Nga Erjon Braçe
Kam ardhur sot në mëngjes në sallën e Kuvendit,
me bindje të plotë për dy gjëra:
E para,
Sot, ne kete salle, duhet folur vetëm për një çështje;
pushkatimin pa gjyq të katër qytetarëve që pafajshëm dhe, që nuk përbënin asnjë rrezik për rendin kushtetues dhe institucionet, pesë vjet më parë në 21 janar.
E dyta,
I vetmi njeri që nuk do të merrte kurajën për të folur sot, në sallën e Kuvendit, do të ishte saktësisht Kryeministri i asaj periudhe, Sali Berisha.
Pse e mendoj kështu?
Sepse 21 janari, krimi shtetëror i 21 janarit, konsumuar në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”;
është një krim i pazbardhur, eshtë një krim i pa hetuar në kushtet e parashikuara nga ligji- i pa hetuar plotësisht, eshtë një krim i pagjykuar plotësisht në gjykaten e shkallës se parë, i pa gjykuar plotësisht në gjykaten e apelit dhe, i lënë në harresë prej tre vjetësh në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë;
Sepse Sali Berisha, nuk duhet të fliste sot këtu në sallën e Kuvendit!; vetem nje arsye mund te legjitimonte nje fjale te tij- të gjithë, jo ne këtu në këtë sallë, por qytetarët e Republikës së Shqipërisë, familjarët e katër të pushkatuarve më 21 janar, duhet të dëgjonin prej tij rrëfimin që i mungon shoqërisë shqiptare, prokurorisë shqiptare, gjykatës shqiptare prej pesë vjetësh;
rrëfimin në cilësinë e atij që jo vetëm ka pasur përgjegjësinë për të drejtuar shtetin më 21 janar, por që ka marrë drejtpërdrejt përsipër pushkatimin e katër qytetarëve pa gjyq në mes të bulevardit;
rrëfimin e njeriut që në dëshmitë e tij ne harkun e një jave, jo vetëm ka dhënë versione të ndryshme për pozicionin e tij, për prezencën dhe për veprimet e tij, por nga ana tjetër ka mbrojtur personalisht dhe institucionalisht, vrasjet e pushkatarëve të tij më 21 janar.
Këto kanë jane arsyet për të cilat une kam ardhur sot në sallën e Kuvendit dhe,
për këto arsye do të flas.
Për të parën,
po ju them se deri më sot ka autorë të pushkatimeve, të akuzuar nga prokuroria dhe të shpallur vrasës, por nga pakujdesia, vetëm për Ziver Veizin dhe për Faik Myrtajn.
Gjykata e Apelit ka thënë se për Hekuran Dedën nuk ka vrasës, ashtu si për Aleks Nikën, prokuroria e ka dosjen e hapur dhe, thotë se nuk ka vrasës;
ashtu si për disa të tjerë, persona që kanë marrë pjesë në demonstrate dhe kanë qenë në të njëjtat vende me të vrarët, edhe prokuroria dhe gjykata i kanë çështjet e hapura dhe për ta nuk ka vrasës.
Po e përsëris edhe një herë:
nga katër të pushkatuarit më 21 janar, për dy prej tyre, nuk ka vrasës.
As prokuroria dhe as gjykata nuk kanë marrë përsipër të tregojnë se cilët janë njerëzit që vranë më 21 janar, ashtu si edhe për Artes Dybelin, Ilia Qeskun, Ilia Papa, apo si edhe për Fatos Mahmutaj, Sokrat Goden dhe Erald Bishën qe u plagosen po ate dite.
Të gjithë këta janë plagosur në të njëjtat vende ku janë plagosur apo janë vrarë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Kjo është situata ligjore në planin hetimor dhe gjyqësor sot në Republikën e Shqipërisë për pushkatimin pa gjyq të katër qytetarëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve të paktën, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ajo që është më e rënda ka të bëjë me faktin se;
edhe ata që janë dënuar në mënyrë qesharake “për vrasje nga pakujdesia”, sot janë të lirë. Sot që flasim, në institucionet e këtij shteti nuk gjendet asnjë prej vrasësve të 21 janarit.
Ky është problemi.
Rëndohet akoma më shumë kur, institucioni më i lartë i sistemit gjyqësor në këtë vend, Gjykata e Lartë, ka që nga prilli i vitit 2013 që nuk merr përsipër të gjykojë dosjen që prokuroria e Republikës ka dërguar aty për vrasësit e identifikuar te të paktën tre qytetarëve në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Pse ka ndodhur e gjitha kjo?
Kjo çështje është hetuar që në krye të saj gabim;
sepse kjo çështje, në hetimin e saj, është sabotuar qëllimisht; sepse për këtë çështje nuk është lejuar në mënyrë kriminale të hetohet deri në fund.
Për këtë çështje u shkatërruan një seri institucionesh të pavarura të ndërtuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me qëllim që të mos bëhej drejtësi.
Për këtë çështje, ata që janë përgjegjësit kryesorë- Kryeministri i asaj periudhe Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm i asaj periudhe Lulzim Basha, kanë dhënë versione të ndryshme nga dita në ditë në harkun e një jave po e po, por edhe në harkun e pesë vjetëve për çfarë ka ndodhur atë ditë.
Unë kam marrë deklaratat e bëra per mediat, nga zyrat e Kryeministrit të vendit, këtu në sallën e parlamentit, përsëri në zyrën e qeverisë, përsëri në konferencën e shtypit nga data 21 janar në darkë dhe, deri më datën 28 janar një ditë para protestë së dytë paralajmëruar nga opozita e asaj periudhe, protestës mortore.
Po lë mënjanë kërcënimet dhe po merrem vetëm me pjesën e dëshmive.
E kam kërkuar shumë këtë ditë.
Sali Berisha ka qenë njeriu që ka folur më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri në harkun e pesë vjetëve në media, por kurrkush nuk ka marrë guximin ta ballafaqojë me deklaratat e tij, të bëra në harkun e një jave pas krimit të 21 janarit.
Ky është momenti që me qetësi dhe me korrektësi, por më në fund me ndershmëri të marrim sot një përgjigje të qartë.
Pikërisht për këtë arsye, dua ta pyes Kryeministrin e asaj kohe;
më datën 21 janar në mbrëmje, Sali Berisha u tha mediave:
“..duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre (bëhet fjalë për viktimat), është qëlluar nga afër me pistoleta të lehta, të cilat nuk gjendën në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës”
Po pyes Sali Berishën këtu: i qëndron kësaj deklarate apo jo?
I qëndron faktit që katër qytetarë të pafajshëm të pushkatuar në mes të Bulevardit janë vrarë me pistoleta të lehta nga afër dhe me armë që nuk i disponon as Policia e Shtetit dhe as Garda e Republikës?
Po e kujtoj që kjo deklaratë është bërë në momentin kur halli i vetëm ishte të fshiheshin të vrarët dhe të akuzohej opozita e saj kohe se kishte vrarë protestuesit që i solli vetë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Jo më larg se sa dy faqe më pas,
Sali Berisha përsëri ka bërë një deklaratë tjetër, halli gjithmonë ishin plumbat dhe thotë: “Kjo do të faktohet shumë thjeshtë, sepse në të gjitha rastet plumbi nxirret. Ka qenë aq i dobët sa nuk ka përshkuar dot shtresat, madje thuhet, po t’i shikojmë se, janë me silenciator. Këto janë të dhënat e deritanishme që akuzojnë direkt skenaristët, por megjithatë këtu do të ketë një hetim, ekspertizë mjeko-ligjore serioze që do të nxjerrë të gjithë të vërtetën. Edhe një herë plumbat janë në vend dhe është shumë e thjeshtë të gjenden, pasi armët janë të regjistruara që të gjitha”.
Dua ta pyes përsëri Kryeministrin e saj kohe që ka bërë këtë dëshmi para medieve: i qëndron kësaj deklarate apo jo? Që vrasjet janë bërë me armë me silenciaror dhe këto armë me silenciator nuk kanë qenë as të Policisë dhe as të Gardës, por kanë qenë armë të përdorura nga skenaristët, pra nga opozita e saj kohe?
Për të vazhduar, disa rreshta, disa minuta më poshtë për të gjithë ata që kanë ndjekur medien, Sali Berisha thotë:
“Ndjej keqardhje për çdo viktimë. Mua viktimat më ngjallin gjithmonë keqardhje, por të jesh e sigurt se përgjegjësia direkte, e plotë dhe totale qëndron mbi atë që organizoi skenarin, pra mbi opozitën. Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate, me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre? Bëhet fjalë për të vrarët. Si nuk arritët ju të filmonit, qoftë edhe njërin prej tyre? Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha: “Më ka marrë plumbi”, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi, ndjeva keqardhje, por fatmirësish doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha e shtynë”.
Dua ta pyes përsëri Sali Berishën: i qëndron deklaratës se Fatos Mahmutaj gazetarit apo telekronistit siç e quan ti, të cilin e ke dëgjuar drejtpërdrejtë live në transmetimin e ABC-News, nuk është plagosur me plumb, por e kanë shtyrë?
Ai është azilant politikë sot në Belgjikë. I ka ende shenjat e plumbave në duar. Rrezikohej të humbte dorën, ashtu siç rrezikoi jetën e tij duke qëndruar edhe pak ditë të tjera në Shqipëri, sepse ishte dëshmitar okular dhe Fatos Mahmutaj, ka qenë jo vetëm në një tavolinë me Hekuran Dedën, por dyshohet qartësisht se ka marrë të njëjtat plumba që mori Hekuran Deda dhe Sokrat Gode.
Edhe një herë dua të të pyes: ai i qëndron deklaratës se Fatos Mahmutaj është shtyrë, ka rënë nga tavolina dhe nuk është plagosur nga plumbat e Gardës së Republikës?
Ju thashë, ishte halli në datën 21 janar në mbrëmje për të zhdukur gjurmët, për të akuzuar opozitën si vrasëse e katër qytetarëve të pafajshëm që u pushkatuan në mes të bulevardit.
Më datën 23 janar skenari ndryshoi pak, falë medieve të lira, falë një gazetari, falë televizionit të tij, qytetarët e Shqipërisë panë se nuk ishte opozita e asaj kohe, Edi Rama dhe gjithë ne të tjerët që kishim vrarë njerëzit tanë në mes të bulevardit, që kishim qëlluar mbi ta, por ishte ekzaktësisht Garda e Republikës, e cila në një mënyrë të qartë me vetëdije të plotë, me dashje, jo nga pakujdesia, por me dashje në bazë të një urdhri, pushkatoi katër qytetarë të pafajshëm në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe plagosi, të paktën gjashtë të tjerë, të evidentuar si gjashtë të tjerë nga organet e sistemit të drejtësisë së asaj periudhe.
Pikërisht në datën 23 pasi u bënë publike këto dëshmi,
Sali Berisha shpiku sulmin mbi institucionet shqiptare, edhe mbi Kuvendin ka thënë, pavarësisht se në të jo që nuk ka pasur sulm, por nuk kishte as qëndrim pranë tij.
Degjoni pak cfare tha ne mbledhjen e Qeverise:
“Forcat e rendit, Garda e Republikës bënë një mbrojtje të shkëlqyer, smbrapsën të gjitha sulmet banditeske të bëra me armë. Kryeministria ka marrë plumba dhe këtë e kemi të dokumentuar, sulme të bëra me shishe molotov, me gurë, me ujë dhe me të gjitha mjetet”
Po e lë mënjanë përçartjen, por se si mund të bëhen gjurmë në mure me ujë unë nuk e di.
Por sot dua të pyes Kryeministrin e asaj periudhe: Zoti Berisha, si ka mundësi që ti nuk gjete qoftë edhe një gjurmë të vetme plumbi në muret e Kryeministrisë? Si ka mundësi që prokuroria nuk gjeti qoftë dhe një gjurmë të vetme plumbi në muret e Kryeministrisë? Si ka mundësi që gjykata nuk e gjeti këtë gjë? Si ka mundësi që ti e shpike sulmin me armë kundër Kryeministrisë? A i qëndron deklaratës tënde se Kryeministria atë ditë është sulmuar me armë?
Vetëm pak rreshta më poshtë po prapë Sali Berisha sajoi sulmin me tritol kundër Kryeministrisë:
“…ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, ku sipas një informacioni kishte marrë një makinë të cilën ua kishte dhënë banditëve me qëllim për ta futur në oborrin e Kryeministrisë në mënyrë që me makinë të hapnin derën. Mendonin që me makinë do të vinin deri te dera, por aty kishte një pritë hekuri dhe pas pritjes së hekurit kishte një tjetër pritë zjarri, por ata nuk e dinin dhe makina mbeti aty ku ishte”.
Kam një pyetje zoti ish-Kryeministër: Çfarë ishte kjo prita e zjarrit që ishte vendosur në Kryeministri? Çfarë kishte për detyrë kjo prita e zjarrit që ishte vendosur në Kryeministri dhe që ishte jashtë oborrit? Kë priste? Makinën apo njerëzit? Ç’paska qenë ky skalion zjarri që qenka vendosur poshtë penxheres tënde dhe që priste protestuesit aty?
Pak minuta më pas ka një tërheqje të lehtë për viktimat, por natyrisht në mënyrën më të paimagjinueshme të mundshme për një qenie humane, jo për një kryeministër, fillon sulmi ndaj viktimave, a thua se ishte faji i atyre që krejtësisht me duar në xhepa ndodheshin jashtë oborrit të Kryeministrisë në rrugë të madhe, në bulevard, ku kurrkush nuk ka vrarë që prej fashizmit;
“Mbetën 3 viktima për të cilat të dhënat e para ishin përafërsisht të sakta, por jo tërësisht të sakta. Të dhënat për plumbin ishin të sakta, kalibri u provua, të gjitha plumbat kishin mbetur brenda trupit. Natyrisht këto të dhëna u morën nga Spitali Ushtarak. Në ekspozenë time para shqiptarëve kërkova që prokuroria e shtetit të bëjë të gjithë hetimin. Shpreha ngushëllime për familjet e viktimave dhe kërkova si në çdo vend të lirë të bëheshin hetime të plota për të zbardhur rrethanat e vrasjes së tyre. Erdhën të paguar, për të sulmuar, për të dhunuar një institucion”.
Tani unë dua të të pyes: A i qëndron sërish kësaj deklarate që Ziver Veizi, burri dhe babai që u pushkatua në trotuarin para Kryeministrisë erdhi i armatosur për të të sulmuar ty?
A i qëndron akoma deklaratës që Hekuran Deda, burri dhe babai që u vra mbi tryezën e medieve, larg nga dera e Kryeministrisë, erdhi i armatosur për të të sulmuar ty?
A i qëndron ende deklaratës se Aleks Nika, burri dhe babai që erdhi në Tiranë për të protestuar, që ishte krejtësisht në krahun tjetër në bulevard, ishte me armë për të të sulmuar pikërisht ty?
A i qëndron ende deklaratës se Faik Myrtaj, burri dhe babai që erdhi në Tiranë, ishte i armatosur me armë për të të sulmuar pikërisht ty?
Vazhdojmë dhe më tutje, dhe kjo është ironia më e madhe që në datën 23 janar ke thënë ekzaktësisht kështu:
“Pas konferencës për shtyp i kam kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videoje të vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat. Si u vranë dhe ku u vranë. Pra, të gjitha rrethanat”.
E vërtetë është që Kryeministria kishte një rrjet kamerash vëzhgimi,
shumë e vërtetë është që edhe kamerat e gazetarëve kanë qenë aty, i kanë regjistruar të gjitha. Por ka një të vërtetë të madhe, pasi ti pohon se në datë 23 i ke vënë në dispozicion apo ke urdhëruar sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave që të vërë në dispozicion pamjet filmike, është zbuluar fakti se një orë pasi është mbyllur data 21 janar, në orën 1:00 të natës serverët e Kryeministrisë janë fshire që të gjithae.
Ndaj natyrisht më takon të të pyes edhe një herë tjetër: Kush i fshiu serverët e Kryeministrisë? Si ka mundësi që ti dije se ato kamera kishin xhiruar çdo gjë, por në fakt në serverët e Kryeministrisë nuk ka asgjë? Si ka ndodhur që ti njeriu që kontrollove çdo gjë në atë godinë nuk paske kontrolluar kaq gjë?
Pra, të ruaje xhirimet e kamerave të Kryeministrisë për një ngjarje që është krimi i shekullit në këtë vend.
Për të vazhduar akoma më tutje. Kjo më lejoni t’ju them që është deklarata më e rëndë.
Ekzaktësisht ke thënë:
“Nga dritaret e Kryeministrisë nuk do të qëllohej, por do të qëllohej ndaj çdo personi që do të shkelte brenda. Ishin të ndara detyrat. Kryeministri ishte në krye të detyrës. As edhe një e shtënë e vetme nuk mund të dilte nga dritaret e saj në mënyrë kategorike. Mbrojtja e institucionit kishte rregullin e vet”.
Ketu po sjell ne vemendje sjell në vëmendje se nuk ka prokuror në këtë vend që të jetë marrë me sa me siper. Dhe ky është tmerri. Si ka mundësi që Kryeministri i vendit, njeriu që ka ndenjur në godinë, njeriu që ka komanduar të gjitha trupat e Gardës dhe të policisë të rreshtuara aty apo brenda godinës, flet për ekzistencën e një plani të qartë për të goditur brenda me armë zjarri cilindo që do të ishte aty për një ngjarje ku janë vrarë, apo janë pushkatuar 4 njerëz, dhe ti je i vetmi person që nuk pyetesh për këtë?
Si ka mundësi që ti flet, jua tregova pak më herët, për ndjekjen live të plagosjes së gazetarit Fatos Mahmutaj, i cili është plagosur në fraksionin e sekondës kur Hekuran Deda është vrarë dhe prokurorët ty nuk të pyesin?
Si ka mundësi që ti i mohon të gjithë Shqipërisë dhe institucioneve të sistemit të së drejtës në këtë vend dëshminë tënde për këtë gjë? Si ka mundësi që ti e di fare mirë që detyrat ishin të ndara. Nga kush? Si ishin ndarë këto detyra? Për të vrarë kë? Dhe përsëri ti as përgjigjesh, as shkon para drejtësisë, as jep rrëfimin tënd dhe natyrisht e refuzon në mënyrë kategorike që ta bësh këtë edhe pas 5 vjetësh pasi ka ndodhur kjo gjë.
Për më keq akoma, pas gjithë kësaj historie ti fillon një sulm të paprecedent ndaj gjithçkaje që ka ndodhur më 21 janar. Dhe këtu po vij për t’u ndalur dhe për ta mbyllur me dëshmitë e tua në harkun e një jave për 21 janarin.
Më 28 janar ke dalë në një konferencë shtypi dhe ke thënë:
“Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur të dhëna të shumta direkt nga burimet më të besueshme se banditëve, kriminelëve, delinkuentëve ku për 5 orë me radhë me barbarinë më të madhe u vërsulën ndaj Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës për të sjellë me dhunë Haxhi Qamilin dhe Haxhi Qamilët në karrigen e kryeministrit u janë dhënë 200 deri në 300 dollarë secilit për dhunën që do të përdornin. Atyre u është dhënë garancia e plotë se do të përmbyset qeveria, sepse misioni i tyre ishte përmbysja me çdo kusht e Sali Berishës dhe qeverisë së tij legjitime. Disponohen të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve me të cilët do të realizohej sulmi final për të hyrë në ndërtesë. Disponohen të dhëna të plota mbi armët e sofistikuara, çadrat-pistoletë, stilolapsa-pistoletë, thikat me helm, që do të përdoreshin në stadet e caktuara të këtij grushti shteti, të kësaj përpjekjeje të turpshme për të marrë pushtetin me dhunë. Disponohen të dhëna se grupe ndoshta gjer në dhjetë, grupe pesëshe, u stërvitën ditë të tëra në zona të ndryshme për të ndërmarrë sulmin. Disponohen të dhëna se ky puç u financua me 2 milionë dollarë”.
Tani kam një pyetje:
E kam kuptuar gjatë gjithë asaj jave nevojën tënde për të shpifur, nevojën tënde për të sajuar, për të sulmuar mbi 150 mijë protestues që ishin atë ditë në Tiranë. E kam kuptuar qartësisht nevojën tënde për të sulmuar dhe të vrarët dhe të pushkatuarit e asaj dite. Unë nuk kam kuptuar se pse ti kishe nevojë të sajoje çadra-pistoletë dhe thika me helm. Këtë nuk arrita ta kuptoj asnjëherë. Mbase nevoja jote ka qenë shumë e madhe dhe natyrisht nga i gjithë ky banalitet, nga të gjitha këto dëshmi të rreme, midis të cilave ka fjali që normalisht mund të të merrnin ty menjëherë nën hetim, për ndjekje penale për të dhënë dhe ti shpjegimet e tua lidhur me gjithçka ndodhi, por para organeve të drejtësisë. Nevoja ekstreme të shtyu të nisje sulmin përkundrejt institucioneve të drejtësisë.
Merrini dhe shikojini arkivat e këtij Kuvendi. Që pas 21 janarit jo vetëm që ka një sulm të paprecedent përkundrejt prokurorit të Përgjithshëm të asaj periudhe, përkundrejt prokurorëve që merreshin drejtpërdrejt ne grupin e hetimit, po, ka vërtet grusht shteti.
Akt i paprecedent, i pandodhur në këtë vend, që pas vendosjes së pluralizmit dhe shtetit ligjor në Shqipëri, moszbatimi i urdhrave të prokurorit prej teje, po, përbën haptazi një grusht shteti.
Akti i paprecedent i sulmit barbar kundër Presidentit të Republikës të asaj periudhe që ishte në krye të sistemit të drejtësisë, jo vetëm për këtë çështje, por dhe për çështje të tjera te renda, natyrisht që është akt i pastër i një grushti shteti.
Të rrëzosh në mënyrë institucionale të gjithë kupolën e shtetit shqiptar, siç e rrëzove ti me Policinë tënde të Shtetit tend dhe, me Gardën e Republikës natyrisht që është grusht shteti;
i ndërmarrë nga nevoja ekstreme për të mos u përgjigjur kurrë për të pushkatuarit para drejtësisë.
Dhe fakti është shumë i qartë. Gjykata e Lartë ndryshoi, KLD-ja ndryshoi, presidenti ndryshoi, prokurori ndryshoi, gjykatësit ndryshuan të gjithë dhe historia sjell si fakte ato që ju thashë në fillim të kësaj fjale;
Për 4 të pushkatuar në mes të bulevardit dhe 6 të tjerë të plagosur sot nuk ka asnjë në burg. Për të dy nga të pushkatuarit nuk ka sot ende vrasës, ashtu si dhe për 6 të tjerët nuk ka ende vrasës, sepse gjithçka u shkatërrua me vetëdije të plotë me angazhimin tënd personal, me angazhimin tënd institucional, me angazhimin e një qeverie të tërë që nuk lejohej të bënte drejtësi në këtë vend për 4 të vrarët.
Kjo është një histori që nuk mbyllet.
Jua thashë në krye të herës që kjo është një histori e hetuar totalisht keq, e hetuar qëllimisht keq, e gjykuar qëllimisht keq, sepse hetimi nuk mund të fillojë kurrë nga pushkatarët.
Hetimi duhet të fillojë nga komandantët e pushkatarëve.
Hetimi duhet të fillonte nga ty i pari, hetimi duhet të vazhdonte me atë që është pasardhësi yt sot, pra, me Lulzim Bashën, ish-ministrin e Brendshëm të asaj periudhe.
Hetimi duhet të përfshinte të gjithë hierarkinë e komandantëve të tu ushtarakë, të cilët siç thua ti, kishin detyra të ndara dhe kishin krijuar perde zjarri për të pushkatuar njerëz.
Hetimi natyrisht që duhet t’i përfshinte dhe secili nga ata pushkatarë që shkrehën armët në zbatim të urdhrave që ke lëshuar ekzaktësisht ti.
Kjo nuk ka ndodhur, prandaj nuk ka drejtësi në këtë vend për 21 janarin, sepse nuk e ke lejuar ti.
Ishe Kryeministri që vure nën thundër Presidentin e Republikës, prokurorin e Përgjithshëm, KLD-në, Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, të gjitha gjykatat njëra pas tjetres.
Ti e bëre Bujar Nishanin President republike. Sistemin e drejtësisë e vure nën thundrën e një njeriu që ishte anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, me qëllim që të emëronte gjykatësit e tu. Bujar Nishanin e vure në krye të KLD-së për të emëruar ata gjyqtarë, që kanë marrë këto vendime të turpshme për vrasjen me dashje të katër qytetarëve të pafajshëm në mes të bulevardit dhe që i emërove po ti.
Të gjitha trupat gjykuese, që janë marrë me këtë çështje, i ke emëruar ekzaktësisht ti. Të gjithë trupën e Gjykatës së Lartë, që ka tre vjet që nuk merret me këtë dosje, e ke emëruar ti. Pikërisht, sepse je ti, nuk ka reformë në drejtësi në këtë vend.
Po ta them edhe një herë tjetër:
në qoftë se ka një akt solemn që duhet të bëjë ky parlament, ai eshte vazhdimi përpara me reformën në drejtësi, për të çliruar një sistem të kapur politikisht, në mënyrë njëpartiake, duke filluar nga KLD-ja, te Gjykata e Lartë dhe tek të gjitha gjykatat e tjera, që i kontrollon po ti dhe nuk lejon që në këtë vend të ketë drejtësi për ata që vranë dhe pushkatuan 4 njerëz të pafajshëm në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Nuk ka ndodhur që të pushkatohen njerëzit ashtu.
Ishin 4 njerëz, 4 familjarë, 4 baballarë, që erdhën në Tiranë me duar në xhepa dhe që nuk përbënin asnjë rrezik në momentin kur u vranë. Ata, ashtu si gjithë të tjerët, në atë moment po largoheshin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. I vratë për t’u dhënë mësim njerëzve, per ti perulur.
Keni folur këtu për banditë, por kurrë nuk vrave një bandit, vrave 4 burra të ndershëm. Ke folur këtu për delinkuentë. Arrestove 280 vetë, por nuk gjete midis tyre asnjë të tillë.
Ke folur këtu për njerëz të droguar. Arrestove 280 veta, por kurrë nuk gjete një të tillë, që të ishte i droguar. Ke folur këtu, një javë rresht, për njerëz me armë; brodhe rrugëve të Tiranës dhe nuk gjete një të tillë me armë.
Ke folur këtu për tritol. Sajove një makinë me tritol, e more, e hape dhe nuk gjete aty as fshesa, jo më tritol.
Ke folur këtu për godinën e Kryeministrisë, që është goditur me plumba. Nuk gjete një vrimë të vetme në godinën e Kryeministrisë, për të treguar plumbat; të vetmet vrima që ishin atje, ishin vrimat që ti kishe shkaktuar në muajin shtator të vitit 1998 në godinën e Kryeministrisë, në të vetmin grusht shteti që ka ndodhur me armë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ky është problemi.
Kujtoja se do të kishit ndonjë pendesë sot, por ju nuk jeni nga ata njerëz që pendoheni. Ky është problem shumë i madh, sepse ndodh kudo në botë, që cilido që vret nga “pakujdesia” pendohet në një moment dhe e pranon, rrëfen dhe kërkon edhe ndjesë, por kjo nuk mund të ndodhë me vrasës profesionistë.
Ju keni vrarë me dashje.
Sali Berisha dhe Lulëzim Basha kanë vrarë me dashje më 21 janar.
Ta harroni se mund të na bindni dot, me ndonjë nga gjykatësit që keni emëruar vetë, se ne do të pranojmë që ju paskeni vrarë pa dashje në bulevard. Ju keni vrarë me vetëdije të plotë, me dashje.
Kjo nuk lë që të kryhet reforma në drejtësi. Kjo nuk lë që të çlirohet sistemi nga njerëzit që keni emëruar ju, në krye të sistemit të drejtësisë. Kjo nuk ju lë të pranoni një herë të vetme, se ju jeni fajtorë për atë ngjarje.
Sali Berisha do cohet tani te flase pas meje. Do thote gjithcka. Do të merret me mua, personalisht, me Gramozin, me secilin që ka marrë pjesë më 21 janar në protestë, por një gjë nuk mund ta thotë;
le të çohet këtu, të na shohë të gjithëve në sy, të shohë edhe familjarët e atyre 4 të pushkatuarve në bulevard dhe t’u thotë:
nuk ju vrava unë, Sali Berisha!!
Nuk e thotë dot.
Do ta dëgjoni ligjërimin e tij këtu. Nuk do ta pohojë dot kurrë se nuk është ai që urdhëroi perdet e zjarrit, për të cilat ka folur këtu, që i kishin detyrat e ndara, për të vrarë apo për të pushkatuar 4 njerëz të pafajshëm në mes të bulevardit.
NUK E THOTE DOT!!
Natyrisht, po jua them edhe një herë tjetër:
Une e di se sa herë hapet kjo çështje ka nervozizëm, ka edhe zhgënjim te ligjshem, por në qoftë se ka një gjë, të cilës ne duhet t’i qëndrojmë deri në fund, dhe këtu e kam me maxhorancën, është reforma në drejtësi, për ta çliruar këtë sistem dhe për të vënë drejtësi për të gjitha çështjet kriminale, apo për të gjitha krimet e politikës në këtë vend, që kanë filluar, apo kanë në thelb të tyre atë që është krimi i shekullit- pushkatimin pa gjyq i katër qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ata prindër ishin me duar në xhepa.
Erdhën në Tiranë ne të drejtën e tyre dhe me besimin e plotë te Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, se kishin të drejtë edhe ata të protestonin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; prindër, të cilëve, të gjithë ne, si klasë politike, u detyrohemi shumë, prindër për të cilët edhe sot e kësaj dite nuk është vënë drejtësi, prindër për të cilët ia vlen që ky parlament të çohet dhe të mbajë një minutë heshtje në kujtim të tyre dhe në nderim të familjarëve dhe të të gjithë të afërmve të tyre.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Turpi mbuloftë vrasësit e tyre!