Gazetari investigativ Artan Hoxha ka thënë se skandali i “Panama Papers” është investigimi më i madh i bërë ndonjëherë nga gazetarët e gjithë botës, ku midis tyre del edhe emri i Ismail Mulletit. Në lidhje me koncesionin e fituar nga GFI Albania, Hoxha konfirmoi se ai është bërë në fund të qeverisë Berisha.
“Koncesioni i markimit të karburanteve është bërë në fund të qeverisë Berisha. Unë nuk e dija që deri në atë kohë ishte Mulleti ai që ka marrë markimin, por dija që ai që ka marrë koncesionin ka lidhje me qeverinë Berisha, se ndryshe s’mund ta merrte dot. Kompanitë e karburanteve rezistuan, por nuk mundën ta zmbrapsin. Koncesioni është dhënë në fund të qeverisjes, kur kishte dalë edhe rezultati i zgjedhjeve”, tha ai.