Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ashpërsuar tonet ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke deklaruar se kjo nismë nuk është simbolike, por ka objektiva konkrete strategjike, madje, sipas tij, edhe pushtimin e Serbisë.
Gjatë fjalimit në ceremoninë e Ditës së Shtetësisë, Vuçiç tha se Serbia ka vuajtur shumë, dhe tani po përballet me presione të reja dhe me aleanca që, sipas tij, janë krijuar për të vepruar kundër Beogradit.
“Ne jemi një nga popujt që kemi vuajtur më së shumti dhe duhet të ruajmë kapacitetin tonë demografik. Do të përballemi me presione më të mëdha se kurrë më parë. Aleancat që po krijohen kundër nesh nuk janë bërë për të qenë lajmi i dytë apo i pestë në edicionet informative, por për të vepruar aktivisht kundër nesh dhe për të krijuar një fushë të unifikuar veprimi pa ‘guralecë në këpucë’, dhe Serbia është ai guralec në këpucë. Prandaj duhet ta ruajmë Serbinë, sepse po krijohen aleanca për ta sulmuar nga drejtime të ndryshme. Unë po them atë që di, dhe kur të shpërthejë një luftë edhe më e madhe, qëllimi është të ekzistojnë forca të afta për të pushtuar vendin tonë”, deklaroi Vuçiç.
Sipas B92, ai shkoi edhe më tej, duke shtuar se në rast të përshkallëzimit të konflikteve globale, “qëllimi është të ekzistojnë forca të afta për të pushtuar vendin tonë”.
Më 18 mars 2025, në Tiranë, u nënshkrua marrëveshja për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Sipas deklarimeve zyrtare të tre vendeve, nisma synon rritjen e bashkëpunimit strategjik në siguri dhe mbrojtje, forcimin e ndërveprimit ushtarak përmes edukimit dhe trajnimeve dhe zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta.
Autoritetet në Tiranë, Prishtinë dhe Zagreb kanë theksuar se kjo nuk është një pakt ushtarak klasik, por një platformë bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe koordinimin rajonal.
Megjithatë, këto sqarime duket se nuk e kanë bindur presidentin serb, i cili e sheh këtë zhvillim si pjesë të një rrethimi strategjik ndaj Serbisë.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Vuçiç artikuloi tre prioritete për Serbinë në periudhën që vjen: ruajtjen e paqes, përgatitjen për presione të jashtme dhe forcimin e unitetit të brendshëm.











