Ambasadori i ri amerikan në vendin tonë, Eric Wendt, ka vizituar këtë të shtunë ambientet e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion.
Ai shihet në shoqërinë e kreut të SPAK, Klodian Braho, ndërsa realizojnë edhe foton e përbashkët tek hyrja e godinës. Kreun e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Wendt e ka takuar edhe 5 ditë më parë.
Ata diskutuan kryesisht për luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm. Këto të fundit, siç i ka theksuar zyrtarisht vetë Ambasada, janë ndër përparësitë kryesore të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Më herët, Wendt ka takuar edhe Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes, në kuadër të kontakteve të tij të para zyrtare në Shqipëri. Në këto takime, vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë, mbrojtjes dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Një vend të rëndësishëm në agjendën e ambasadorit zë edhe SPAK-u, të cilin ai e ka vlerësuar si institucion kyç në luftën kundër korrupsionit, duke veçuar gjithashtu bashkëpunimin e strukturës me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

