• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, October 2, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Analiza: A po e ringjall Putini ‘Serbinë e Madhe’?

by E B
02/10/2026 22:25
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Edhe pas disa dekadash nuk është harruar teza se, gjoja, Perëndimi kolektivisht ka qenë “i padrejtë ndaj serbëve”. Këtë tezë e ka ngritur tani edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë.

Në një forum në Moskë, ai tha se Perëndimi “e ndau popullin serb në disa pjesë dhe serbët përfunduan në entitete të ndryshme shtetërore”.
Kurt Bassuener nga Këshilli Ndërkombëtar për Politikat e Demokratizimit vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) se Putini po krijon bazën për “korrigjimin” e kësaj “padrejtësie”.

“Dhe ai mbështet hapur konceptin e ‘botës serbe’, i cili jo vetëm që përfaqëson një përpjekje për riemërtimin e idesë së ‘Serbisë së Madhe’, por besoj se edhe krejt qëllimisht e pasqyron konceptin e ‘botës ruse’”, thotë Bassuener.

Ai i sheh vlerësimet e Putinit si të njëjtin lloj revizionizmi antihistorik, përmes të cilit presidenti rus arsyeton “operacionin e tij të posaçëm ushtarak”, përkatësisht pushtimin brutal të Ukrainës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me vlerësimet e bëra nga presidenti rus.
Deri në publikimin e këtij artikulli, pyetjeve të REL-it nuk iu përgjigjën as ministritë e Punëve të Jashtme në Zagreb, Sarajevë, Podgoricë dhe Prishtinë.
Pikërisht politikani prorus Aleksandar Vulin e futi termin “bota serbe” në politikë.
Ky partner koalicioni i ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë viteve të fundit ka mbështetur tezën se Vuçiqi duhet ta krijojë “botën serbe”.

Sipas kësaj ideje, serbët do të kishin të drejtën të ishin një popull politikisht i bashkuar, i cili do të merrte së bashku vendime për çështjet kryesore kombëtare.

Vulini, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane, ka thënë gjithashtu se Vuçiqi është president i të gjithë serbëve, ndërsa vetë Vuçiqi, pas kritikave nga rajoni, është distancuar duke deklaruar se politika e “botës serbe” nuk është politika e tij.
Në rajon, i cili ende e mbart barrën e shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, diskutimet për “botën serbe” janë perceptuar si përpjekje për ringjalljen e idesë së “Serbisë së Madhe” të viteve ’90.
Hrvoje Klasiq, profesor i historisë në Fakultetin Filozofik në Zagreb, thotë për REL-in se ëndrrat për një “Serbi të Madhe” kanë dështuar prej kohësh.
“Ato nuk ishin të realizueshme as atëherë kur Serbia kishte armë pas vetes, përkatësisht Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA), dhe kur kishte edhe financa. Tani mund të shërbejnë vetëm për përdorim të brendshëm ndaj asaj pjese të elektoratit që në asnjë mënyrë nuk po del nga e kaluara”, ka thënë ai.
Si u “nda” populli serb
Duke folur për “padrejtësinë” ndaj serbëve, Putini fillimisht përmendi Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1995 dhe përcaktoi mënyrën e funksionimit të këtij shteti.
Më pas ai shtoi se “serbët u bënë popull i ndarë në Evropë , pra i ndarë me forcë”.

Historiani Klasiq, nga ana tjetër, thotë se serbët kanë jetuar gjithmonë në shtete të ndryshme.
Ai thekson se ata kanë jetuar në Perandorinë Osmane, më pas në Austro-Hungari, e më vonë, përmes Jugosllavisë, në republika të ndryshme.
“Nuk ndodhi ndonjë padrejtësi që papritur tani serbët të jenë të bllokuar në një territor të huaj”, thotë ai.
Klasiqi shpjegon se serbët e Banisë dhe Likës në Kroaci, si dhe ata nga Banjallukë në Bosnje e Hercegovinë, kanë jetuar për kohë më të gjatë nën kryeqytete të tjera sesa nën Beograd.

“Ata janë të shpërndarë nëpër disa shekuj të kaluar, jo për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka thënë ai.
“Përmbajtja” e Aleksandar Vuçiçit
Duke folur në forumin e klubit “Valdaj”, Putini theksoi gjithashtu se udhëheqja e deritanishme e Serbisë, me Aleksandar Vuçiçin në krye, ka ndjekur një politikë të përmbajtur dhe ka treguar dëshirë për bashkëpunim me Rusinë.
Në të njëjtën kohë, ai tha se shpreson se Vuçiçi do të jetë kryeministër në të ardhmen, ndërsa ish-presidenti i Serbisë përballet në zgjedhje me sfidën më serioze gjatë 14 vjetëve të qeverisjes së tij.
Nga lista studentore u tha se për momentin nuk do t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve.

Lista “Studentët fitojnë” së fundi publikoi qëndrimin e saj për sanksionet ndaj Rusisë, duke thënë se Serbia “do ta ruajë qëndrimin parimor për të mos vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë”.

Vuçiçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë më 27 shtator, në mënyrë që të merrte pjesë në fushatën për zgjedhjet e parakohshme.
Pikërisht Putini ishte udhëheqësi i fundit i huaj me të cilin ai bisedoi para dorëheqjes.

Përveç marrëveshjes për gazin, përmes së cilës disa ditë më vonë u zgjatën për edhe tre muaj furnizimet ruse me gaz për Serbinë, ata biseduan edhe për bashkëpunimin dypalësh dhe luftën në Ukrainë.
Çfarë nënkupton fajësimi i Perëndimit
Si Putini, ashtu edhe Vuçiçi shprehin shpresën se politika e jashtme e Serbisë edhe pas zgjedhjeve të 25 tetorit do të jetë e balancuar, duke pasur parasysh mbi të gjitha marrëdhëniet e Beogradit me Moskën.
Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka ndjekur politikën e Brukselit për sanksionet ndaj Rusisë.
Moska, nga ana tjetër, luan në kartën e varësisë së Serbisë nga gazi rus, duke e zgjatur marrëveshjen e furnizimit për tre muaj, dhe jo për një periudhë afatgjatë si më parë.
Deklaratat e Putinit për “ndarjen” e popullit serb, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) me seli në Prishtinë, i sheh si “nxitje të sherrit” në Ballkan, në funksion të interesave të tij.
“Është muzikë shumë e mirë për veshët e nacionalistëve dhe të atyre që punojnë kundër rendit perëndimor, që nënkupton integrimin në BE dhe NATO”, tha ai për REL-in.
Për historianin Klasiq, mesazhet e Putinit lidhur me shkaqet e ndarjes së pretenduar të popullit serb synojnë ekskluzivisht konfrontimin me Perëndimin.
“Komentin e Putinit e shoh ekskluzivisht si një tjetër përpjekje të tij për t’ia paraqitur Perëndimin si një gogol elektoratit rus, por në këtë rast me gjasë edhe elektoratit të Aleksandar Vuçiqit, si faktor destabiliteti dhe si një lloj armiku shekullor”, thotë ai.
Ai gjithashtu konsideron se komentet e Putinit lidhen me politikën e brendshme.
“Duket se Putini, për gjithçka që thotë në këtë rast, në hapin e dytë mendon për Rusinë, e jo për Serbinë, e aq më pak për Republikën Sërpska”, shtoi ai.
Beogradi zyrtar nuk ka hequr dorë nga lidhjet me Rusinë, pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Përkundrazi, ai tashmë mbështetet në përkrahjen e Moskës në organizatat ndërkombëtare për çështje të caktuara, para së gjithash për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, por edhe për refuzimin e cilësimit të asaj që ndodhi në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 si gjenocid./REL

Next Post
Takimi Kurti-Hamza përfundon pa marrëveshje! PDK kërkon ligjin për Hagën para diskutimeve për presidentin

Takimi Kurti-Hamza përfundon pa marrëveshje! PDK kërkon ligjin për Hagën para diskutimeve për presidentin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dy iranianë akuzohen për komplot terrorist në Mançester, dyshohet se synonin komunitetin hebre

Dy iranianë akuzohen për komplot terrorist në Mançester, dyshohet se synonin komunitetin hebre

October 2, 2026
Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, mbyllen 400 shkolla

Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, mbyllen 400 shkolla

October 2, 2026
Takimi Kurti-Hamza përfundon pa marrëveshje! PDK kërkon ligjin për Hagën para diskutimeve për presidentin

Takimi Kurti-Hamza përfundon pa marrëveshje! PDK kërkon ligjin për Hagën para diskutimeve për presidentin

October 2, 2026
Analiza: A po e ringjall Putini ‘Serbinë e Madhe’?

Analiza: A po e ringjall Putini ‘Serbinë e Madhe’?

October 2, 2026
Trump: Evropa do të lirojë rezerva të mëdha nafte -

Trump kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare! Nga urdhrat ndaj Netanyahut te thirrja për tërheqjen e shteteve, çfarë rrezikon ICC-ja

October 2, 2026
Spanja drejt zgjedhjeve të parakohshme! Sanchez pëson humbje në Parlament pas rrëzimit të dy dekreteve për strehimin

Spanja drejt zgjedhjeve të parakohshme! Sanchez pëson humbje në Parlament pas rrëzimit të dy dekreteve për strehimin

October 2, 2026
Ben Andoni: Vizita e Von der Leyen, lajm i mirë për Shqipërinë, por sfida nis me zbatimin e ligjeve

Ben Andoni: Vizita e Von der Leyen, lajm i mirë për Shqipërinë, por sfida nis me zbatimin e ligjeve

October 2, 2026
Shqipëria mbyll një tjetër kapitull me BE! Zbulohet data, Rama drejt Brukselit për Konferencën Ndërqeveritare

Shqipëria mbyll një tjetër kapitull me BE! Zbulohet data, Rama drejt Brukselit për Konferencën Ndërqeveritare

October 2, 2026
Ambasada e SHBA-së pret ambasadorin Eric Wendt! 130 të ftuar në pritjen e mirëseardhjes, ja kush mungoi

Ambasada e SHBA-së pret ambasadorin Eric Wendt! 130 të ftuar në pritjen e mirëseardhjes, ja kush mungoi

October 2, 2026
Lirohen 100 milionë fuçi nafte, Von der Leyen përshëndet vendimin e G7-ës: Shmanget ndalimi i eksporteve dhe koordinimi për rezervat

Von der Leyen në Tiranë, Muçi: Shqipëria rrezikon të jetë anëtare e kategorisë së dytë të BE

October 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com