Nga Bajram Peçi
Është një emër i madh i kinematografisë amerikane dhe një mbështetës i spikatur i Donald Trump. I ftuar për një bisedë me gazetarin Tucker Carlson dhe profesorin Peter Kaznik, Oliver Stone, pa asnjë ngurrim, shfry para disa ditësh urrejtjen kundër shqiptarëve, duke e cilësuar Kosovën si një shtet gangster. Më tej, ai shprehu revoltën e tij ndaj bombardimeve të NATO-s “të një kryeqyteti europian”-Beogradit, ku natyrshëm SHBA luajti rolin përcaktues në mbrojtje të një populli vënë në prag të shfarrosjes.
Të cilësosh filorus ose filoserb për ne shqiptarët është e njëjta gjë. I tillë u duk të jetë ai nëpërmjet kësaj interviste, por paksa më i egër në përdorimin e një fjalori, që dhe vetë serbët mendohen për një hop para se të çfryhen. Është e drejta e regjizorit të njohur të jetë i njëanshëm, t’i kuptojë njëanshmërisht, të urrejë pa shkak dhe të bëjë budallain në njohjen e realitetit të rajonit!
Mirë që për genocidin e ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët e Kosovës, me synim shfarrosjen si komb, nuk di gjë, po si është e mundur që ky njeri nuk dikërka gjë për luftën në Jugosllavi, për atë tmerr që Serbia e serbët u shtinë përmes armëve popujve të tjerë, kroatë, boshnjakë e sllovenë, kur lajmet që vinin prej tyre ishin kryetituj gazetash dhe lufta cilësohej si më shtazarakja, pas Luftës së Dytë Botërore?
Ka pak gjasa që zotëria e tij t’i përgjigjet një ftese për ta çuar në ndonjë nga zonat ku shtazëria serbe u shfaq dhe veproi tërbimshëm me masakra, si në Krushë të madhe e Krushë të Vogël, në Reçak, në Rezallaj e Prekaz të Skënderaj, në Drenicë e Gjakovë, etj., ku krimet e pasojat janë ende të gjalla në memorien e popullit!
Sipas raporteve të realizuara nga organizata Human Rights Watch, më shumë se 13.500 shqiptarë, fëmijë, gra e pleq u vranë, mbi 1500 të tjerë nuk u gjenden trupat, mijëra gra të përdhunuara. Në fshatrat e Kosovës u kryen nga forcat ushtarake, ato policore e paramilitarët serbë mbi 400 masakra.
Kur në verë të vitit 1998 vihej në zbatim operacioni kriminal serb, “Patkoi”, në të cilin me qindra e mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Stone bënte një film për betejat e një ekipi futbolli amerikan, pra merrej me sportin amerikan dhe nuk dëgjonte gjë për sportin serb të vrasjeve në masë të shqiptarëve.
Po në vitin 1999, kur genocidi ndaj shqiptarve të Kosovës ushtrohej aq hapur sa tmerroi botën e qytetëruar, ku ndodhej? Në këtë kohë regjizori, mik i serbëve, po rishikonte mundësinë e përshtatjes së disa skenave me ngjyra homoseksuale te dokumentari “Aleksandri i Madh i Maqedonisë”, që u shkonin përshtat shijeve të sërës se tij. U rregulluan sekuenca që të bindnin shikuesit se luftëtarët e lashtësisë maqedonase u ngjanin nga pasionet meshkujve të skenave dhe kinematografisë amerikane. Kjo, në mënyrë të pakuptimtë, i zemëroi grekët, që siç dihet, ndërsa gjithë bota e quan Aleksandri i Madh i Maqedonisë, këta e shkruajnë të “birësuarin” vetëm Aleksandri i Madh!
Po kështu, hirësia e tij artistike nuk ka patur mundësi të njihej me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që bën përgjegjëse si ushtrinë federale të Jugosllavisë ashtu dhe ushtrinë serbe, që sulmuan, dogjën e rrënuan fshatrat me shumicë shqiptare prej 24 marsit 1999. Shqiptarët u vranë, u dhunuan, u vodhën, u përdhunuan dhe u dëbuan me forcë drejt Shqipërisë ose Maqedonisë.
Brenda çdo shoqërie ka individë që mashtrohen nga të tjerë rreth tyre; ka prej tyre që nuk besojnë në vetvete dhe jo rrallë ndeshen prej tyre të tillë që mashtrojnë vetveten. Rastet kur mashtron vetveten ilustrohen më së miri me sjelljen e Oliver Stone në intervistën që përmendëm. Mashtron vetveten, por jo, kurrë opinionin publik botëror!
Po ne shqiptarët, çfarë bëmë pas kësaj interviste? Asgjë, pothuajse asgjë! E lexuam dhe kaq! Nuk di të ketë asnjë reagim nga dy shtetet shqiptare, nga dy akademitë shqiptare, nga personalitete, politikanë apo opinionistë. Kemi patur me tepri nga ata shqiptarë që paguajnë për të dalë në foto me ndonjë kongresmen amerikan. Nuk doli kush të paguante ndonjë gazetë për botimin e ndonjë artikulli që t’i thoshte këtij Oliverit: tërhiq fyerjet e broçkullitjen publike kundër shqiptarëve.
Do ndjehesha shumë i çuditur nëse ndonjë “trim” shqiptar prej New Yorkut City, New Jersey-it, Detroitit, Bostonit, Clevlandit, Chicagos, ku më së shumti banojnë emigrantë shqiptarë, do shkonte ta takonte e t’i bënte ndonjë pyetje:
-A mos vallë keni qënë nën efektin e drogës në ato momente të intervistimit, nën efektin e të cilës keni qenë me vite dhe përmes saj keni helmuar edhe të tjerë?
-Vazhdoni ju Oliver Stone të ushqeni simpati të thellë për Putin, si atëhere kur e cilësuat atë gjatë një konferencë shtypi në Tokio si një hero? Ju e vlerësuat presidentin rus, Vladimir Putin, si hero, duke ju kundërvënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për akuzat ndaj Snowden-it, që dekonspiroi programe shtetërore sekrete.
Si është e mundur që nuk doli dikush nga administrata e lartë në Kosovë apo Shqipëri për të patur guximin ta shihte në sy opinionin e të bënte deklaratë publike për dënuar urrejtjen pa shkak ndaj shqiptarëve e Republikës së Kosovës? Ka dhjetra prej tyre që llomotisin gjithë ditën pa qenë nevoja t’i pyesësh, por kur duhet folur nuk ndihen, i mbyt mefshtësia e plogështia, nëmos druajtja se i dëgjon Trump. Të vjen turp prej tyre!
“Ngrehuni nga gjumi i thellë që ju ka pllakosur!-Ke te drejté më thoshin ata, duhet të sqohemi, dhe ktheheshin nga tjetra anë dhe mbuloheshin me dy jorganë”-shkruante në kohën e vet Fan Noli për mefshtësinë tonë.