Ngjarja ndodhi dje në orën 15.40 në zonën e Voula, në Vouliagmeni, pjesë bregdetare e Athinës, raporton noa.al
Policia e Athinës tha se 30 vjeçari nga Fieri po ngiste motorin e tij në rrugën Apollonos afër hyrjes së dytë të Asteras, kur një automjet i bardhë marka Volkswagen i bllokoi rrugën.
Nga makina ku gjendeshin katër persona, doli një djalë i zhveshur nga mesi e lart, me një tatuazh të madh në shpinë, e kapi 30 vjeçarin dhe filloi ta godasë në kokë. Sulmi vijoi pasi u përfshinë dhe personat e tjerë në mjet.
Në të njëjtën kohë, një automjet i dytë i zi tip Smart i afrohet vendit ku po ndodhet sulmi dhe dy persona të tjerë dolën dhe u sulën drejt 30-vjeçarit duke nisur ta godasin dhe ta mallkojnë në Greqisht dhe Shqip.
Ndërkohë nisi dhe plaçkitja e shqiptarit. Agresorët i morën gjithë çfarë kishte me vete dhe në motor, dy varëse floriri, portofolin me një shumë eurosh, celularin, etj.
Në këto momente, fieraku ka kuptuar se duhet të shpëtonte kokën dhe ka arritur të vrapojë duke u humbur nga sytë.
Frymën e mbajti në rajonin policor në Vari – Voula – Vouliagmeni ku denoncoi atë që i kishte ndodhur.
Policia tha se po përpiqet të identifikojë gjashtë personat që sulmuan të riun fierak. Dyshimet janë se disa nga të dyshuarit janë shqiptarë që kishin njohje të mëparshme me fierakun dhe e kishin vënë në shënjestër për ta dhunuar e grabitur. /noa.al