Në shtator, miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale u shoqërua me protesta dhe kundërshtime.
Tani kjo çështje po rikthehet në vëmendje përmes një nisme të re ligjore. Pas dakordimit mes LVV-së dhe PDK-së, pritet të hartohet një draft i ri.
Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se hartimi i tij duhet të bëhet përmes konsultimeve me Bashkimin Evropian dhe shtetet që financojnë Gjykatën Speciale.
“Shpresoj që institucionet, në rastin konkret Kuvendi të përkujdeset që nisma të jetë mbi të gjitha në harmoni me Kushtetutën ashtu që të arrihet qëllimi dhe efekti i saj. Si dhe të konsultohen të gjithë aktorët me theks të veçantë BE por edhe shtetet respektive që e financojnë Gjykatën Speciale”.
Një tjetër propozim i avokatit Bajraktari është që Kosova ta shfrytëzojë këtë moment për të kërkuar edhe kthimin e selisë së Gjykatës Speciale në Kosovë.
“Duke qenë se tashmë ka përfunduar faza e dëgjimit të dëshmitarëve dhe faza që supozohet se ka pasur mundësi të ndikojë, atëherë një gjë e tillë është lehtësisht e mundshme. Vetëm se duhet një proces i mirëfilltë konsultimesh, krahas së cilave të shprehet edhe gatishmëria e institucioneve të Kosovës për të marrë pjesë edhe në aspektin financiar, për sa i përket jo vetëm Dhomave dhe funksionimit të saj, por edhe proceseve pasuese”.
Ndërkaq, ani pse ende nuk dihet se çfarë do të përmbajë drafti i ri, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se duhet pasur kujdes të veçantë gjatë hartimit të tij, pasi në të kundërtën, sipas tij, mund të kemi një ligj kundërkushtetues.
“Duhet pasur parasysh të gjitha obligimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që Kosova i ka në raport me Gjykatën Speciale. Për këtë arsye, janë një numër i madh i çështjeve që i ka rregulluar amendamenti kushtetues dhe një numër i madh i çështjeve të cilat janë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk mund të tejkalohen”.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ekspertët janë duke punuar në draftin e ri, i cili pritet të përfundojë gjatë këtyre ditëve. Ndërkaq, Vlora Çitaku ka paralajmëruar se nisma do t’i procedohet Kuvendit brenda kësaj jave. /A2/










