Eksperti dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan i Universitetit “Johns Hopkins SAIS” në Washington, Edward P. Joseph, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur më në detaje për disa prej çështjeve të mbuluara në Raportin e titulluar “Nga kriza në konvergjencë: një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në burimin e saj” dhe gjithashtu edhe për letrën që Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka dërguar ditë më parë kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit.
Gazeta Express/ Intervistoi: Besnik Veliu
Edward P. Joseph e tregon pse është vendosur në raport propozimi për vendosjen e sanksioneve për ata që promovojnë bashkimin e Kosovës me Shqipëri dhe punën e emërimit të një emisari special amerikan për njohjen e Kosovës nga pesëshja mosnjohëse evropiane.
Gjithashtu profesori amerikan sqaron edhe konsatimin tjetër të raportit se Qeveria Kurti gjendet në mjegullnajë sa i përket orientimit gjeo-strategjik, duke përmendur këtu projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik.
Tutje, Edward P. Joseph në këtë intervistë flet edhe për mesazhet e letrës së Blinkenit për kryeministrin Kurti, vizitën e përmendur nga Kurti në Amerikë dhe për atë se çfarë duhet të ndodhë me marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për çështjen e “Manastirit të Deçanit”.
Gazeta Express: Kur folët për sanksione, çfarë saktësisht deshët të thonit? Sepse, për shembull, nëse do të ketë sanksione për Kryeministrin Kurti nga ShBA-ja, ai do të duhej të jepte dorëheqje dhe kjo, me gjasë, do të shkaktonte një ngërç tjetër në procesin e dialogut.
Çështja është që njohja e Kosovës e nënkupton Kosovën si vend unik dhe funksional brenda kufijve të vet të tanishëm – jo në federatë ose konfederatë me Shqipërinë. As “Shqipëria e Madhe”, as “Serbia e Madhe” nuk janë në interesat e ShBA-së; kjo është kundër interesave të ShBA-së.
Kjo nuk është as në interesin e Kosovës. Për shembull, njohja nga Greqia do të mund të ishte transformuese për Kosovën dhe rajonin. Por është e qartë se Athina – si Uashingtoni – nuk sheh stabilitet që del nga ndonjë “bashkim” ose ndarje e Kosovës. Siç citojmë ne në raportin tonë në “Johns Hopkins SAIS-Wilson Center”, komentuesit grekë me ndikim presin një traktat mes Prishtinës dhe Athinës, që i përjashton aventurat e tilla.
Kërcënimi me sanksione është i rëndësishëm për të gjitha palët:
Për Prishtinën, që t’i kuptojë parimin dhe vizionin për Kosovën, të cilat e tërheqin përkrahjen e ShBA-së dhe të aleatëve.
Për Athinën dhe vendet e tjera, që nuk e njohin Kosovën, që të kuptojnë se zotimi i ShBA-së ka të bëjë me përkrahjen e sovranitetit të Kosovës – jo me përkrahjen e ëndrrave për bashkimin e popullit shqiptar.
Për Serbinë dhe për përkrahësit e saj në Rusi, Kinë dhe gjetiu, që të shohin se ShBA-ja ka një qasje strategjike, të mbështetur në bashkekzistencën demokratike dhe multietnike – pa i favorizuar ambiciet kombëtare shqiptare para ambicieve kombëtare serbe.
Gazeta Express: Raporti gjithashtu specifikon një paqartësi të Kurtit në lidhje me orientimin strategjik të Kosovës. Ju e përmendët çështjen e gazsjellësit të mbështetur nga ShBA-ja. Pra, nënkuptohet se çështja e gazsjellësit nuk është vetëm çështje “gypash”, siç ka thënë Kryeministri Kurti, por është çështje e orientimit strategjik, që do ta zmbrapste ndikimin rus në rajon.
Edward P. Joseph : Gazsjellësi Trans-Adriatik është pjesë e një strategjie më të gjerë për diversifikimin e burimeve të energjisë në rajon. Duke e marrë parasysh rrezikun e tanishëm të pushtimit rus të Ukrainës – ku Moska e përdor kërcënimin e tërthortë të ndërprerjes së furnizimit me energji për Evropën -, nevoja për diversifikim është e qartë. Kriza energjetike në Kosovë dhe rritja e çmimeve e bën rastin e Gazsjellësit Trans-Adriatik edhe më të logjikshëm. Ishte mirë që ministrja e Jashtme e Kosovës, Gërvalla, e diskutoi gazsjellësin, mes tjerash, në takimin e saj dje me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias. Ky takim ishte një shenjë tjetër e mirë për qasjen “konvergjente”, që ne e rekomandojmë në raportin tonë të “SAIS-Wilson Center”.
Gazeta Express: Sa kohë ju ka marrë ky raport në tërësi, a ka pasur ndonjë çështje për të cilën nuk jeni pajtuar me bashkautorët? Nëse po, për cilat çështje? Dhe a e keni dërguar këtë raport në adresa të rëndësishme të vendimmarrjes politike ndërkombëtare?
Edward P. Joseph: Ky raport është rezultat i relfektimit të gjatë, të nisur nga unë në vjeshtën e vitit 2020 me zgjedhjen e parashikuar të Joe Bidenit president. Kam punuar në rajon dhe rreth rajonit gati që nga nisja e luftës në Bosnjë (kam arritur atje në gusht të vitit 1992, tre muaj pas fillimit të luftës). Kam shërbyer në të gjitha zonat e konfliktit gjatë luftërave në: Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni Veriore. Gjithashtu kam shërbyer si zëvendësdrejtor i Misionit të OSBE-së në Kosovë, përfshirë vitin 2012. Unë e kam negociuar marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare serbe në Kosovë në maj të vitit 2012.
Siç shkruajmë ne në raport, përkeqësimi alarmues në rajon është “i vullnetshëm”. ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja e mbajnë përparësinë strategjike në tërë rajonin (ndryshe nga situata në Ukrainë). Është thjesht e pamundur për të kuptuar se tridhjetë vjet pas shpërthimit të luftës, përsëri flitet për luftën në Bosnjë e Hercegovinë, konfrontim në Kosovë dhe tensione të pashembullta në Mal të Zi.
Raporti e trajton pyetjen thelbësore: pse Ballkani është ende në një rrëmujë të tillë pas kaq shumë vjetëve dhe pas kaq shumë përpjekeve? Ne e identifikojmë burimin: paaftësia e Serbisë për ta pranuar rendin perëndimor. Ne e identifikojmë arsyen e kësaj paaftësie: leva që e mban Serbia mbi Kosovën – dhe ShBA-në e BE-në. Ne e identifikojmë zgjidhjen e kësaj gjendjeje: të gërryhet dhe përfundimisht të eliminohet leva serbe mbi Kosovën. Kjo bëhet përmes ndryshimit të pozicioneve të katër shteteve të NATO-s që nuk e njohin Kosovën: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Ne përshkruajmë se si kjo mund të arrihet në një mënyrë shumë praktike, duke punuar kryesisht me Greqinë dhe kryesisht brenda NATO-s.
Gazeta Express: A keni pasur mundësi që ta lexoni letrën e Sekretarit Blinken për Kryeministrin Kurti dhe cilat janë konkluzionet tuaja për atë letër?
Edward P. Joseph :Po, e kam lexuar letrën dhe ajo është shumë e qartë: është një letër pozitive e përkrahëse nga Sekretari Blinken, me qëllim të përforcimit të përpjekjeve të dy diplomatëve të emëruar amerikanë, ambasadori Hovenier dhe emisari i posaçëm, Escobar. Sekretari Blinken po i cakton pritjet për bashkëpunim në çështje specifike të përmendura në letër. Letra është hartuar në mënyrë diplomatike.
Gazeta Express: Duke filluar nga fundi i vitit të kaluar, Kryeministri Kurti ka përmendur një vizitë të mundshme në ShBA. Herën e fundit kur Kurti foli për këtë vizitë të mundshme në Uashington, tha se ai mund të udhëtojë në kryeqytetin amerikan në fillim të vitit 2022. A e shihni këtë letër të Sekretarit Blinken si shenjë të “anulimit” të kësaj vizite të mundshme të Kryeministrit Kurti në Uashington? Dua të them, a shihni ndonjë arsye që Kurti ta vizitojë Uashingtonin pas asaj letre, që përmban gjithçka?
Edward P. Joseph : Kjo letër nuk ka lidhje të tillë me një vizitë dhe fjala “anulim” nuk duhet të përdoret në lidhje me këtë letër. Ajo i përfaqëson pritjet e ShBA-së për prioritete kyçe amerikane. Natyrisht, është çështje tjetër se a do të ndodhë kjo vizitë dhe në çfarë niveli. Vizita të tilla janë gjithmonë të lidhura me gjendjen e marrëdhënieve dhe me zhvillimet. Nuk ka dyshim që Uashingtoni është duke kërkuar progres për çështjet e përmendura në letër dhe kjo vërtet mund të jetë një faktor.
Gazeta Express: A besoni se Kryeministri Kurti do t’i përmbushë këto kërkesa të ShBA-së në letrën e Blinkenit, duke u bazuar në të kaluarën e Kurtit dhe në qëndrimet e aktivitetet politike të tij (Asociacioni i Komunave Serbe dhe Manastiri i Deçanit)?
Edward P. Joseph : Nuk do të parashikoj se çfarë do të bëjë Kryeministri Kurti. Mund të deklaroj se e shoh “Asociacionin/Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe” si çështje të ndarë nga Manastiri i Deçanit dhe vendimet e ndërlidhura juridike.
Kosova, ndryshe nga Serbia, është demokraci e kthyer në drejtimin e duhur, me respektim në rritje për sundimin e ligjit. Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një detyrim i hekurt për Kryeministrin Kurti – ose për cilindo kryeministër të Kosovës. “Asociacioni/Komuniteti” është një detyrim i një lloji tjetër; kjo është çështje politike e lidhur me një proces më të gjerë me Serbinë. Në mënyrë ideale, “Asociacioni/Komuniteti” do të negociohej si një çështje e statusit final, si pjesë e marrëveshjes në të cilën Beogradi e njeh Prishtinën. Vendosja e kësaj para statusit përfundimtar krijon ndërlikime në dialogun e udhëhequr nga BE-ja, ku Beogradi tashmë e ka përparësinë strategjike. (Beogradi është i kënaqur, nëse asgjë nuk ndodh në dialog, duke e lënë Kosovën në pozitën e tanishme të paqartë.)
Marrëdhëniet e komunitetit serb të Kosovës si bllok – dhe me Beogradin – janë drejtpërdrejt të lidhura me sovranitetin dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kosova zyrtarisht është e detyruar për “Asociacionin/Komunitetin”. ShBA-ja dhe BE-ja duhet të gjejnë mënyra për ta adresuar këtë sfidë negociuese. Në raportin tonë, ne e rekomandojmë avancimin e marrëdhënies së Kosovës me NATO-n, për shembull, duke e sjellë Kosovën në programin e NATO-s, “Partneritet për Paqe”, në mesin e hapave të tjerë. Kjo mund ta forcojë pozicionin e Kosovës, duke bërë të mundshëm ca progres për “Asociacionin/Komunitetin”, ndonëse bisedimet përfundimtare presin një marrëveshje finale.
Si dote reagonte Amerika sikur ne Meksike te jetonin 2 miljon Amerikane ?Ata dote kishin luftuar per nji baskim kombetare deri ne piken e fundit te gjakut,kurse Shqiptaret nuk duhet as te flasin per nji bashkim,dhe as te flasin per te drejtat njerzore,pse nuk shkon ky zoteri ne luginen e Presheves dhe ta sheh me syjt e vet se sa te drejta kan Shqiptaret,ose ne Maqedoni ,ose ne Malin e Zi por flet vetem ne gazeta ne favor te cilit po flet ki njeri ,kur republika Serpska flet per bshkim me Serbine kete njeri nuk e gjen ne asnji gazete ,pra kaq te besueshem jane keta.