Vendim befasues ai i Apelit për Krimet e Rënda, marrë mesditën e sotme. Banda e njohur “Hakmarrja për Drejtësi” është shpallur sot e pafajshme, ndryshe nga gjithë vendimet e shkallëve të tjera të gjykimit. Në mars të 2016 Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen ‘Hakmarrja për Drejtësi’, duke ia kaluar atë për gjykim Apelit të Krimeve të Rënda.
Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por ajo ishte krijuar afro një dakadë e gjysmë më parë në 1994 në qytetin e Durrësit.Qëllimi i krijimit të një organizate të tillë ishte destabiliteti i vendit. Dy themeluesit e saj janë vëllezërit Leart Shyti dhe Orik Shyti. Ndërsa si anëtarë të saj janë: Altin Arapi, Pasho Novruzi, Dritan Hate, Gëzim Gjoni, Gentian Haka, Nikolin Novruzi, Roland Shyti, Kreshnik Spahiu dhe Altin Arapi. Tre të fundit janë të pandehurit, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë.
Seanca e parë
Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të pjesëtarëve të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” filloi në 24 dhjetor 1998. Dhjetë të pandehurit u larguan jashtë shtetit që nga dita që ata u arratisën nga burgjet në vitin 1997.
Akuzat e ngritura ndaj kësaj organizate lidhen me ngjarje të rënda si vendosja e bombës tek supermarketi i VEFA pranë 9-katësheve, vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vjedhje të bankave dhe arkave të shtetit, rrëmbim dhe disa vrasje e tentativa vrasjesh të tjera. Gjykatat shqiptare i kanë dënuar shtetasit Altin Arapi dhe Orik Shyti me burgim të përjetshëm, në kuadër të dosjes “Hakmarrja për drejtësi”, ndërkohë që për Gentian Cakën është vendosur 25 vjet burg, ndonëse prokuroria kishte kërkuar burg përjetë. Po kështu, janë dënuar me 24 vjet Leart Shyti dhe me 25 vjet burg Roland Shyti. Ata kanë pretenduar për shkelje procedurale në dosje dhe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
17 KRIMET E “HAKMARRJES PËR DREJTËSI”
29.01.1993 – Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë
13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë “IAP”, ku vidhen rreth 53 mijë dollarë
15.12.1993 – Vritet tek “21 dhjetori” Sami Jata dhe nuk mund t’i vidhen lekët që transportonte
11.08.1994 – Shoqëria “Shkumbin Petrol” grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milion lek të reja
12.10.1994 – Grabitet shoqëria “IAP”, merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi
13.12.1994 – Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të “Gjallicës”. Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milion lekë.
14.01.1995 – Grabitet argjendaria “Agron”, në vlerën 576.377 lekë të reja
20.01.1995 – Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milion lekë
21.01.1995 – Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore “INSIG”, ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie
03.03.1995 – Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë “Butongas”, ku i vidhen rreth 430 mijë lek të reja
12.04.1995 – Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e “VEFA”-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milion e 500 mijë lekë i grabiten
15.06.1995 – Grabitet fabrika e sfungjerit “Albafon” në Laprak ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja
31.10.1995 – Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marr lekët e kërkuar
12.01.1996 – Grabitet filiali i shoqërisë “VEFA” në Vlorë, merren 145 mijë dollarë
18.04.1996 – Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milion lekë të reja
26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë “VEFA” në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 – Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij
ma.me