Disa nga anëtarët e institucionit të sapo konstituuar të drejtësisë së re, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, posedojnë një pasuri të pazakontë në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara.
Përpos shërbimit në hetuesinë e diktaturës së tre anëtarëve, disa nga anëtarë të tjerë të institucionit më të ri të drejtësisë, kanë deklaruar prona në bregdet të blera me vlerë qesharake, apartamente, biznese, transaksione, makina të shtrenjta etj.
Anëtarja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, zonja Mirela Fana, bashkëshortja e avokatit të Sali Berishës, Neshat Fana, ka deklaruar dy apartamente, me sipërfaqe 143 m2 dhe 127 m2, ku vetëm njëri ka kushtuar 170 mijë euro. Zonja Fana, ka deklaruar pranë ILDKP se bashkëshorti i saj, Neshat Fana, i cili u shkarkuar nga kreu i Shkollës së Magjistraturës, ka blerë një livadh në Himarë, me sipërfaqe 2000 m 2, për vetëm 600 mijë lekë.
Pyetjes së si mund të blihet një livadh në Himarë për kaq para mund t’i japin përgjigje vetëm institucionet e Vetingut, para të civilëve zonja në fjalë duket të justifikojë pasurinë me dokumentacion ligjor. Zonja ka deklaruar gjithashtu se bashkëshorti i saj, gjatë vitit 2015, ka tërhequr nga një shoqëri tregtare rreth 100 mijë USD. Në deklaratën e pasurisë nuk jepen arsye për këtë tërheqja, por deklarata nënkupton për aksione në shoqëri tregtare.
Ervin Metalla
Gjyqtari i apelit Ervin Metalla është zgjedhur gjithashtu me short anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Metalla ka qenë pjesë e treshes së gjykatësve, të cilët vrasjet e kryera në 21 Janar nga ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo i kanë konsideruar “vrasje nga pakujdesia”.
Metalla ka deklaruar dy makina me vlerë 5 500 euro dhe 1 200 000 lekë. Ai thotë se ka zgjidhur kontratën për blerjen e një apartamenti banimi si dhe ka lidhur kontratën me një sipërmarrje tjetër për të blerjen e një apartamenti me vlerë 7 500 000 lekë. Metalla deklaron 1 500 000 lekë gjendje cash, 1 230 609 lekë të ardhura nga paga etj.
Ndërsa Besnik Imeraj, i cili votoi kundra ligjit të Vetingut, deklaron një kredi për blerje banese, 707,123 lekë gjendje në llogarinë e pagës, 399,460 lekë gjendje në llogari dhe 1,180,033 lekë depozitë në emër të vajzës. Po ashtu, Imeraj deklaron 1,874,538 lekë të ardhura nga paga si anëtar i Gjykatës Kushtetuese si dhe 1,261,752 lekë të ardhura nga paga e vajzës si avokate pranë studios Haxhia Hajdari.
Zëvendësuesit
Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe anëtari i Gjykatës së Lartë Artan Zeneli janë zgjedhur me short anëtarë zëvendësues të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për vitin 2015, zonja Altina Xhoxhaj, ka deklaruar pranë ILDKP se nga dhënia me qira të një apartamenti në Tiranë ka fituar 3780 euro.
Po ashtu, Xhoxhaj ka deklaruar një llogari rrjedhëse, plus depozitë dhe kartë krediti, me vlerë 9 mijë USD. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese deklaron pagën 1,874,538 lekë dhe të ardhura si pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, 79,687 lekë. Bashkëjetuesi i saj, Arben Idrizi, ka marrë dy paga nga ISSH dhe si sekretar i Përgjithshëm i Presidentit, 567,000 lekë. Idrizi deklaron 5,379 USD të ardhura si këshilltar i Misionit të Shqipërisë në OKB. Ndërkaq, anëtari i Gjykatës së Lartë Artan Zeneli deklaron pagën e tij, të bashkëshortes dhe dy kredi.
Pasuria e disa prej anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi
Mirela Fana, anëtare e KED
Apartament me sipërfaqe 143 m2 në Tiranë.
Apartament me sipërfaqe 127 m2 blerë 170 000 euro.
Bashkëshorti Neshat Fana ka blerë një livadh në Himarë me 2000m2 me çmim 600 000 lekë.
Bashkëshorti z. Neshat Fana detyrime ndaj Tirana Leasing për blerje makinash.
Kredi bankare në një bankë të nivelit të dytë, mbyllur për shkak të shitjes së kredisë në këmbim të vilës në ndërtim, detyrimi financiar i shlyer 335 500 euro, pjesë e regjimit martesor.
Të ardhura nga depozitave bankare 78 568 lekë.
Të ardhura nga qiraja 941 800 lekë.
Të ardhura nga pagesa e qirasë studio ligjore 297 500 lekë.
Të ardhura nga paga 1 576 316 lekë.
Të ardhura mësimdhënie në universitetin Luarasi 139 046 Lekë.
Të ardhura nga mësimdhënia në Shkollën e Magjistraturës 11 900 lekë.
Bashkëshorti z. Neshat Fana të ardhura nga puna zyra e avokatisë 7 893 500 lekë.
Bashkëshorti tërheqje nga një shoqëri tregtare 10 115 000 lekë.
Vajza zonja Krisilda Fana të ardhura nga punësimi pranë Presidencës 807 560 lekë.
Vajza zonja Krisilda Fana të ardhura nga puna si pedagoge, 40 000 lekë.
Djali Frenki Fana të ardhura nga puna në PHOENIX-PETROLIUM sha 501 380 lekë.
Gjendje në llogari bankare të bashkëshortit si person fizik 1 731 euro.
Gjendje në llogari bankare të bashkëshortit si person fizik 864 938 lekë.
Bashkëshorti gjendje në llogari bankare 938 831 lekë.
Bashkëshorti gjendje në llogari bankare si individ 831 euro.
Vajza gjendje në llogari bankare 30 134 lekë.
Vajza gjendje depozitë bankare 400 000 lekë.
Vajza llogari kursimi 21 513 lekë.
Djali gjendje llogari rrjedhëse 82 774 lekë.
Ervin Metalla, anëtar i KED
Pronar një veture tip Mercedes Benz në vlerën 5 500 euro.
Pronar i një autoveturë, blerë 1 200 000 lekë.
Zgjidhje kontratës së porosisë për blerje apartament banimi me kredi dhe lidhje e një kontrate të re sipërmarrje në të njëjtën vlerë, përkatësisht 7 500 000 lekë.
Gjendja cash, 1 500 000 lekë.
Të ardhura nga paga, 1 230 609 lekë.
Të ardhura nga angazhimi si ekspert në programin e trajnimit vazhdues dhe pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës, 75 600 lekë.
Të ardhura nga angazhimi si ekspert në qendrën “L.I.S.T”, të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, 180 360 lekë.
Të ardhura nga angazhimi si ekspert i Unionit të Gjyqtarëve në implementimin e projektit “Reforma Kushtetuese në optikën e Gjyqtarëve”, mbështetur nga OSFA/SOROS, 1 683 dollarë.
Të ardhura nga angazhimi si ekspert në hartimin e “Manuali i gjyqtarit për gjykimin civil”, 252 000 lekë.
Besnik Imeraj, anëtar i KED
Kredi në bankë për blerje banese, detyrimi 2,116,816 lekë.
Gjendja e llogarisë së pagës, 707,123 lekë.
Gjendje në llogari, 399,460 lekë.
Depozitë në emër të vajzës, 1,180,033 lekë.
Të ardhura nga paga si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, 1,874,538 lekë.
Të ardhura nga paga e vajzës si avokate pranë studios Haxhia Hajdari, 1,261,752 lekë.
Vladimir Kristo, anëtar i KED
Tërhequr nga Banka Popullore, 2.800,000 lekë.
Tërhequr nga banka, 740,000 lekë.
Depozitë në bankë, 750,000 lekë.
Të ardhura nga paga si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, 1,874,538 lekë.
Të ardhura nga puna e bashkëshortes si notere, 339,848 lekë.
Të ardhura nga pensioni i bashkëshortes, 164,400 lekë.
Pasuria 2014
Gjendja e depozitës, bono thesari, në Bankën e Shtetit, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë, 19 000 euro.
Gjendja e llogarisë në një bankë të nivelit ë dytë, pakësuar me – 117 500 lekë.
Gjendja e llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, pakësuar me – 2 658 000 lekë.
Gjendja e depozitës në Bankën e Shtetit, obligacione me afat 2-vjeçar, 2 658 000 lekë.
Bashkëshortja, gjendja e llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, pakësuar me 689 800 lekë.
Bashkëshortja, gjendja e depozitës në Bankën e Shtetit në bono thesari, 689 800 lekë.
Altina Xhoxhaj, anëtare zëvendësuese e KED
Të ardhura nga qiraja e apartamentit në Tiranë, 3780 euro.
Llogari rrjedhëse plus depozitë dhe kartë krediti, 9 mijë USD.
Të ardhura nga paga si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, 1,874,538 lekë.
Të ardhura si pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, 79,687.
Bashkëjetuesi, të ardhura nga 2 paga, nga ISSH dhe si sekretar i Përgjithshëm i Presidentit, Arben Idrizi, 567,000 lekë.
Bashkëjetuesi, të ardhura si këshilltar i Misionit të Shqipërisë në OKB, 5,379 USD.
Llogari kursimi, 2 mijë USD.
Llogari rrjedhëse, 2 mijë USD.
Artan Zeneli, anëtar zëvendësues i KED
Paga si anëtar i Gjykatës së Lartë 1 576 316 lekë.
Të ardhura nga paga e bashkëshortes zonja Valbona Zeneli dhe bonuse (punonjëse banke) neto 4 659 494 lekë.
Gjendje e llogarive të bashkëshortes në bankë 9 317 euro.
Gjendje e llogarisë së bashkëshortes 1 141 407 lekë.
Gjendja e Investimit në një fond të tillë në lekë 5 953 172 lekë dhe 5 498 euro.
Fondi i pensionit vullnetar 1 614 413 lekë.
Është paguar një kredi në principal 6 316 euro dhe interesa 367 euro. Në dhjetor 2015 kredia ka detyrim të mbetur 111 387 euro.
Kredi e deklaruar më parë është shlyer gjatë vitit 2015 me vlerën 5 480 euro e mbetet pa shlyer 4 207 euro.
3 anëtarë hetues në kohën e komunizmit
Tre anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kanë përvojë si hetues në sistemin e drejtësisë në kohën e diktaturës. Ata janë Vladimir Kristo nga Gjykata Kushtetuese, Besnik Imeraj gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese si dhe Mirela Fana nga Gjykata e Lartë. Vladimir Kristo dhe Besnik Imeraj e kanë të shënuar në jetëshkrimin e tyre se kanë punuar në detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë, por nuk e kanë specifikua
r se çfarë funksioni kanë ushtruar. Kurse Mirela Fana, e ka publikuar pa komplekse në jetëshkrimin e saj, përvojën tri-vjeçare si hetuese në hetuesinë e Mirditës. Ndërkaq, ligji i Vetingut nuk verifikon të shkuarën komuniste të njerëzve të drejtësisë, por ligjet e posaçme për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, kanë vendosur si kusht që bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit si dhe hetuesit e komunizmit, nuk mund të zgjidhen as gjyqtarë dhe as prokurorë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i pavarur që verifikon përmbushjen e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Anëtarët e këtij institucioni kanë mandat njëvjeçar. Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme. Selia e Këshillit është Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksionit dhe të detyrave të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë dhe në këtë ligj. Mbetet për t;u parë nëse anëtarët e këtij organi do t’i rezistojnë skanerit të trefishtë të Vetingut. Ky proces do të fokusohet kryesisht tek ligjshmëria e pasurive, por edhe tek kontrolli i figurës dhe aftësive profesionale./shqiptarja.com