Ilir Qafa, avokati i kompanisë “Bana King”, në kontejnerët e së cilës rreth një javë më parë u gjetën kokainë, thotë se kompania që ai përfaqëson nuk ka lidhje me drogën. Sipas tij, ka qenë pikërisht kjo kompani që ka insistuar për të mos tërhequr asnjë arkë me banane pa u kontrolluar fizikisht, me qen. Sa i takon presidentit të kompanisë, avokati tha se është shpallur në kërkim nga policia si person që ka të dhëna mbi ngjarjen dhe patjetër do të japë shpjegimet e tij.
Blendi Feziu: Praktikisht është shpallur në kërkim pronari i kompanisë, ku jeton dhe ku gjendet sot ai?
Ilir Qafa: Jo i shpallur në kërkim, askush nuk e ka kërkuar për aq kohë sa ka qenë këtu, që të paraqitet për të dhënë të dhëna në lidhje me ngjarjen. Thjeshtë është komunikuar menjëherë që është në kërkim policor për të informuar në lidhje me informacionet dhe të dhënat që mund të ketë. Kompania Zico sh.a, është një kompani, e cila nuk ka lindur dje, ka 22 vjet që është në këtë tregun e importit të frutave ekzotike.
Blendi Feziu: E sata herë është që ka probleme?
Ilir Qafa: Gati para një viti është konstatuar fakti që ngarkesa e porositur nga kjo kompani, ka dalë nga porti, është skanuar dhe është bastisur përgjatë rrugës në Romanat. Kjo ka qenë arsyeja pse nga ajo datë, përgjatë gjithë 2022-t të gjithë kontejnerët e kompanisë, të porositur nëpërmjet brokerit, janë skanuar dhe janë kontrolluar fizikisht nëpërmjet punonjësve, qenve dhe asnjë kontejner, asnjë arkë banane nuk është depozituar në magazinën e kompanisë pa iu nënshtruar më parë kontrollit fizik. Kjo ka qenë kërkesë e përsëritur. Kërkesa e fundit është e datës 25 i 10, e cila i bën me dije që pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme në momentin e tërheqjes së ngarkesës, ka pasur ditë që ne nuk kemi pasur për të tërhequr asnjë lloj kontejneri. Dhe i kemi thënë që ne nuk tërheqim asnjë lloj kontejneri pa ushtruar kontroll fizik dhe qen nuhatës. Ka qenë politikë e pa negociueshme.
Blendi Feziu: Pronari i kompanisë, përderisa është në kërkim nga policia për t’u pyetur, për të dhënë shpjegime, përse nuk paraqitet?
Ilir Qafa: Në momentin më të parë që do të kemi një kontakt, sepse prej vitesh jeton dhe punon në SHBA… Absolutisht pronari i kompanisë ka qenë më parë, ka takuar kontakte, drejtues institucionesh, ka shfaqur në mënyrë të panegociueshme vullnetin e tij, që të gjithë kontejnerët dhe jo më së koti. Kjo ka qenë një strategji për të shkurajuar të gjithë ata që kanë kthyer në profesion narkotrafikun.
Blendi Feziu: Përse nuk vjen të japë shpjegimet që ka për të dhënë?
Ilir Qafa: Të kërkosh shpjegime nga pronari kur ka një staf të tërë, një administrator, persona përgjegjës…
Blendi Feziu: Atë e gjykon policia, nëse policia do ta pyesë…
Ilir Qafa: Patjetër që po. Pronari e ka bërë me dije shqetësimin e tij publikisht dhe zyrtarisht te drejtuesit e të gjitha institucioneve të përfshira.
Blendi Feziu: Vetë pronari nuk ndodhet në Shqipëri?
Ilir Qafa: Jo. Në dijeninë time nuk ndodhet në territorin e Shqipërisë.
Blendi Feziu: Pra ju e përjashtoni fare veten. Ju thoni që keni porositur banane, prisni banane dhe çdo gjë që mund të ndodhë rrugës nuk ka lidhje me ju?
Ilir Qafa: Zoti Fevziu është shumë e thjeshtë kjo. Si mundet të imagjinohet që një person i përfshirë të thotë hajde më kontrollo?! Hajde më kontrollo, unë nuk marrë asnjë arkë banane. Në mënyrë të përsëritur i themi në mënyrë të përsëritur, çfarë po ndodh që nuk po na lejoni t’i marrim pa i kontrolluar me qen. Ka probleme që të vijë qeni dhe t’i kontrollojë, ne vetë kompania i ngre shqetësimin, i themi ka mundësi që t’i kontrollojmë vetëm me qen? Nuk i marrim i themi pa i kontrolluar edhe fizikisht. Nuk mjaftohemi me kontrollin e skanerit. Nuk është se kemi dyshime për skanerin, për stafin e skanerit, por ne si kompani nuk mjaftohemi në mënyrë kategorike vetëm me kontrollin e skanerit. Pse? Po u dogjëm njëherë në Dhjetor të 2021. Meqenëse na ndodhi njëherë kishim merak që mund të na ndodhte përsëri.
/a.r