Ish ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj nuk i ka pëlqyer gjesti i Ramës i cili u vesh si babagjysh i Vitit të Ri në emisionin e Ardit Gjebresë për të ndihmuar një fëmijë të sëmurë.
Në një shkrim të publikuar tek Panorama Mustafaj teksa rëndit agurmentat e tij se pse është kundër këtij gjesti thotë se “Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë”.
Gjithashtu Mustafaj thotë në shkrim se Ramës i ka hyrë kaq shumë vetja në qejf, sa tanimë që mori edhe timonin, edhe tepsinë, do t’i veshë vetes edhe petkun e shpëtimtarit mitologjik për tokësorët më të dobët.
“Kryeministri ynë, i veshur me xhybe të kuqe, mjekër të bardhë prej pambuku dhe çallmën si zilkë e përmbysur, në mizanskenën e Ardit Gjebresë, na paraqitet si mishërimi i babagjyshit të Vitit të Ri, të cilit një djalë me probleme shëndetësore i ka shkruar një letër me kërkesa nga më të natyrshmet, më njerëzoret. Si prind, jam i lumtur që halli i atij djali kurajoz e plot me dashuri për jetën, u lehtësua disi.
Të paktën, do besuar se ky hall u lehtësua, në qoftë se Kryeministri ynë do e mbajë fjalën, gjë që nuk është shumë në karakterin e tij. Kam për atë djalë gjithë urimet e zemrës që kam për dy djemtë e mi. Nuk është aspak faji i tij pse unë u ndjeva i trazuar nga kjo shfaqje.
Faji kryesor është i Kryeministrit, të cilit i ka hyrë kaq shumë vetja në qejf, sa tanimë që mori edhe timonin, edhe tepsinë, do t’i veshë vetes edhe petkun e shpëtimtarit mitologjik për tokësorët më të dobët.
Janë me qindra e qindra nëpër Shqipëri fëmijët që fati nuk i ka përkëdhelur e ndaj të cilëve shoqëria jonë ka detyrime të posaçme për t’i ndihmuar.
Kjo përfshirje në gjuhën e politikës quhet solidaritet, është detyrim kushtetues për qeverinë dhe përmbushet me kontributin e të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Kontributi i Edi Ramës për solidaritetin është në proporcion me taksat që ai paguan. Roli i Kryeministrit është krejt tjetër”- shkruan ish ministri.
“Për herë të parë e kam gjetur vërtet me vend përcaktimin që po ky Kryeministër ka bërë për mediat si kazan. Por që brenda këtij kazani ishte tashmë ai vetë si autor dhe protagonist i versionit shqiptar të filmit me titullin “Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë”– mbyll shkrimin Besnik Mustafaj.