Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, i ftuar në studion e edicionit informativ të orës 19:00 në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, ka komentuar atë që po ndodh aktualisht në Tiranë, ku prej pesë ditësh ka kaos në rrugë.
Muharremi tha se studentët që protestojnë janë në të drejtën e tyre legjitime dhe kërkojnë standarde e cilësi në jetën studentore, por sipas tij, një “dorë e zezë” pas protestës po kërkon shkatërrimin e Shqipërisë.
Sipas tij, partitë opozitare, të cilat u mundën me votë, po kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë dhe “fërkojnë duart” nga shkatërrimi i vendit.
Pjesë nga biseda:
Zili: Ditë e ngarkuar me zhvillime të rënda. Tirana është kthyer në një arenë lufte, me skena që i kemi parë në vitin 1997, por edhe në vitin 1998. Si i shihni këto protesta?
Muharremi: Është e dhimbshme për ne që e kemi përjetuar vitin 1997. Trazira që nuk kanë treguar dhe nuk kanë dhënë asnjë rezultat, përveç shkatërrimit të vendit. Dhuna nuk jep zgjidhje, përveçse destabilizon. Mua më dhemb, sepse studentët janë e ardhmja. Ata kanë kërkesa legjitime, por ama kemi një dorë që është pas protestës së studentëve. Një dorë huliganësh, vandalësh, njerëzish të dhunës, që po përdoren nga partitë opozitare.
Zili: Kur flasim për këtë dorë të zezë, a janë grupe sporadike?
Muharremi: Janë grupe të paguara, sepse asnjë shqiptar nuk e do shkatërrimin e vendit. Asnjë shqiptar nuk do që ndaj oficerëve të ushtrohet dhunë. Asnjë shqiptar nuk do që oficerët e policisë të mos kenë reagim proporcional. Zgjidhja nuk vjen përmes dhunës, por vetëm përmes dialogut. Në asnjë vend të botës demokratike nuk ndodh kjo. Kemi mbyllur katër kapituj me BE-në. BE-ja është një nga ëndrrat e shqiptarëve. Duke qenë pjesë e BE-së, kushdo qeveri që të vijë, nuk do të jetë më një Shqipëri si ajo e një dekade më parë, ku korrupsioni ishte në sistem. Sot kemi një sistem që lufton korrupsionin. Ky vandalizëm nuk është kundër Edi Ramës, nuk është kundër PS-së. Nuk më intereson politika në këtë moment, më intereson Shqipëria.
Zili: Ju thoni se ka grupe vandale?
Muharremi: Ka fakte. Mediat kanë raportuar se eksponentë të partive opozitare, të cilat janë mundur me votë, duan ta përdorin këtë mërinë për problematikat që ka pasur qeverisja e PS-së. Kjo bëhet vetëm për të shkatërruar Shqipërinë, për ta çuar poshtë. Kemi ekonominë më të lartë që do të miratohet në buxhetin e vitit 2027.
Zili: Folët për grupe radikale, por ne kemi parë në protestë studentë, të cilët kanë folur për hallet e tyre. Ata nuk duket se janë të paguar apo të nxitur nga opozita.
Muharremi: Këta njerëz po përdorin kërkesat legjitime të studentëve, të cilët duan një jetë më të mirë, pasi shohin se të ardhurat e tyre janë të pakta. Edhe unë protestoj çdo ditë në format e mia. Këto grupe po i përdorin jo për t’u dhënë studentëve një jetë më të mirë, por po kënaqen me këtë gjë për të shkatërruar Shqipërinë.
Zili: Kështu thotë edhe zoti Rama. Megjithatë, gjatë 138 ditëve të protestës së Flamingove, qeveria iu përgjigj me “Prani besnike” dhe “Pasqyra”, por kjo nuk ka mjaftuar, pasi ata që ishin te Flamingot sot sulmojnë protestën. A mos duhet parë edhe gabimi te qeveria?
Muharremi: Kërkesa e Flamingove ishte dorëheqja e kryeministrit Rama. Ne jemi republikë parlamentare, me pushtet demokratik, dhe pushteti ndërrohet me votë. Çdo individ ka të drejtë të shprehet me votë. Sot lufta e dezinformimit online po ndikon në atë që mendon çdo individ. Memorizimi në kohë është një nga faktet e këtij vendi. Dikur, nëse protestoje për një të drejtë, rrezikohej jeta, siç ndodhi më 21 Janar. PS-ja mori një sistem në kolaps, shkollat në gjendje të mjerueshme, spitalet nuk funksiononin dhe ekonomia ishte shkatërruar. Sot jemi në kushtet kur qeveria socialiste ka filluar të ndërtojë çerdhe dhe kopshte.
Zili: Nuk mjafton, thonë ata?
Muharremi: Prandaj po kthehem në kohë, sepse plagët sociale të 20 viteve po ndikojnë. Nëse në vitin 2012 studentët donin të mbijetonin, sot duan standarde.

