Ish-Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare në Nju Meksiko. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij.
“Gjatë gjashtë dekadave të shërbimit të tij, historia mund ta kujtojë atë për arritjet e tij të jashtëzakonshme”, tha familja në një deklaratë.
Rumsfeld, një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, shërbeu si Sekretar i Mbrojtjes gjatë presidencës së George W. Bush, dhe njihet si një nga arkitektët kryesorë të luftës në Irak dhe Afganistan.
Rumsfeld mbikëqyri sulmet ndaj bazave të Al-Kaidës në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Nga intervenimi ushtarak amerikan shumë shpejt talibanët u rrëzuan nga pushteti dhe u krijua një qeveri e re e zgjedhur në mënyrë demokratike. Më 2003, forcat amerikane rrëzuan nga pushteti presidentin irakian, Saddam Hussein, por pas kësaj, nuk arritën të mbanin rendin dhe rregullin.
Më vonë, Bush e zëvendësoi Rumsfeldin pasi Shtetet e Bashkuara disi u bllokuan në luftimet në atë vend.
g.kosovari