Autostrada Elbasan-Rrogozhinë parashikon lidhjen e Papërit, Cërrikut dhe zonave përreth me aksin e ri.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka reaguar lidhur me informacionet e publikuara së fundmi për mungesën e një hyrje-daljeje në zonën e Papërit, përgjatë autostradës së re Elbasan–Rrogozhinë.
ARRSH sqaron se projekti i kësaj vepre infrastrukturore parashikon ndërtimin e një nyjeje në Papër, e cila do të mundësojë lidhjen e zonës së Papërit, Cërrikut dhe territoreve përreth me autostradën.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërtimi i kësaj nyjeje nuk është përfshirë në kontratat që janë aktualisht në proces zbatimi.
Nyja është planifikuar të realizohet në një fazë të mëtejshme, në përputhje me planifikimin dhe vijimësinë e projektit.
ARRSH thekson se “mbetet i angazhuar për informimin e vazhdueshëm dhe transparent të publikut mbi ecurinë e projekteve infrastrukturore, duke vlerësuar rëndësinë e informimit të saktë dhe të verifikuar për çështjet me interes publik”.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se “për çdo informacion të mëtejshëm lidhur me projektin dhe ecurinë e punimeve, qytetarët mund t’i drejtohen institucionit”.











