Nga Dritan Hila
Pas 15 ditësh në shesh, tashmë është e mundur një anatomi e protestës, në të cilën si në çdo lëvizje masive, nuk ka një faktor por shumë.
Ajo që bie në sy në fillim është harresa në Tiranë për Zvërnecin. Zvërneci dhe flamingot prej kartoni prezente në protestë, janë vetëm ushqim për jashtë. Janë aq të parëndësishme për botën fatet e Zvërnecit apo Shqipërisë saqë sitet online jo pa qëllim i zhvendosin në kohë protestat apo ngatërrojnë përleshjet e Rrjollit me Zvërnecin. Ato pamje me flamingo u duhen për propagandën e tyre dhe agjendat e tyre, por që nuk kanë lidhje fare me agjendën e Shqipërisë.
Pavarësisht së Rama është akuzuar si delfin i Soros, e vërteta është që ndër administratorët e protestës janë OJQ të financuara nga Soros, të cilat përpiqen të mbajnë një profil të ulët për të mos u identifikuar, duke ditur alergjinë që ngjallin, por edhe për të pasur një as nën mëngë për të ardhmen. E fshehta nxit më shumë, thotë Konfuci.
A vjen kjo armiqësi e Sorros sepse Rama i ka shkelur diku në kallo apo lidhja e tij me familjen Trump, apo të dyja bashkë?
Në këtë kuadër nuk përjashtohen as aparatet amerikane që janë kundër presidentit të tyre dhe lëvizin nën rrogoz. Mjaft të kujtojmë që 83% e Uashingtonit, ku janë përqendruar Shtëpia e Bardhë, Pentagoni, Departamenti i Shtetit, CIA, dhe të tjerë aparate të sigurisë, votuan Camala Harris, ndaj asgjë nuk është për çudi. Historia e aparateve të devijuara që veprojnë kundër vijave zyrtare, nuk është e re në botë.
Pjesë tjetër janë shërbimet inteligjente të fqinjëve që për interesat e tyre e shfrytëzojnë situatën. Natyrisht nuk mungon edhe putra e Albin Kurtit, i cili dëshiron të ketë një ndikim mbarëshqiptar dhe të jetë fuqi në mos përcaktuese, destabilizuese. Gjithsesi e vështirë pasi as Rama e as Berisha nuk e lejojnë të prekë domenet e tyre. Shqipëria nuk është Maqedonia dhe politikanët e Tiranës janë ku e ku më dinakë e të strukturuar se Kurti.
Këta janë nxitësit e vërtetë. Kurse skalion tjetër janë mitomanët dhe gjobaxhinjtë që përfaqësohen nga një mishmash novax, komplotistë, minipartitë etj. Këta kanë shumë zë por pak peshë.
Janë ata që duan vëmendje me shpresën se mos peshkojnë në ujëra të turbullta.
Pastaj pjesa që mbush sheshin nuk ka lidhje fort me zemrën e protestës. Secili aty del për hallin e vet kur gjen kohë pasi lë punën apo del nga kafja e pasdites. Mes tyre ke specialistë që duan të bëhen drejtorë dhe këta janë më të qartët. Ke të diplomuar që në katër vite kanë kryer studime në universitete që nuk vlejnë dhe nxjerrin produkt skarco për tregun e punës. Janë prindërit e tyre të cilët në vend se t’u jepnin një profesion fëmijëve, çka do t’i bënte të shumëkërkuar në tregun e punës dhe të mirëpaguar, preferonin të gënjenin veten, e sot nuk dinë ku ta shfryjnë zemërimin për diplomën pa vlerë të fëmijëve. Janë ata që duan shërbime më të mira shëndetësore dhe arsimore dhe pensione dinjitoze, të ngjashme me Gjermaninë. Por nëse u thua që për këtë duhet të paguajnë si në Gjermani 45-50% të të ardhurave të tyre, nuk janë dakord, por e kërkojnë falas nga shteti. Janë profesionistë që kërkojnë shtëpi të lira në qendër, por nëse u thua që edhe një italian apo gjerman duhet të paguajë 15-20 vjet kredi për një shtëpi në periferi dhe që t’ia dalin duhet të punojnë burrë e grua përndryshe askund nuk ia del, të thonë që fajin e kanë paratë e drogës që kanë rritur çmimet. Duke harruar se nëse do të ishin të tilla, ndërtuesi do t’i duhej t’i shiste sa më lirë e sa më shpejt.
Dhe si gjitha protestat nuk mungojnë ata që nuk e dinë çfarë duan, ndaj ka me shumicë tipa që kërkojnë 5 minutshin e tyre të lavdisë duke kapur mikrofonin.
A do ia dalin që të rrëzojnë Ramën dhe Berishën? Kjo ndodh vetëm nëse klasa drejtuese është e gatshme të lëshojë pozitën të detyruar nga dhuna që tejkalon fuqinë e shtetit për ta mbajtur. Por as Rama nuk është gati të lëshojë pushtetin dhe as Berisha opozitën. Kurse në përplasje ende nuk është provuar forca, por në këtë rast protestuesit duhet të kenë parasysh se shumë pak nga ajo turmë janë gati të sakrifikohen. Sikurse askush nuk e di sesa është shumica e heshtur që përfshin qytetarë të thjeshtë, biznesmenë apo profesionistë të cilët duan qetësinë pasi askush nuk preferon diktaturën e anarkisë.
Nëse mendojnë që të aplikojnë mosbindjen civile atëherë është një llogari e fryrë. Në këtë formë nuk ia doli dot as PD-ja e cila ishte më e motivuar, organizuar dhe e votuar sesa tërësia e atyre që janë në protestë.
Rrugëdalja e kësaj proteste do të ishte një rritje e ndjeshmërisë së pushtetit ndaj kërkesave të tyre. Kjo mund të bëhet vetëm në formë institucionale dhe e vetmja forcë që e ka një tagër të tillë është PD-ja, pasi siç tregojnë pamjet, edhe ata profesionistë që dalin e flasin, kanë një gjuhë urrejtjeje të frikshme dhe idetë e tyre nuk janë më shumë se një çakërdisje vape.
Nëse refuzojnë rrugën institucionale, askush nuk ka nge të merret me idetë që hedh pasdite, çdokush në turmë.
Shumë pyesin sesi do të vejë fati i protestës. Ata që e organizojnë e dinë që nëse pushteti nuk tërhiqet, që të mbahet gjallë, do të lindë nevoja e radikalizimit dhe dhunës. Kjo e çon Shqipërinë në kujtimet e frikshme të anarkisë së viteve ‘91 dhe ‘97, të shoqëruara me një regres ekonomik dhe një braktisje tjetër masive të vendit. Nëse kjo nuk gjen mbështetje masive, çka ka gjasa më shumë, atëherë do kemi një shuarje të saj. Janë ende gjallë shqiptarët që i kanë përjetuar tmerret e dy trazirave të mëdha dhe shumë pak duan që të humbasin shansin e një rritjeje ekonomike, ku të vetmit që do të fërkojnë duart do të jenë mashat dhe idiotët e mashave që ditën e kiametit do marrin avionët të shijojnë nga larg zjarrin që ndezën dhe do djegë brenda edhe shkrepëset që besonin se do bënin ndryshimin.











