Nga Alfred Peza
Lufta politike mes të majtës dhe të djathtës, mes PS e partive të opozitës së bashkuar, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit, nuk përcaktohet tashmë edhe aq shumë nga përplasja direkte mes palëve në Tiranë apo mes tyre dhe ndërkombëtarëve, por nga një faktor tjetër. Fjala është për një faktor të padukshëm. Të papërfolur. Të pallogaritur e të pallogaritshëm. Një faktor qëndror, kyç e përcaktues i cili as nuk është komentuar, debatuar e analizuar deri më tani. Por, prej të cilit me sa duket, do të varet gjithmonë e më tepër, zgjidhja e hallit të madh politik që e ka zënë opozitën tonë, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të saj dhe daljes nga sistemi.
Ky faktor është edhe më madhor, se të gjitha faktorët e tjerë të llogaritur deri më sot, të mara sëbashku. E ky faktor është: KOHA! Sa më shumë orë e ditë kalojnë, sa më shumë javë e muaj do rrjedhin, aq më shumë koha do të punojë pro mazhorancës dhe kundër opozitës. Megjithëse nuk është artikuluar ky faktor përcaktues njihet, mbahet parasysh dhe llogaritet si i tillë nga të gjithë liderët kryesorë politikë të vendit. Duke qenë njerëz me shumë përvojë politike, ata e dinë më mirë se gjithë të tjerët, se në momente zhvillimesh si këto që po jetojmë, koha është aleati më i madh i njërës palë, e për rrjedhojë ai shndërrohet edhe në armikun kryesor të palës tjetër.
Më konkretisht, le të ofrojmë disa prova të thjeshta, për të kuptuar më mirë se përse koha nuk punon më për opozitën. Aq e vërtetë është kjo, sa koha është shndërruar tashmë në armikun kryesor të Bashës e Kryemadhit, duke e kaluar në plan të dytë Edi Ramën. Sot opozita e refuzon dialogun. Ndërsa PS dhe ndërkombëtarët refuzojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që do të krijonin një precedent të rrezikshëm edhe për demokracitë e tyre vetë. Në këto kushte, opozita aktuale ka kundër: Kohën e afateve Parlamentare dhe kohën e afateve elektorale.
1.- Koha e afateve Parlamentare lidhet me procedurën e zëvendësimit nga ana e KQZ të vendeve të lëna vakant nga deputetët e PD dhe LSI që “dogjën” mandatet, me emrat e kandidatëve vijues të listave zyrtare të këtyre partive. Këtë javë 4 deputetë të rinj nga listat e LSI bënë betimin si deputetë. Ndërkohë në KQZ 6 të tjerë (3 nga PD e 3 nga LSI) kanë dorëzuar formularët e dekriminalizimit, në pritje të marjes së mandatit dhe bërjes së betimit javën tjetër.
Kjo e çon në 10 numrin e deputetëve të rinj. Po tu shtosh këtyre edhe 3 deputetët që nuk i dogjën mandatet (Lefter Koka (LSI) dhe Rudina Hajdari e Myslym Murrizi (PD), atëherë numri shkon në 13. Ky numër është vetëm produkti fillestar i një procesi që do të vijojë. Këto 13 (10+3) mandate janë “prodhuar” deri tani vetëm nga 57 emrat e parë që ka lajmëruar KQZ, pasi 57 deputetët e opozitës “i dogjën” ato.
Në përfundim të këtij procesi, KQZ do të vijojë procedure e nisur me 57 emra të tjerë, nga ku mezi po presin të marin mendatet një numër edhe më i madh kandidatësh në listat vijuese. Kjo do të thotë se numri i deputetëve që do të ketë Parlamenti në përfundim të këtij procesi do të jetë shumë më i madh se ai i 92 deputetëve të konfirmuar zyrtarisht tashmë. Por, edhe nëse marim rastin ekstrem që asnjë kandidat tjetër nuk do ta pranojë mandatin që do i ofrojë KQZ në vijim, Parlamenti me 92 deputetë i ka numrat për të ndryshuar edhe Kodin Zgjedhor, për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm të përhershëm dhe për të miratuar çdo reformë e nismë tjetër ligjore e Kushtetuese.
2.- Kohën e përgatitjes për zgjedhjet lokale është përsëri në disfavor të opozitës, për një arësye të thjeshtë. Nisur nga dekreti i Presidentit Ilir Meta, se zgjedhjet lokale do të mbahen në datën 30 qershor, Lulzim Basha deri më sot është shprehur për gjithçka, përveç një moment: Nëse PD do të mari apo jo pjesë, në këto gjedhje. Po përse Basha nuk e ka refuzuar qartë, prerë dhe hapur pjesëmarrjen e PD në këto zgjedhje?
Arësyeja është e thjeshtë dhe lidhet sërisht me atë; me KOHEN. Sepse Kodi Zgjedhor aktual i ngarkon partitë politike shqiptare me detyrën e administrimit të këtij procesi. Detyra e parë që duhet të zbatojnë partitë pjesëmarrëse në të, është ngritja e KZAZ. Afati për ta realizuar këtë, është 18 marsi. Po, po. Deri në datën 18 mars 2019 (edhe 10 ditë afat) partitë politike duhet të propozojnë zyrtarisht emrat e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Në rast të kundërt, ata e humbasin shansin për të marë pjesë në këto zgjedhje.
Kjo situatë në të cilën ndodhen partitë e opozitës, të kujton vargjet e një poezie të njohur për lënien e duhanit. Ku pak a shumë thuhet se ti më lutesh që ta le duhanin. Por ditën që do lë duhanin/ do të lë edhe ty/ A ta le duanin?! Për analogji, opozita tha se populli më kërkoi që të dal nga Parlamenti. Bukur! Por, nëse nuk do të hyjë as në zgjedhjet lokale, ajo rrezikon të dali përfundimisht nga sistemi. Nëse opozita do ta lë sistemin, do të humbi edhe popullin. Hë si thoni tani: A të dali opozita nga sistemi?! Tik- tak, tik- tak, tik- tak…