Armëpushimi i ndërmjetësuar në SHBA mes Izraelit dhe Hezbollahut po jep sinjale dështimi, teksa palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij.
Të paktën 11 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të hënën si pasojë e sulmeve izraelite në dy qytezat jugore libaneze, Talousa dhe Haris, e po ashtu zona të tjera ku IDF goditi dhjetëra objektivë të Hezbollahut.
Bombardimet erdhën pak pasi Hezbollahu akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe lëshoi 2 raketa kundër pozicioneve ushtarake izraelite në atë që grupi i mbështetur prej Iranit e cilësoi sulm mbrojtës, parandalues.
Ushtria izraelite nuk raportoi viktima, por kryeministri Benjamin Netanjahu e cilësoi këtë një shkelje të rëndë të armëpushimit në fuqi prej 27 nëntorit dhe u zotua për përgjigje të fortë.
IDF pretendon se ka goditur infrastrukturë të Hezbollahut, automjete ushtarake dhe personel përgjatë dy ditëve të fundit. Edhe banorët në Bejrut thanë se kishin dëgjuar dronë të fluturonin në lartësi të ulët në orët e vona të së hënës.
Shkëmbimi i zjarrit e vë në rrezik armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA. Marrëveshja ndalon Izraelin të ndërmarrë operacione ushtarake sulmuese në Liban dhe i kërkon këtij të fundit të parandalojë grupet e armatosura, përfshirë Hezbollahun, të sulmojë Izraelin.
/a.r