• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, June 12, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Arben Puto dhe Luan Omari, kolosë të doktrinës juridike shqiptare

by Ksenofon Krisafi
09/06/2025 12:43
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ksenofon Krisafi

Më 3 qershor 2025, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, përkujtoi veprën madhore të plejadës së ndritur të intelektualëve që vunë themelet e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Përkujtimi u bë në Forumin shkencore me temën: “Themeluesit e arsimit te larte dhe shkences ne Shqiperi”. Disa nga anëtarët e Akademisë, nëpërmjet referimeve të spikatura, sollën kontributet dhe evokuan vlerat dhe meritat per secilin prej themeluesve, në fushat përkatëse të shkencës,  arsimit, kulturës, artit etj. Në vijim po botojmë njëren prej tyre, me autor Ksenofon Krisafin, anëtar dhe ish president i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave, kushtuar kontributit te profesorëve Arben Puto dhe Luan Omari, për themelimin e arsimit të lartë dhe të shkencës juridike shqiptare.

***

Në Shqipëri panteoni i lavdisë së profesoratit që hodhi themelet e studimeve dhe formoi doktrinën e së drejtës shqiptare, që për më shumë se gjysmë shekulli, përgatiti breza juristësh, përbëhet nga një numër intelektualësh dhe specialistësh që kanë lënë pas emrin e tyre të madh. Ata janë shumë, secili me vlerat dhe meritat e pamohueshme. Duke u ndalur vetëm te brezat më të vjetër, përmendim profesorët e mrekullueshëm Andrea Nathanaili, Kristo Çevi, Vangjel Meksi, Arben Puto, Luan Omari, Ismet Elezi, Grigor Gjika, Alqiviadh Lamani, Niazi Jaho, Paskal Haxhi, Skënder Begeja, Ksanthipi Begeja, Zija Xholi, Andon Sallabanda, Feti Gjilani, Zejnullah Ballanca, Nazmi Peza, Dhimo Dhima, Aleks Luarasi, Kleanth Koçi, Stavri Çeço, Nazmi Biçoku, Nonda Papuli, Koço Nova, Gramos Hysi, Pirro Vito, Pirro Papalilo, Kudret Çela etj. Pjesë e tyre ishin edhe pedagogët që vinin nga Fakulteti i Mjekësisë, Bashkim Çuberi, Spiro Çipi, Ulvi Vehbiu etj, që jepnin mjekësinë ligjore dhe psihiatrinë gjqësore.

Në fushën e së drejtës vendi ynë pati një trashëgimi të lakmueshme vlerash edhe nga e kaluara, ku spikatin  emrat e Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Vaso Pashës, Jani Vretos, Sami Frashërit, Zef Jubanit, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Petro Pogës, Hoxha Kadriut, Stavro Vinjaut, Kristo Floqit, Emid Tedeschinit, Medi Frashërit, Myfit Libohovës, Hoxha Kadriu, Kristo Floqit, Sulejman Delvinës, Nikolla Moles, Baltazar Benusit, Niko Cicos, Emin Toro, Salih Toro, Terenc Toçit, Mehmed Karagjozit, Andrea Saatçi, Agjah Libohovës, Martin Ivanaj, Muzafer Pipës, Veiz Jahos, Abdyl Kuçit, Thoma Orollogait, Neki Delvinës, Bahri Omarit, Hasan Dostit, Mihal Zallarit, etj.

***

Kam privilegjin t’i përkas brezit që njohuritë e para në profesionin e juristit, i mori nga disa prej profesorëve të brezit të parë e të dytë. Ishte bekim që fati më bashkoi me ta jo vetëm si pedagog-student, por edhe si koleg, duke më dhënë mundësinë për t’i parë si idhuj dhe për t’u përpjekur t’iu afrohesha si një prej dishepujve të tyre.

Nëse dikush nga gjenerata jonë pati një rrugëtim të suksesshëm në jetën profesionale, pjesë e tij janë edhe kjo plejadë e shkëlqyer profesorësh të mrekullueshëm të ish-Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike, për të cilët respekti dhe mirënjohja janë të pafundme.

***

Në vijim do të flas për profesorët Arben Puto dhe Luan Omari, universi njerëzor i të cilëve, është kompleks, befasues, mahnitës. Jeta dhe veprimtaria e tyre shumëdimensionale, me përngjasime jo të pakta, përbëhet nga episode të shumta, një pjesë gati të pabesueshëm.

Miqësinë e fëmijërisë e vazhduan në kohën e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, ku morën pjesë aktivisht. Mbetën miq edhe pas saj, gjatë gjithë kohës.

Talenti dhe personaliteti, i dëshmuar në mësimdhënie, në veprimtarinë akademike, shkencore, sociale, etj, i bëri dy emra simbol, të njohur dhe të respektuar, brenda dhe jashtë vendit, të lauruar me tituj, grada e vlerësime të larta honorifike. Ishin ndër themeluesit e shkollës shqiptare të së drejtës. Me punën, pasionin, përkushtimin, aftësitë dhe dijen e gjithanshme, hodhën bazat e studimeve dhe të doktrinës juridike shqiptare.

Ishin shumë njerëzorë. Për cilindo, koleg, student apo njeri të zakonshëm, dhuronin respekt, miqësi e dashamirësi. Rezatonin dashuri e përkushtim për vendin, principialitet dhe seriozitet. Studentët që kanë pasur rastin të ishin pjesë e auditoreve ku kanë ligjëruar ata, kanë vlerësuar arritjet në doktrinën e së drejtës, qasjen në mësimdhënie dhe aftësitë e veçanta për të transmetuar njohuritë dhe ekspertizën e lartë profesionale.

Një faqe e ndritur e veprimtarisë së tyre janë ligjërimet disavjeçare në Universitetin e Prishtinës në vitet ’70 shekullit të kaluar, ku, së bashku edhe me kolegë të tjerë, gjithashtu personalitete të shquara të kulturës, arsimit, artit, shkencës etj, kontribuan në rizgjimin dhe konsolidimin e ndjenjës kombëtare te studentët dhe njerëzit e zakonshëm të Kosovës. Ishin ndër protagonistët e fillimit të bashkëpunimit akadmik me Kosovën. Për vite të tëra, mbajtën në Prishtinë module ose kurse të plota leksionesh në fushën e së drejtës etj. Veprimtaria e tyre ishte pjesë e kontributit të Shqipërisë në përgatitjen e terrenit të ngjarjeve madhore që do të sillnin çlirimin e Kosovës, 10 qershorin e 1999 dhe pavarësinë, 17 shkurtin e 2008.

Të dy ishin anëtarë të Akademisë së Shkencave.

Ndiqnin me vëmendje zhvillimet politike, ekonomike, sociale e kulturore në vend dhe me gjerë. Kur ra sistemi komunist dhe vendi u përfshi në proceset e rëndësishme demokratike ata, gati në sinkron, u bënë pjesë aktive e tyre dhe kontribuan jo vetëm me përkrahjen entusiaste, por edhe me gjithëçka të mundshme.

Punuan së bashku për themelimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilin profesor Puto e drejtoi për disa vjet.

***

Prof. Arben Puto, shkencëtari i madh, specialisti më i mirë i së drejtës ndërkombëtare dhe një ndër studiuesit më autoritarë të historisë diplomatike të çështjes shqiptare, vinte nga një “derë e madhe”, gjirokastrite. I ati, Qazim Puto, ishte nxënës i Sulejman Delvinës dhe i Bajo Topullit, anëtar i “Çetës së studentëve” të Dervish Himës, ithtar i Fan Nolit, pjesëmarrës i revolucionit të qershorit 1924-ës, sekretar i prefekturës së Gjirokastrës.

I lindur në Gjirokastër, në vitin 1924, ndoqi Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe liceun “Châteaubriant” në Romë.

Ishte nxënës i Enver Hoxhës në liceun e Korçës dhe student në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin shtetëror të Moskës. Pati si profesor dhe udhëheqës të temës së diplomës, Fyodor Ivanovich Kozhevnikov, një nga më të mëdhenjtë në fushën e së drejtës ndërkombëtare, anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe i Komisionit të së drejtës ndërkombëtare të OKB etj. Tema e diplomës së tij meritoi vlerësimin “shkëlqyeshëm”.

Punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Është një ndër studjuesit më të mirë të çështjes shqiptare. Ka trajtuar tema të rëndësishme, si shfaqjen e çështjes shqiptare në Kongresin e Berlinit, zhvillimet politike në Shqipëri prej vitit 1878 deri në vitin 1939, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, 1912-1913, Konferenca e Paqës e Versajës, 1919-1920, pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe në OKB, caktimi i kufijve shqiptarë, njohja e shtetit dhe e qeverive shqiptare, Lufta italo-greke, Konferenca  e  Paqes  e  Parisit,  1946  etj. Librat e tij përfaqësojnë vepra me rëndësi madhore për të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, evolucionin e politikës së jashtme të Shqipërisë, marrëveshjet dy e shumëpalëshe, zhvillimet dhe sfidat e Shqipërisë në sferat politike, ekonomike, diplomatike, sociale, kulturore etj.

Ai ka qenë pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë në negociata të rëndësishme diplomatike me delegacione të huaja. Në disa prej tyre kam pasur rastin të isha në krah të tij. Ndër më të veçantat, ishin negociatat me britanikët për kthimin në Shqipëri të rreth 1574 kg ar, ish rezerva e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ku profesori u shfaq si një ndër negociatorët më elegantë dhe më profesionistë të të dyja palëve. Është laureat i Çmimit të Republikës të shkallës së parë etj.

Në korpusin voluminoz të krijimtarisë së botuar të prof. Putos, një vend të rëndësishëm zë “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914”. Është një libër i cili iu evokon shqiptarëve të vërtetat e mëdha të vlerave dhe të aftësive të tyre, shpesh të nëpërkëmbura, të mohuara dhe të sulmuara. Është modeli i shkëlqyer i një studimi të guximshëm jo konformist, që dëshmon profesionalizëm të admirueshëm, që i qëndron larg miklimeve ose kërcënimeve të politikës apo të qarqeve pseudoshkencore që duan të krijojnë histori të paqena dhe të ngrenë nga hiçi personazhe fantomatike. Eshtë një prej botimeve, por jo i vetmi. Ai plotësohet edhe me rreth 15 botime të tjera fondamentale, po ashtu shumë cilësore.

Përmbajtja e thellë e leksioneve, zotërimi në perfeksion i tematikës së tyre, stili i ligjërimit, begatia e pakufishme e të shprehurit, metodologjia e përdorur etj, e kishin bërë atë një ndër profesorët më të pëlqyer. Oratoria dhe elokuenca e tij në dhënien e leksioneve dhe në konferenca shkencore u dëgjua dhe u vlerësua edhe në universitete të huaja si në Sorbonë, Gjenevë, Romë, Bari, Londër, Athinë, Selanik, Stamboll, Prishtinë, Shkup, Vjenë, Bruksel, Berlin etj.

***

Profesor Luan Omarin, kam patur rastin ta njihja në vjeshtën e vitit 1965, në një nga auditoret e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të ish Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ishte dita e parë e fillimit të studimeve universitare. Përballë meje dhe shokëve të mi studentë, doli një burrë i pashëm, rreth të 40-ave. Ishte dekani, prof. Luani. Me një mirësi të dukshme, përzier me buzëqeshje gjithë sinqeritet, që dominonte krejt fytyrën e tij tepër paqësore, nisi të mbante fjalën e mirëseardhjes dhe inagurimit të vitit akademik. Që në fjalët e para i hoqi mjedisit tisin zyrtar, e relaksoi dhe e çliroi nga distancimi auditor-profesor. Foli bukur dhe na pëlqeu.

I tillë ishte dhe vazhdon të jetë profesori ynë i dashur, i cili gjithashtu vjen nga një familje e  dëgjuar gjirokastrite. I ati, Bahri Omari, patriot dhe intelektual me kapacitete të sprovuara, njohës i historisë, i së drejtës kushtetuese dhe administrative, zotërues i disa gjuhëve të huaja, përballoi angazhime delikate e të vështira si nëpunës administrate, nënprefekt në Himarë, luftëtar kundër andartëve “vorio-epirotë”, drejtues i “Diellit”, deputet në parlamentin shqiptar, përkrah Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Sulejman Delvinës, Stavro Vinjaut etj. Rënia e qeverisë së qershorit 1924, e detyroi të mërgonte në Bari, për t’u rikthyer, kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi. Gjatë pushtimit italian, nuk u implikua me qeverinë kuislinge. Por me pushtimin gjerman, me sa duket, falë miqësive dhe respektit për figura veterane të nacionalizmit shqiptar, si Mithat Frashëri, pranoi të bënte pjesë në qeverinë kuislinge të instaluar prej tyre. Ka të ngjarë që, si disa të tjerë, besonte që Aleatët anglo-amerikanë, në përpjekje për të ndalur ardhjen e komunistëve në pushtet, do mbyllnin sytë ndaj kolaboracionistëve liberalo-demokratë dhe, i lutur prej tyre, pranoi. Orientimi i tij politik i papërshtatshëm i asaj kohe, pati ndëshkim ekstrem.

Profesor Omari, në përfundim të studimeve të larta në Beograd dhe në Sofje, nisi veprimtarinë profesionale. Viti 1954 e gjeti drejtues të Institutit të Lartë Juridik. Pas krijimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1957, kur Instituti u bë pjesë e tij me emrin Fakulteti i Drejtësisë, ishte dekan i Fakultetit deri në 1974.

Ai është një figurë emblematike në fushën e së drejtës në Shqipëri, por, sidomos të drejtës publike dhe të drejtës kushtetuese. Ka një karrierë të gjatë dhe mjaft të suksesshme si profesor dhe studiues, me arritje të shumta dhe të rëndësishme në zhvillimin e saj.

Është shembulli më i spikatur i bashkimit në një, të edukimit solid, kulturës së gjithanshme, profesionalizmit të lartë, emancipimit qytetar, karakterit të fortë, përkushtimit dhe punës së pareshtur etj.

Ka privilegjin të jetë ndër të vetmit, në mos i vetmi, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave, që jeton. Është shquar për përpjekjet që ka bërë për ngritjen e saj dhe ideimin e rrugës që do të përshkonte.

Për vlerat e spikatura intelektuale, shkencore dhe kulturore, u zgjodh sekretar i përgjithshëm që në kohën e themelimit, në vitin 1972, duke u bërë pjesë e kupolës drejtuese, bashkë me profesorët Aleks Buda dhe Kol Popa, që ishin përkatësisht, kryetar dhe nënkryetar. Të tre, sikurse shumica e anëtarëve të Akademisë, kishin kryer studimet universitare jashtë vendit, me rezultate të shkëlqyera.

Si Sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave, prof. Omari, ka luajtur një rol të pamohueshëm në promovimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Ai ka qenë edhe përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin “Drejtësia përmes ligjit”, që mban emrin e një prej drejtuesve të tij, La Pergola. Ishte organ konsultativ i Këshillit të Europës. Profesori u dallua për pjesëmarrjen aktive dhe për meritat e veçanta në zhvillimin e së drejtës evropiane dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane.

Luan Omari është autor i shumë publikimeve shkencore, të cilët janë vënë në dispozicion të studentëve, studiuesve dhe specialistëve të drejtësisë, si dhe kanë plotësuar në mënyrë të qenësishme bibliotekën e literaturës juridike. Është i njohur për angazhimin në promovimin e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut dhe ka qenë një zë i respektuar në debatin publik mbi çështjet kushtetuese dhe administrative në Shqipëri. Midis publikimeve të tij shkencore janë vlerësuar sidomos botimet Revolucioni popullor në Shqipëri dhe pushteti politik, Histori e Shqipërisë (bashkautor), Parime dhe institucione të së drejtës publike, Histori e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri (bashkautor), Sistemi parlamentar, Shteti i së drejtës, Çështja e pakicave kombëtare dhe Shqipëria, Për  Kosovën e djeshme dhe të sotme, Çështje juridike e shoqërore, Storia religiosa dell’islam nei Balcani etj. Në tërësi ato përfaqësojnë veprën më të plotë në literaturën juridike shqiptare, të trajtuar në planin historik dhe krahasues dhe që karakterizohet nga vlera të shumta teoriko-juridike.

***

Kjo veprimtari, në të cilën Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, po përkujton me solemnitetin dhe seriozitetin e merituar themeluesit e arsimit të lartë dhe të shkencës, është jo vetëm respekt dhe sublimim i vlerave të tyre të pamohueshme, por edhe shprehje e dashurisë së shqiptarëve për shkollën, dijen, shkencën, atdheun dhe të ardhmen, është gjithashtu kujtesë për autoritetet kompetente për të treguar më shumë vëmendje ndaj këtij thesari të madh intelektual, shkencor, kulturor që do t’a kishte zili çdo vend.

Profesorët e ndritur Puto dhe Omari, sikurse edhe të tjerë, do të kujtohen nga gjithkush si personalitete të papërsëritshëm, që kanë punuar me përkushtim. Është rasti që organet e pushtetit qendror e vendor, të mendojnë për të përjetësuar jetën dhe veprën e tyre. Do të ishte privilegj për çdo institucion, institut, universitet, shkollë, bibliotekë, bulevard etj, që të mbante emrat e tyre. Është detyrimi minimal ndaj tyre.

Next Post
Mbreti i Panairit

Krrak

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Rrëzimi i avionit, reagon kryeministri i Indisë: E pamundur të përshkruhet dhimbja! Raportime për mbi 130 viktima

Rrëzimi i avionit, reagon kryeministri i Indisë: E pamundur të përshkruhet dhimbja! Raportime për mbi 130 viktima

June 12, 2025
Çështja e Parkut Kombëtar të Butrintit/Auron Tare: Ju tregoj se kush është drejtuesi i Fondacionit që do ta menaxhojë! Po çfarë po ndodh?

Rio, bariu nga India dhe një kulture që po shuhet

June 12, 2025
Rikonstruktimi i rrugës Tiranë-Ndroq, Rama: Realizohen 38% e punimeve

Rikonstruktimi i rrugës Tiranë-Ndroq, Rama: Realizohen 38% e punimeve

June 12, 2025
Çfarë dihet deri më tani mbi tragjedinë ajrore në Indi, reagon “Boeing”

Çfarë dihet deri më tani mbi tragjedinë ajrore në Indi, reagon “Boeing”

June 12, 2025
Erion Veliaj uron 34-vjetorin e Partisë Socialiste: PS, forca e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë

Erion Veliaj uron 34-vjetorin e Partisë Socialiste: PS, forca e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë

June 12, 2025
“FSHF është zaptuar nga amatorët, cikli i Dukës ka mbaruar”, Rudi Vata flet për Kombëtaren: Sylvinho s’është më i njëjti, ‘u thith’ nga gropa

“FSHF është zaptuar nga amatorët, cikli i Dukës ka mbaruar”, Rudi Vata flet për Kombëtaren: Sylvinho s’është më i njëjti, ‘u thith’ nga gropa

June 12, 2025
Sherr mes tre personash në Patos, babë e bir dhunojnë me grushte 60-vjeçarin, njëri prej tyre goditet me kaçavidë

Sherr mes tre personash në Patos, babë e bir dhunojnë me grushte 60-vjeçarin, njëri prej tyre goditet me kaçavidë

June 12, 2025
Kush e donte të vdekur Fatos Cenajn? 58-vjeçari ka punuar si gardian në paraburgimin e Beratit! U largua në Itali pasi e hoqën nga puna

Kush e donte të vdekur Fatos Cenajn? 58-vjeçari ka punuar si gardian në paraburgimin e Beratit! U largua në Itali pasi e hoqën nga puna

June 12, 2025
“Partizani” më 30 qershor në GJKKO, Berisha: Nuk kemi ende në dorë vendimin për kalimin e çështjes në gjykim

“Partizani” më 30 qershor në GJKKO, Berisha: Nuk kemi ende në dorë vendimin për kalimin e çështjes në gjykim

June 12, 2025
Kërkon 9.2 mln euro për votën e diasporës, KQZ i refuzon pagesat DHL-së: Paguajmë vetëm zarfet për të cilat ka firma

Kërkon 9.2 mln euro për votën e diasporës, KQZ i refuzon pagesat DHL-së: Paguajmë vetëm zarfet për të cilat ka firma

June 12, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com