Deputetja Jorida Tabaku ka folur në Kuvend për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, duke u ndalur edhe tek arrestimi i bërë më herët të sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë fjalës së saj Tabaku tha se duhet të thuhet mitit që drejtësia nuk çon përpara drejtësisë ata që shkelin ligjin.
Pjesë nga fjala e Tabakut në Kuvend:
Sot përpara nesh vjen një ndryshim legjislativ për të hequr taksën që është vendosur padrejtësisht mbi hirrën e qumështit dhe besoj është një korrigjim që qeveria gaboi pak vite mëparë kur e vuri dhe nuk besoj që ka vend që të përgëzojmë qeverinë sepse një gabim të pak viteve mëparë e sjell sot për ta ndryshuar, por besoj që ka vend për të përgëzuar procesin që ndodhi në Komisionin e Ekonomisë.
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë, sidomos ata që kanë mbuluar dhe ndjekur zonat të cilat kanë fermerë, e kanë parë me seriozitet. Kanë dëgjuar grupe interesi, kanë bërë ndryshimet përkatëse dhe unë besoj që nuk ndodh shpesh kjo gjë, ndodh rrallë.
Unë do ta mbështes ndryshimin që kanë sjellur kolegët deputetë, pavarësisht që nuk është miratuar nga e gjithë opozita, por ka ardhur nga një grup kolegësh dhe shpresoj që kolegët pa pasur asnjë kompleks në rastet e tjera, kur ta gjykojnë që dhe ne themi ndonjë gjë apo amendimin me mënd të ofrojnë të njëjtën mbështetje.
Në këtë rast dua të ndaloj për të diskutuar disa probleme për sistemin fiskal që ne i kemi diskutuar gjerësisht. Në këtë Parlament shpesh kanë ardhur ligje të cilat kanë favorizuar sektorë të veçantë dhe kanë penalizuar sektorë të veçantë.
Është fatkeqësisht që në Parlamentin e Shqipërisë në mënyrë selektive janë bërë përjashtime nga taksa të cilat kanë penalizuar një masë të madhe biznesesh. Ka pothuajse 10 ligje të tilla që mund t’i marr dhe t’i diskutoj.
Ky është një fakt ndërkombëtarisht i njohur dhe një fakt që nuk i bën ndër këtij Parlamenti. Kur diskutojmë për kapje shteti, ky është problem kryesor, sepse në këtë Parlament kalojnë ligje të cilat nuk janë për të gjithë qytetarët, por janë për disa grupe të caktuara dhe ky është një shqetësim që unë besoj që duhet ta adresojmë. Kolegët socialistë nuk duhet të kenë kompleks për të mos i votuar këto ligje. Ky është një shembull!
Sigurisht që po rikuperohet sot, por dëmet që i ka shkaktuar bizneseve, selektiviteti në këtë rast, por njëkohësisht dhe mënyra sesi është prezantuar kanë pikëpytje të mëdha.
Arkitektura fiskale që unë kam folur vite me rradhë ka probleme serioze, që unë mendoj që mund të zgjidhen me një kod fiskal që vendos disa parime, ku ne të biem të gjithë dakord që këtyre parimeve universal ne të mos i lëvizim, kushdo që të qeverisi. Sigurisht politika e taksave, është politikë taksash, I takon qeverisë.
Në situatën ku ndodhemi, unë mendoj që është e mangët dhe e cunguar një ndryshim që vjen në mbështetje të një grupi të caktuar të fermerëve, por dhe disa eksportuesve ose prodhuesve a fabrikave, nëse ne nuk flasim për bujqësinë në përgjithësi.
Këtu ka probleme jashtëzakonisht të mëdha që sektori po i vuan dhe probleme të cilat sot sektori po i vuan si rezultat i politikave të qeverisë. Sektori i bujqësisë është një nga shembujt më të mirë sesi qeveria e penalizon atë.
Kam qënë në kontakt dhe me kolegë socialistë për të diskutuar, sigurisht që në këtë stinë ku fermerët mund të eksportojnë produktet e tyre, sesi kanë ndikuar përfshirja e fermerëve në skemën e TVSH-së. Sa ka ndikuar kjo në rritjen e kostove të tyre; sa kompetitiv janë ato sot në tregjet ndërkombëtare?
Janë pyetje që në fatkeqësisht nuk i diskutojmë gjerësisht në komisionet përkatëse. Këto lidhen me skemën që qeveria sot ka vendosur, penalizuese për fermerët, për sektorin e bujqësisë të cilët me shumë mund e vështirësi, me gjithë taksat e shtuara po ia dalin, por jo si rezultat i ndihmës dhe mbështetjes së qeverisë.
Dua të ndalem në zhvillimet e ditëve të fundit që lidhen me Reformën në Drejtësi dhe me arrestimin e fundit që kanë ndodhur dy ditë mëparë kur ne ziheshim me njëri tjetrin, I ish-kryetarit të bashkisë, z. Vangjush Dako.
Në vitin 2016, Parlamenti i Shqipërisë ka votuar disa ndryshime rrënjësore kushtetuese, që do te ndryshonin njëherë e mirë qasjen e gjyqësorit me politikën, me qasjen e gjyqësorit me pandëshkueshmërinë.
Nga ligjet që u propozuan në këtë sallë, PD votoi vetëm një, ligjin që lidhej me dakordësi atëhere, me krijimin e SPAK-ut, në fakt ishte si rezultat I një diskutimi të gjatë që ramë dakord të ligji të mbështeste krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duhej patjetër që të kishte mbështetjen tonë. Natyrisht që pritshmëritë janë të larta, madje mund të them jo vetëm të politikës por dhe të qytetarëve.
Në një vend ku korrupsioni nuk është më ai i banaqeve, por një sëmundje që sot po e vuajmë që të gjithë, po e vuajmë kur largohen të rinjtë, po e vuajmë këtu në politikë, në biznes dhe po e vuajmë me një sistem që është fatkeqësisht është i kalbur dhe është vështirë ta ndryshosh.
Në një vend ku qeveria është kthyer në një notere të ligjeve favorizuese dhe të ligjeve selektive, duket sikur ekzistenca e SPAK-ut është jetike.
Nuk ka politikanë që nuk ka shkuar në dyert e SPAK-ut më shumë së unë. Sigurisht jo për ato arsyje që shkojnë dhe duhet të shkojnë tjerët. Kam çuar një numër dosjesh që shpresoj të shohin dritën e diellit dhe të hetohen e investigohen.
Ne në fakt në politikë e kemi banalizuar fjalën korrupsion. I themi të gjithëve “je hajdut, je i korruptuar, ti vjedh” edhe për qytetarët kemi krijuar një imazh jo pozitiv përsa I përket rolit që ka një deputet.
Por arrestimi i ish-kryetarit të Bashkisë Durrës I bën nder SPAK-ut. Unë do të kisha preferuar që ai të arrestohej për arsyje tjera, pak rëndësi ka se për çfarë shkon përpara drejtësisë, rëndësi ka që shkon përpara drejtësisë. Unë shpresoj që krimet elektorale si dosja 339, akuzat për korrupsion, për pastrim parash dhe shumë element të tjerë të hetohen. Jo se akuzon politika, jo se vijnë këtu politikanët dhe hedhin lumë akuzash kundër njëri tjetrit, ku pas një viti i shkelin me këmbë dhe thonë nuk ishin të vërteta. Por le të hetohen nëse ka prova dhe dosje reale.
Ndërkohë dosje të tjera flenë në SPAK, dosje të cilat lidhen me koncesione, me prokurime, me hetimin e zgjedhjeve, me rindërtimin, me tërmetin dhe me shumë element që unë besoj i bëjnë nder SPAK-ut të hetohen.
Ajo çfarë nuk i bën nder SPAK-ut dhe ishte ulëritese, ishte fakti që kishte tre ditë në media dhe portale që flisnin për arrestimin që do të ndodhte pak ditë më pas. Është ulëritës fakti që lajmërohet arrestimi i Sekretares së Përgjithshme nga Kryeministri. Është ulëritës fakti që sot drejtësia e re është po aq e aksesueshme sa drejtësia e vjetër nga pikëpamja e informacionit.
Është ulëritës fakti sot që këto informacione që duhej të ishin të privilegjuara janë në domain-in e kujtdo.
Unë mendoj që kemi arritur në një moment kthese për politikën shqiptare. Ne duhet të kemi frikë nga ligji, ne duhet t’ia dimë frikën ligjit. Ne duhet të kemi konsideratë për ligjin, duhet të kemi frikë ne, duhet të ketë SPAK-u e kushdo.
Duhet të thyejmë mitin që drejtësia nuk çon përpara drejtësisë ata që e shkelin ligjin. Duhet ta thyejmë me ata që janë e që kanë qënë në pushtet, me këdo që është i korruptuar. Jo se e themi ne politikanët, por sepse provat janë atje.
Vetëm kështu mund ta kthejmë besimin tek shqiptarët, tek të rinjtë. Vetëm kështu mund të besojmë që sistemi drejtësisë sado i kalbur që mund të jetë, sado persona të ketë që nuk na pëlqejnë që mbështesin një kah politik apo një tjetër, mund të krijojë besim tëk qytetarët sepse ato ligjet që miratohen këtu kanë vlerë, që dhe ne politikanët kemi frikë nga këto ligje.
Unë dua ta mbyll me disa komente që lidhen me zhvillimet brenda forcës time politike. Është shumë e vështirë sot të bësh opozitë, është e vështirë që fjala të ketë vlerë dhe është shumë e vështirë që t’i bindësh njerëzit që e nesërmja do të jetë ndryshe.
Është e vështirë që të shkosh të flasësh me qytetarët, të flasësh me votuesit, me bizneset dhe t’i tregosh që t’i mund ta bësh më mirë. Jemi lodhur duke thënë në këtë sallë që këta e bëjnë keq. Po këtë fakt e di, e di dhe që mund të bëhet më mirë, që ne dimë ta bëjmë më mirë.
Por pavarësisht çdo gjëjë, problemeve që kemi ne, sesi i bëjmë ne mbledhjet e grupit, sesi e bëjmë në mbledhjen e Kryesisë, një gjë është e sigurtë, të paktën ne nuk po i bëjmë në burg siç po e bën maxhoranca. Dhe rreziku është që do të kenë më shumë andej sesa ktej./m.j