Kapsula e misionit Artemis II dhe ekuipazhi i saj prej katër anëtarësh përshkuan atmosferën e Tokës dhe u ulën në mënyrë të sigurt në Oqeanin Paqësor të premten, pas pothuajse 10 ditësh në hapësirë, duke përmbyllur udhëtimin e parë të njerëzve drejt afërsisë së Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli.
Kapsula Orion e NASA-s, në formë si një karamele e rrumbullakët dhe e quajtur “Integrity”, zbriti me parashuta në ujërat e qeta pranë brigjeve të Kalifornisë Jugore pak pas orës 17:07 (sipas orës së Paqësorit), duke përfunduar një mision që katër ditë më parë i kishte çuar astronautët 252 mijë e 756 milje larg Tokës, më thellë në hapësirë se kurrë më parë nga ndonjë njeri.
Fluturimi i Artemis II, që përshkoi gjithsej 694 mijë e 392 milje (1,117,515 km) në dy orbita rreth Tokës dhe një fluturim pranë Hënës në një distancë rreth 4 mijë milje nga sipërfaqja e saj, ishte fluturimi i parë testues me ekuipazh në një seri misionesh Artemis që synojnë të rikthejnë astronautët në sipërfaqen e Hënës duke filluar nga viti 2028.

“Ulje e përkryer” në ujë
Ulja në ujë, nën një qiell pjesërisht të vranët, u transmetua drejtpërdrejt përmes një videoje nga NASA. “Një ulje e përkryer për Integrity dhe katër astronautët e saj,” tha komentatori i NASA-s, Rob Navias, pak çaste pas uljes.
“Jemi të qëndrueshëm, katër anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë,” raportoi komandanti i misionit, Reid Wiseman, menjëherë pas uljes, duke sinjalizuar se kapsula ishte në pozicion të drejtë dhe se të gjithë astronautët ishin mirë.
Ekipit të NASA-s dhe marinës amerikane iu deshën më pak se dy orë për të siguruar kapsulën që lundronte dhe për të nxjerrë katër anëtarët e ekuipazhit, astronautët amerikanë Wiseman (50 vjeç), Victor Glover (49), Christina Koch (47), si dhe astronautin kanadez Jeremy Hansen (50).

Kthimi i ekuipazhit ishte testi më i rrezikshëm i misionit dhe i anijes Orion të ndërtuar nga Lockheed Martin, duke provuar se mburoja termike e kapsulës mund t’i përballonte forcat ekstreme të rikthimit nga një trajektore kthimi nga Hëna.
Siç shkruan Reuters, kapsula hyri në atmosferën e Tokës me një shpejtësi 32 herë më të madhe se shpejtësia e zërit, ndëksa fërkimi me atmosferën godiste mburojën e saj termike me temperatura rreth 5 mijë gradë Fahrenheit (2 mijë e 760 gradë Celsius). Një shtresë gazi të jonizuar e mbuloi mjetin, duke shkaktuar një ndërprerje të planifikuar të komunikimit radio për më shumë se gjashtë minuta në kulmin e stresit gjatë rikthimit.

Tensioni u zbut kur komunikimi u rivendos rreth 40 sekonda më vonë se sa pritej, dhe dy grupe parashutash u hapën nga pjesa e përparme e kapsulës në rënie të lirë për të ngadalësuar zbritjen në rreth 15 milje në orë (25 km/h), përpara se Orion të prekte butësisht ujin.
Pasi zhytësit e marinës lidhën një unazë lundruese për të stabilizuar kapsulën, katër astronautët, ende të veshur me kostumet e tyre portokalli të fluturimit, u ndihmuan të hipnin në një gomone. Më pas, ata u ngritën një nga një në helikopterë që qëndronin pezull mbi ta dhe u transportuan në një anije amfibe të marinës, “John P. Murtha”, për kontroll të mëtejshëm mjekësor.
Ata buzëqeshën dhe përshëndetën kamerat ndërsa ishin ulur në pragun e derës së helikopterit.











