Nga Lorenc Vangjeli
Tirana u gdhi sot nën ankth. Garda e Republikës që ka në ruajtje institucionet shtetërore ishte e armatosur rëndë. Policia e shtetit patrullonte nëpër rrugë gjithashtu e amratosur me armë automatike. Dyshimet dhe sinjalizimet për sulme të mundshme terroriste edhe në Shqipëri, e kanë futur kryeqytetin në listën e vendeve të rrezikuara.
Në mesditë, një alarm me bombë në një qendër tregtare e çoi policinë aty me alarm. Këtë tha media, por që më pas u përgënjeshtrua nga policia. Fatmirësisht ai ishte një alarm i rremë. Në kohëra të rënda, njerëz të lehtë, në rastin më të mirë, kanë qejf e dëshirë për lojëra të liga. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në dimrin e këtij viti, një serial i frikshëm alarmesh për tritol goditi Tiranën dhe lodhi nervat e gjithë qytetarëve. Ato patën kulmin e tyre në shkurt dhe sot, tetë-nëntë muaj më pas, në mes të nëntorit po bëjnë “bis” sërish. Të tjera arsye e motive në shkurt, të tjera arsye e motive tani. Ashtu siç pati të tjera arsye e motive paqja e brishtë e tritolit të vërtetë në rrugët e kryeqytetit gjatë tetë-nëntë muajve të paqes relative në Tiranë.
Në mesditë, në të enjten e Doktorit, shpërthyen të tjera sasi tritoli në parlamentin e Shqipërisë. Ish-kryeministri Berisha në një nga fjalimet – akuzë më të ashpra të tij, e konsideroi qeverinë shqiptare në bllok si një organizatë kriminale. Jo vetëm për korrupsionin e saj që ai e konsideron fakt të kryer, por për lidhjet e saj me botën e krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës. Zoti Berisha përmendi sërish dy nga emrat e përmendur ditë më parë nga ambasadori amerikan – Froku e Shullazi – duke i konsideruar të dy ata si të lidhur direkt me kryeministrin e vendit dhe ministrin e brendshëm. Ai nënvizoi edhe episode të ndryshme të trafikut të drogës, rishtaz të lidhura me qeveritarët e sotëm. Në mungesë të kryeministrit, replikë me të bënë vetëm ministrat Tahiri e Bushati. Kryesisht për etiketimin e qeverisë si organizatë kriminale. Sipas parimit kush është ai që akuzon dhe çfarë vlere ka çfarë thotë sa kohë që vetë akuzatori ka qenë nën akuza të shumëfishta gjatë qeveisjes së tij, edhe këto shpërthime u relativizuan. Për të marrë një shembull: ndërsa Berisha foli për familjarët e Tahirit, ai ju përgjigj për çfarë janë dyshuar se kanë bërë famijarët e ish-kryeminsitrit,. Ministri i brendshëm insistoi në një pikë që sipas tij bën diferencën: ne shkojmë në prokurori të gatshëm të hetohemi, ti nuk e ke bërë kurrë! As për veten dhe as për familjarët e tu!
Tirana do të ngrysë sërish nën ankth këtë të enjte. Garda e Republikës dhe policia e shtetit do të vazhdojnë për një kohë të pacaktuar të ruajnë institucionet shtetërore të armatosur rëndë dhe do të patrullojnë kudo duke tentuar të minimizojnë çdo rrezik nga sulmet e mundshme terroriste. Policia dhe agjensi të tjera do të vazhdojnë të mbajnë me sa të munden nën mbikqyrje të gjithë elementët kriminalë që mund të kryejnë akte terroriste.
Garda dhe policia kanë nisur shërbim të përforcuar edhe në Parlamentin shqiptar. Por deri tek dera, deri aty ku e lejon ligji mbrojtjen e sallës së seancave plenare. Pastaj se çfarë bombash, tritoli dhe ekslozivi hidhet brenda saj në fjalimet horror të deputetëve, nuk është kurrsesi objekt i punës së tyre. Nga ato lloj shpërthimesh nuk ka shpëtim. Vesi, por dhe virtyti dalin me shpirtin dhe në atë sallë vetëm shpirt nuk ka. Ka vetëm një gjenerator shumëngjyrësh ankthi për gjithë qytetarët shqiptarë. Një gjenerator që prodhon jo baltë, siç është bërë e zakonshme të thuhet për akuzat, por që shpik dhe rishpik tritolin që shpërthen kudo. Pavarësisht arsyeve. Pavarësisht motiveve. Madje, pavarësisht edhe të vërtetës. Pavarësisht edhe Prokurorit të Përgjithshëm që deri më tani nuk ka mundur të gëzojë “kuriozitetin” e publikut qoftë dhe në një rast të vetëm për të parë se çfarë ka të vërtetë apo të rreme në fjalimet që nisin me fjalët: Të nderuar kolegë, ju jeni kriminelë! Ambasadori amerikan përmendi disa emra të përveçëm këtë javë. Ndoshta duhet pritur ndonjë javë tjetër dhe një tjetër fjalim shqip i ambasadorit amerikan për të mësuar më shumë mbi atë që e dinë të gjithë për të nderuararit kriminelë me kravata.









