Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka paralajmëruar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se duhet të bëjë shumë kujdes dhe rregullojë raportet me ndërkombëtarët, në mënyrë që të ketë një qeveri të qëndrueshme.
Zoti Klosi ka analizuar dje gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” situatën në Kosovë dhe zgjedhjet e kësaj të diele, ku partia e drejtuar nga Kurti fitoi shumicën e mandateve në Parlament, ndërsa theksoi që kreu i LVV, i cili do të jetë edhe kryeministri i ardhshëm, sipas tij, duhet të mësojë nga gabimet e bëra gjatë 50 ditëve kur qeveris popullin dardan.
Prerë dhe qartë ish-kreu i SHISH u shpreh se ndërkombëtarët kanë impakt në Kosovë dhe në këto rrethana ai shtoi se Kurti ta harrojë arrogancën me ta. “Unë shpresoj që Albin Kurti ka nxjerrë mësime nga ato 50 ditë që ishte në krye të qeverisë së Kosovës.
Domethënë qeveria e Kurtit varet nga ndërkombëtarët. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se Kurti duhet të kuptojë se nuk duhet të sillet si pasha dhe të tregohet arrogant me ndërkombëtarët, sikundër bërë gjatë kohës që qeverisi. Pse? Sepse kuptohet që ndërkombëtarët janë të rëndësishëm në Kosovë, pasi ndihmuan në krijimin e shtetit kosovar, në njohjen e shtetit kosovar aq sa është njohur.
Kështu që kontributi i tyre dhe këshillat e ndërkombëtarëve nuk duhet të bien në vesh të shurdhët. Pra, Kurti besoj do të ketë probleme nëse do të vijojë të sillet me të njëjtën frymë, duke bërë arrogantin me ndërkombëtarët”, deklaroi ai.
Por edhe pse gjatë prononcimit të tij për gazetën “SOT”, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi u tregua i kujdesshëm që fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje ta shihte si diçka që e kërkoi populli i Kosovës.
Ai theksoi se Albin Kurti ka fituar tashmë zemrat e qytetarëve kosovarë për shkak se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në Hagë.
Në këtë kontekst, ish-kreu i SHISH shprehu bindjen se kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti fitoi zgjedhjet, pasi sipas tij, u favorizua nga arrestimi i krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
“Sa i takon rrudhjes së partive të mëdha sikundër janë PDK-ja dhe LDK-ja, mendoj se LVV korri këtë rezultat në zgjedhjet e fundit parlamentare për dy arsye të qenësishme.
Arrestimi i krerëve të UÇK-së nga Haga, sidomos presidentin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin, ka bërë që PDK-ja të tkurrej. Po ashtu, LDK-ja u dëmtua nga ikja e Vjosa Osmanit dhe nga kjo pikëpamje, Lëvizja Vetëvendosja përfitoi dhe mori nga vota nga të gjitha partitë.
Por megjithatë, dua të theksoj se Kurti e pati të lehtë fitoren për shkak se dy nga udhëheqësit e PDK-së janë në Hagë dhe nuk morën pjesë në fushatë.
Madje, dua të shtoj se thirrja e Thaçit dhe Veselit në Hagë ishte deri diku e paramenduar dhe kishte si synim që të dëmtonte PDK-në në zgjedhje. E besoj këtë teori që thirrja e arrestimi i Thaçit ishte dhe një plan për të goditur PDK-në”, u shpreh ai.
Më tej Klosi deklaroi se arsyeja kryesore që shumica e votave që shkuan për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, sipas tij, janë dëshira ulëritëse e qytetarëve kosovarë për të provuar të qeverisen nga një politikan i ri si Albin Kurti.
“Fitoren e Lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare e shoh më shumë si dëshirë të popullit për t’u qeverisur nga një ekip i ri.
Qytetarët e Kosovës dëshirojnë njerëz dhe politikanë të rinj të paprovuar, kjo edhe për shkak se ata që ishin kishin gati 20 vjet që qeverisnin dhe dominonin Kosovën.
Dhe natyrisht 20 vjet nuk janë pak, e duke parë që konfliktet që krijoheshin, paqëndrueshmërinë e qeverive, mendoj se populli vendosi që të provojë një ekip tjetër të udhëhequr nga Albin Kurti”, nënvizoi ish-kreu i SHISH,











