Autobusët e linjave ndërkombëtare do të vendosen në terminalin e ri të ndërtuar në sheshin pas pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Bashkia e Tiranës ka rehabilituar të gjithë hapësirën përreth zonës, duke e kthyer atë në një hapësirë që do të shërbejë si parking dhe si terminal i përkohshëm për të gjitha automjetet e transportit të udhëtarëve me jashtë vendit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur se me anë të këtij investimi krijohen dy hapësira për parkingje, një terminal për autobusët e linjave me jashtë dhe një parking ditor për qytetarët.
“Sot hapim dy hapësira të mëdha parkingu: Për autobusët dhe për qytetarët që përdorin makinat e tyre private, sipas konceptit ‘park and ride’, pra e parkon makinën përpara se të futesh te Zogu i Zi, një zonë me trafik të rënduar, e mandej të gjitha aktivitetet rreth saj mund t’i bësh në këmbë, me biçikletë ose me transport publik. 10 minutat e para janë pa pagesë, për t’u siguruar që nëse terminali i autobusëve përdoret për të lënë familjarët apo për të marrë dikë tjetër, të mos jetë nevoja të paguash. Por, gjatë ditës është me pagesë, për t’u siguruar që të mos ndodhë si më parë, kur dikush parkonte 16 orë radhazi”, tha Veliaj.
Ai theksoi se në këtë terminal do të organizohen të gjitha linjat dhe kompanitë që kryejnë transport udhëtarësh kryesisht në vendet fqinje, duke i dhënë fund orvatjeve të deritanishme të këtyre mjeteve dhe udhëtarëve nëpër rrugët e Tiranës.
“Kemi organizuar një terminal për të 36 linjat me destinacion Kosovën, Greqinë, Maqedoninë, Italinë apo vende. Shërbimi bëhet në një kabinë, ku merret një biletë dhe ku secili mund të shikojë oraret e afishuara. Kjo është një mënyrë shumë më dinjitoze se sa shpërndarja e autobusëve në të gjithë kryeqytetin. Praktikisht, kemi hequr 100 autobusë nga rrugët e Tiranës, që bllokonin trafikun”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.