Gjykata e Lartë nuk liroi nga qelitë e paraburgimit Emiljano Shullazin, i dyshuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda si autor i kryerjes së gjashtë veprave të rënda penale.
Një Kolegj Penal i kryesuar nga gjyqtari Shkëlzen Selimi nuk ka pranuar rekursin e bërë nga Shullazi për prishjen e vendimeve të dhëna më herët nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. I dyshuari kundërshtoi vendimet e dy shkallëve më të ulëta me pretendimin se Prokuroria nuk kishte prova për veprat për të cilat ai dyshohej.
Rekursi i bërë nga Shullazi është mbyllur në dhomën e këshillimit më 2 qershor 2016, me “mospranim rekursi” dhe çështja nuk ka kaluar në shqyrtim në seancë gjyqësore. Kjo do të thotë që i dyshuari do të vijojë të hetohet nga Krimet e Rënda i izoluar në paraburgim.
I njëjti vendim është marrë nga Gjykata e Lartë edhe për të dyshuarin si bashkëpunëtor të tij, Blerim Shullazin. Po më 2 qershor, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Guxim Zenelaj ka vendosur për mospranim të rekursit, duke lënë të pandryshuar në këtë formë masën “arrest në burg” për të. Në lidhje me të dyshuarin e tretë të kësaj dosjeje penale, Gilmando Dani, ende nuk ka një vendim nga Gjykata e Lartë.
Rekursi i depozituar prej tij për t’u liruar nga izolimi është në fazën e studimit në dhomën e këshillimit. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, tre të dyshuarit janë përfshirë në katër raste gjobëvënieje, përvetësim pasurie përmes dhunës ndaj zyrtarëve, presionit dhe kërcënimeve, si dhe kanosje për shkak të detyrës ndaj dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.
REKURSI
Rekursi i të dyshuarve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani e Blerim Shullazi u depozitua më 18 maj në Gjykatën e Lartë. Sipas rekursit, vendimmarrja e Apelit për Krimet e Rënda për të lënë në fuqi masat “arrest në burg” të caktuara nga Shkalla e Parë ishin dhënë në kundërshtim me ligjin dhe Kodin e Procedurës Penale.
Në rekurs mbrojtësit e të dyshuarve pretendonin se Prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të krijuar një dyshim të arsyeshëm, se klientët e tyre kanë konsumuar veprat penale për të cilat dyshohen. Sipas avokatëve, ndaj klientëve të tyre ka pasur vetëm informacione në rrugë operative dhe asnjë kallëzim apo deklarim nga persona të pretenduar nga Prokuroria, që ata t’u kenë vënë gjobë.
Duke iu referuar vendimit të Apelit, avokatët pretendojnë se Prokuroria provon bashkëpunimin mes të dyshuarve, vetëm me faktin se ata kanë drekuar disa herë bashkë.
PROVAT
Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se ka administruar disa prova, mes të cilave edhe përgjime, që provojnë përfshirjen e tre të dyshuarve në veprimtari kriminale. Në shqyrtimin e masës së sigurisë në Apelin e Krimeve të Rënda, organi i akuzës paraqiti një kallëzim të depozituar nga një grua, sipas së cilës Emiljano Shullazi i ka rrëmbyer një pronë me vlerë 950 mijë euro pranë Zogut të Zi në Tiranë.
Po ashtu, Prokuroria ka servirur edhe disa përgjime telefonike të kryera ndaj të dyshuarit Gilmando Dani, që sipas Prokurorisë provojnë përfshirjen e tij në veprime të paligjshme.Panorama/ a.k