Nga Ylli Pata
Sulmi që Sali Berisha, Ilir Meta dhe pak qarqe pranë tij kanë nisur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë një përpjekje që nuk ka nisur sot, por që prej vitit 2013, kur PD humbi zgjedhjet parlamentare.
Në të gjithë këtë kohë, kanë tentuar të ngjizin një frymë politike për ta kthyer në kauzë, interesin e tyre krejt personal për tu mbrojtur nga një implikim me drejtësinë, por realisht në shoqërinë shqiptare nuk ka ngjitur dhe është krijuar një frymë.
Kjo është shumë e qartë dhe ka shumë arsye që pamundësijnë krijimin e një klime apo fryme, aq më shumë një “parti” anti-amerikane në Shqipëri.
Shqipëria nuk është as ndonjë prej vendeve arabe, ku ngjit propaganda e fanatikëve islamikë dhe qarqeve pro ruse për ta identifikuar SHBA si e afërt me Izraelin.
Shqipëria nuk është as si vendet e banuara me serbë: Serbia vetë, Bosnja apo edhe Mali i Zi, ku një pjesë popullsie e identifikon Amerikën e NATO-n si vendi që bombardoi Serbinë, por edhe kundërshtarja më e fortë e “shtetit-nënë”, që ata konsiderojnë Rusinë, e cila ka krijuar që në vitin 1878 vendet sllave të Ballkanit.
Shqipëria, është njohur ndërkombëtarisht si shtet nga Lidhja e Kombeve në vitin 1919 me insistimin e Presidentit Amerikan Wilson, por edhe me frymën që u krijua në SHBA nga media prestigjoze dhe diplomacia amerikane.
Në vitin 1999, ishte SHBA që projektoi, përgatiti, zbatoi dhe udhëhoqi çlirimin e Kosovës nga Serbia, e më pas pavarësinë politike të saj. Është SHBA që ka udhëhequr pas vitit 1990 procesin e shndërrimit të SHqipërisë nga një shtet i izoluar dhe i dëremuar politikisht e ekonomikisht në një aktor politik me peshën që i takon në Ballkan.
Në vitin 1995 ishte SHBA që nuk toleroi rrëzimin e demokracisë në vend dhe kthimin e Shqipërisë në një qoshe autoritariste që mund të katandisej si republikat ish-sovjetike që përmend shpesh Ilir Meta.
Në vitin 1997, Bill Clinton dhe Kryeministri Italian Romano Prodi, inicuan krijimin e grupit “Miqtë e Shqipërisë”, në mënyrë që ta integronin vendin në një rrugë që e çonte drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian.
Në 2003, Presidenti George W Bush krijoi “Kartën e Adriatikut”, ku merrnin pjesë SHBA, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia.
SHBA mori përsipër iniciativën politike që këto shtete të hynin në NATO së bashku. Themelimi i kësaj karte u vendos në Tiranë, gjatë vizitës së vitit 2003 të Sekretarit Amerikan të Shtetit Colin Powell.
Pas këtij momentum shumë të rëndësishëm politik, SHBA u investua për konsolidimin e një shteti ligjor dhe politike demokratike perëndimore në Shqipëri, me institucione të konsoliduara dhe rrotacion pushteti me zgjedhje të pranuara nga të dyja palët.
Rikthimi i Sali Berishës në vitin 2005, ndodhi edhe për arsye se SHBA, (që e kishte vendosur në listë të zezë realisht që në vitin 1997 dhe më pas konsoliduar në vitin 1998 me grushtin e shtetit ndaj qeverisë legjitime të Fatos Nanos), i dha një shans të ri si Berishës, por edhe Partisë Demokratike.
Ndaj qeverisjen e dytë të tij SHBA e mbështeti fort, sidomos gjatë mandatit të parë kur në Tiranë u zhvillua edhe samiti i ministrave të Mbrojtjes së Europës Juglindore, e këtu mbërriti Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.
SHBA mbështeti financiarisht programin e transparencës në financat e shtetit, çka ishte edhe një mekanizëm antikorrupsion. Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Qendra Kombëtare e Liçensave janë mbështetur nga Programi i Mijëvjeçarit me paratë e taksapaguesve amerikanë.
Po ashtu edhe programet e transparencës dhe digjitalizimit në tatime.
Por kur Sali Berisha nisi që të sulmojë institucionet për interesat e tij, të familjes së tij, por edhe të aleatëve të tij, siç thotë shlresa e Departamentit të Shtetit, SHBA, atëherë, rinisi përplasja dhe këtu Amerika mendoi se Sali Berisha nuk e ka përligjur “shansin e dytë” që i është dhënë.
Nisi një përplasje e madhe pastaj që u pa në raportet thuajse armiqësore të Sali Berishës me ambasadorët amerikanë në Tiranë: John Withers e Alexandër Arvizu. Berisha kërkoi të ndryshojë ligjin e shërbimit sekret, duke u kundërvënë hapur me NATO-n, Sekretari i Përgjithshëm i së cilës i dërgoi një letër të fortë zyrtare ku bënte të ditur se do të kishte pasoja për këtë.
Po ashtu kulmi arriti me 21 janarin, ku Berishë minoi drejtësinë për të shpëtuar veten, ku sfidoi edhe SHBA që solli provat balistike nga FBI për plumbat e përdorura ndaj 4 qytetarëve të pafajshëm.
Në fund të pushtetit të tij, Berisha u përplas edhe më fort me SHBA, duke shpallur gjoja planin e “Shqipërisë së Madhe” e duke folur për albanofobë. Në këtë kohë mbërriti zyrtari i lartë i Tomas Cowontryman, i cili foli për “ç’aktivizim të bombave që mban në dorë” Berisha.
Me humbjen e zgjedhjeve dhe largimit nga detyra e kreut të PD-së vetëm formalisht, Sali Berisha, ka dalë më hapur në qëndrimet e tij të forta anti-amerikane.
Këto përpjekje nisën që në vitin 2013, në të ashtuquajturave “protesta kundër armëve kimike”, kur njerëz të opozitës që morën pjesë në këto protesta, zhvilluan demonstratën e parë kundër ambasadës së SHBA në Tiranë, që nuk kishte ndodhur për 30 vjet partneritet me Shqipërinë.
Ambasadori i atëhershëm i SHBA, Alexandër Arvizu foli hapur për këtë përpjekje antiamerikane.
E cila u thellua më pas hap pas hapi. Kur PD dhe LSI kundërshtuan hapur ligjin e parë që u paraqit në Kuvend për instalimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në vitin 2014. Por gjithçka shpërtheu me nisjen e reformës në drejtësi, ku u instalua Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, çka e ktheu reformën jo më të kontrollueshme aq shumë nga klanet e politikës, por realisht në dorën e SHBA dhe BE.
Që atëherë Berisha doli kundër “republikës së guvernatorëve” dhe nisi linçimi i ambasadorëve të SHBA në Tiranë.
Më pas kjo frymë u shtri kundër edhe zyrtarëve të lartë amerikanë në DASH që i ka sulmuar duke i quajtur si “dhëndra serbë”, kur edhe vetë ai ka pasur mamanë e gruas nga Serbia.
Tashmë, ky sulm ka arritur kulmin, ku sulmohet kreu i Departamentit të Shtetit, si i shitur tek Edi Rama, vetëm e vetëm se ka shpallur non grata Sali Berishën.
Por e gjithë kjo përpjekje nga Berisha, Meta, dhe një grup i vogël përkrahësisht të tyre mediatike, nuk kanë krijuar kurrë frymë në Shqipëri, përkundrazi, kanë ndikuar për keq.
Ilir Meta për shembull, pësoi një distafë të përmasave apokaliptike politike, në referendumin antiamerikan që thirri shqiptarët.
Në 25 prill Meta pikërisht se ishte aktiv aq shumë kundër SHBA mori një përgjigje të fuqishme dhe ky është sinjal shumë i qartë politik.
Ndërkaq, Sali Berisha, u fsheh gjatë gjithë fushatës dhe ishte Lulzim Basha që doli me një aeroeolë perëndimore dhe proamerikane. E pikërisht ky stil i dha PD-së, një rritje të madhe të votave. Nëse do të bëheshin zgjedhjet sot, me qëndrimet anti-SHBA, përkrahja e PD-së do të ishte në përmasa më të ulëta se 2017-a. Pse nuk i bëjnë këto sondazhe mediat që përkrahin Berishën e Metën në këtë përpjekje antiamerikane?!
TemA