhet të kemi parasysh që një pjesë të madhe të energjisë gjatë këtyre viteve e keni harxhuar edhe në kërkim të eshtrave të tij?
-Po është e vërtetë. Unë në moshën 14-vjeçare kam humbur babain, nuk është një humbje e thjesht. Është aq e rëndë saqë edhe të vdekur neve na ngushëllon. Ju e dini se sa tragjike është kur dikujt i vdes baba. Kurse për ne, ta shohim të vdekur, t’i gjejmë eshtrat është lehtësim. Fakti që është ende pa varr është shumëfish më e rëndë se sa ta gjejmë atë të vdekur dhe t’i bëjmë një varr.
Po, ne si fëmijët e Remzi Hoxhës nuk kemi dashur të mos arrinim sukses, të mos vazhdonim rrugëtimin e tim ati. Secili nga ne, qoftë si individ, qoftë si breza, kemi si detyrim të japim kontributin tonë për çfarë do që është e nevojshme për kohën. Në kohën e babait tim, nevoja ishte që të çliroheshim nga një regjim që nuk na trajtonte mirë, regjimi i Serbisë, dhe ëndrra e tij ishte që këmba e paramilitarve serb të mos shkeli në Kosovë.
Qëllimi jonë, tani në lirë, është ta forcojmë vendin ekonomikisht, të rrisim mirëqenien për të qenë një vend më i mirë për ne dhe për pasardhësit tanë.
Me gjithë dhimbjen që kam për rastin e babait tim, nga ai kam gjetur forcën për të vazhduar tutje, të punoj dhe të përkujdesem për vëllezërit e motrat që secili të bëhet më i suksesshëm se tjetri. Të përkujdesem për familjen, që në pleqëri, kur të shohim mbrapa, të kuptojmë që nuk e kemi patur jetën zi, por kemi bërë gjëra të mira.
-Ndërkohë prej disa kohësh ju kemi parë dhe dëgjuar si “MotivationSpeaking”, erdhi si nevojë, si kërkesë apo çfarë?
-Ka shumë vite që ndjek njerëz që ndihmojnë të tjerët. Disa e kanë si pasion, disa e kanë dhe si profesion. Gjithë jetën time, jam munduar që të ndihmojë të tjerët, t’u jap këshilla, por që për shumicën nuk ishin të pranueshme, pasi nuk kishin kuptim. Vazhdimisht më thonin që këto gjëra që t’i thua nuk vlejnë për ne, ti po lexon libra nga Amerika dhe këto kanë kuptim vetëm atje.
Unë e dija që këshillat janë universale dhe vlejnë kudo në botë.
Ideja ishte që, unë si një njeri që e kam filluar nga zero dhe të gjitha sukseset i kam realizuar këtu, për më tepër në një situatë kisha humbur babain dhe një pjesë të madhe të kohës e kam harxhuar në kërkim të tij, fizikisht dhe emocionalisht kam qenë i ngarkuar, por që me shumë punë kam arritur të kem sukses si në aspektin profesional duke ndihmuar dhe familjarët e mi.
Erdhi momenti që këto eksperienca dhe dije të miat t’i ndaj me të tjerët duke e patur lidhjen më të afërt që kur e shohin një shqiptar që arrin suksese të tilla duke patur shumë vështirësi, të kenë bindje që edhe ata mund t’ia nisin nga zero dhe të arrijnë këto suksese, madje edhe më shumë.
-Çfarë është motivimi sipas jush dhe si mund të jetë një njeri vazhdimisht i motivuar?
-Motivimi është arsyeja për të bërë, arsyeja për të vepruar. Ka shumë mënyra se si motivohen njerëzit. Motivohen nga dëshira, por edhe nga frika. Nëse mësojmë se si motivohemi, ne mund ta përdorim si vegël për të arritur të gjitha qëllimet që i vendosim vetes.
-Cila është pyetja më e shpeshtë që ju bëjnë?
-Pyetja më e shpeshtë është se si ta filloj. Ajo çka u them është që si fillim duhet të identifikojmë se çfarë duam. Hapi tjetër është të gjejmë një mundësi për t’u angazhuar me punë. Për shembull, një i ri, mund të shkoj në një kompani dhe të ofrohet të punoj një vit pa pagesë. Kështu ai mëson dhe bëhet i dobishëm. Nëse ai angazhohet, kompania ka interes ta punësoj atë dhe do e punësoj. Kështu ai fiton një punë. Hapi tjetër është rritja në detyrë. Ti në atë kompani mund të marrësh më shumë përgjegjësi. Thuaj vazhdimisht që; këtë puna ma lërë mua se e bëj unë, dhe duke marr shumë detyra, ti mëson më shumë, punon më shumë dhe bëhesh profesionist. Më rritjen në detyrë rritet dhe rroga jote.
-Si mund t’ia riktheni shpresën një njeriu që haset vazhdimisht me pengesa dhe mendon se nuk ia del dot?
-Njerëzit gjatë punës kanë dështime. Dështimi nuk është i keq, dështimi është mësim. Ne kuptojmë që mënyra se si e kemi bërë këtë punë, nuk është e duhura. Në vend që të mërzitemi ne duhet të pyesim veten cila është mënyra e duhur për ta bërë këtë punë.
Dështimit duhet t’i marrim anën pozitive të të mësuarit. Duhet të dimë që nuk kam problem që nuk zgjidhet. Nëse nuk e kemi zgjidhur, nuk e kemi kuptuar ende se si duhet. Në vend që të dorëzohemi duhet vazhdimisht të kërkojmë se si tejkalohet kjo pengesë dhe në këtë mënyrë të mos ndalemi. Është mirë që të marrim një laps dhe një letër dhe të shkruajmë idenë që na vijnë në mendjen. Vjen momenti që ne e gjejmë mënyrën se si tejkalohet ajo pengesë dhe vazhdojmë me hapa të tjetër të suksesit.
-A mund t’i ndryshoi jeta një njeriu vetëm duke dëgjuar një biznesmen të suksesshëm që flet se si të arrini suksesin?
-Po, normalisht që po, sepse nëse dëgjon dikë dhe bënë gjera që ai njeri bën do vijë koha që do të arrish dhe ti rezultate sepse ke patur ku të mësosh. Nëse ti dëshiron sigurisht dhe je i vendosur. Nuk po themë që të rrish në divan, të dëgjosh dhe do përjetosh sukses. Jo, duhet punë. Duke dëgjuar, lexuar ne mund të arrijmë më shpejt sukseset që duam.
-Cilat janë parimet tuaja bazë që me anë të të cilave besoni se një njeri mund të ndihet mirë dhe të ketë sukses?
-Çka do të thotë sukses për mua nuk do të thotë për ty. Ka një thënie që thotë se njerëzit e shëndosh kanë 1 mijë dëshira, njeriu i sëmurë ka një dëshirë; të shërohet. Fjala sukses është individuale.
-Po ju vetë a keni ndjekur kurse të tilla, dhe çfarë keni mësuar prej tyre?
-Vazhdimisht lexoj libra, dëgjoj audio libra, ndjek kurse, seminare.
Tek ne, për fat të keq një njeriu nuk i dhimbset të blej një telefon të ri dhe u dhimbset të paguajnë 200-300 euro për të ndjekur një kurs ku të marr njohuri të reja. Vetëm duke mësuar gjithmonë, përmirësohesh.
-Ndërkohë, ka një tendencë dhe ‘uri” për t’i fituar gjerat shpejt dhe lehtë. Për këtë arsye shumë të rinj zgjedhin format ‘ilegale të të fituarit para, nga ana tjetër kjo është demotivuese për ata të rinj që bëjnë punë të ndershme. Keni një këshillë për këtë situatë?
-Thuhet se çfarë vjen shpejt dhe ikën shpejt. Për një jetë më të mirë nuk ka rrugë të shkurtër. Nëse duam të kemi qëndrueshmëri dhe t’i shijojmë ato në një kohë të gjatë. Me punët ilegale mund të fitosh shumë dhe shpejt, por vjen momenti kur gjithçka përfundon. Nuk është e mirë ajo jetë, është me stres dhe me ankth. Gjithmonë u sugjeroj njerëzve që të fillojnë një angazhim dhe punë të ndershme. Nëse punojmë shumë, pra nëse kemi një angazhim të shtuar, jo 8 orë, por 10 orë, 12 orë, mund të arrijmë ato që dëshirojmë.
-Ardian, sa biznese keni dhe si arrini t’i menaxhoni kaq shumë?
-Për momentin kam 9 kompani dhe mbi 500 të punësuar. Arrij t’i menaxhoj sepse kur krijoj një kompani të re, fillimisht angazhohem vetë derisa kompania të bëhet e qëndrueshme, pastaj punësoj njerëz që janë kompetent, që dini të udhëheqin. U jap përgjegjësi më shumë, rrjedhimisht edhe pagë më të mirë. Më pas më mbetet vetëm ta mbikëqyr punën e kompanisë apo ekipit dhe sigurohem që të jem gjithmonë në dispozicion për çdo nevojë që ka kompania apo ekipi.
-Po ju vetë, a ndiheni ndonjëherë i demoralizuar, i lodhur… çfarë bëni për të dal nga kjo gjendje?
-Normal që ndihem edhe unë i lodhur sepse edhe unë jam njëri dhe jo çdo gjë shkon mirë, por mënyra se si i menaxhoj këto situata, vetën time, ndjenjat e mia luan rol shumë të madh. Kjo gjë arrihet me kohë, dhe eksperiencë.
-Cili është motivi me të cilin ju nisni ditën tuaj?
-Një nga mënyrat se si e motivoj veten dhe se si e nis ditën është se unë i kam të qarta qëllimet e mia, si në rrafshin personal dhe atë profesional. Gjëja që bëj që të më mbaj të motivuar është se planifikoj muajin mirë, javën dhe çdo ditë. Në këtë mënyrë edhe kur ndihem i lodhur, unë e di që e kam detyrë dhe dua apo nuk dua, duhet të angazhohem për realizimi ne detyrave. Kjo praktik më mban të angazhuar për të dhënë maksimumin tim në punë.
-Sipas jush, njeriu e ka në dorë fatin e tij apo ai është i shkruar?
-Po unë besoj në Zot dhe mendoj se disa gjera i kemi të shkruara nga ai, mirëpo Zoti ne na ka dhënë superfuqinë që të ardhmen tonë ta krijojmë ne. Kjo krijohet duke përcaktuar qëllimet, të cilat në fillim mund të duken ëndërr, më pas shndërrohet në vizion, kalon në qëllim dhe kur kemi qëllimin e kemi më të lehtë ta realizojmë atë.
-A mund ta ndryshojmë jetën tonë dhe nga mënyra se si jetojmë, nga mënyra se si mendojmë?
-Patjetër, mënyra se si mundon është shumë e rëndësishme, ndaj thuhet se; kujdes se çfarë mendon se mund të të realizohet. Ne, për tu mësuar se si të mendojmë duhet të kuptojmë se si funksionon jeta, njeriu, suksesi, cili është procesi apo rruga që duhet të ndjekim.
Është mirë që ne të shkollohemi, të punojmë punë vullnetare dhe pa pagesë vetëm e vetëm për të krijuar eksperiencë pune dhe për të kuptuar punët që na pëlqejnë dhe na bëjnë të ndihemi mirë. Më pas është e rëndësishme teknika e marrjes së përgjegjësive. Sa më shumë përgjegjësi të marrim aq më shumë të ardhura do të kemi.
-Duket sikur keni zgjidhje për gjithçka, po a ka patur edhe në jetën tuaj momente të vështira?
-Zakonisht shihen vetëm sukseset dhe jo sfidat, problemet dhe fatkeqësitë. Normal, dhe ne ngurojmë ti ndajmë momentet e vështira me të tjerët, por nuk është e lehtë. Ka shumë. Mirëpo ajo që i ndan njerëzit e suksesshëm nga të tjerët është se ata asnjëherë nuk heqin dorë, asnjëherë nuk dorëzohen. Njerëzit e suksesshëm e dinë që do ketë sfida e probleme dhe paçka kësaj vazhdojnë rrugëtimi dhe nuk ndalen. Të tjerët, ankohen dhe ngelen aty ku janë, dhe për çdo sukses që nuk e arrijnë japin arsye. Të suksesshmit gjejnë zgjidhje, ndërsa të pa suksesshmit japin arsyetime se përse nuk kanë arritur aty ku duan.
-Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
-Me Erën, nusen time, jemi bashkë që nga fillimet e shkollës së mesme. Kemi 2 fëmijë. Lizën që është 16 vjeçe dhe Remziun që është 10 vjeç(ka emrin e babait). Kemi një familje shumë të mirë dhe mundohemi që ti rrisim fëmijët me vlerat më të larta njerëzore që shumë prej tyre i kemi të trashëguara nga familja. Jam shumë i lumtur për bashkëshorten time, është një nënë fantastike, grua fantastike dhe një shoqe shumë e mirë./Voxnews.al