Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar për akuzat e Partisë Demokratike se po blihen dhe vidhen votat. Në një dalje për mediat Sekretari i Përgjithshëm i LSI Luan Rama shprehu keqardhje për akuzat e PD, që sipas tij janë vetëm alibi e frikës që kanë se do të humbasin zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.
Duke e cilësuar Lulzim Bashën si kryekuzhinierin e SHQUP-it, Rama theksoi se ai është vetëm një dështak i cili nuk ka asnjë alternativë përveç shpifjes dhe akuzave për qytetarët. Sipas Ramës, fitorja e 21 Qershorit është e padiskutueshme për mazhorancën, ndërsa ftoi opozitën që për akuzat t’i drejtohet autoriteteve të rendit.
Në fund të fjalës së tij, Rama ironizoi Bashën duke u shprehur: O Lulo të hëngërt tenja, se e ke të keqen brenda”.
Më poshtë deklarata e plotë e Luan Ramës për mediat:
Dua që të shpreh dhimbjen e madhe për gjendjen e dëshpëruar e të pashpresë në të cilën gjendet kuzhina e mykur dhe kryekuzhinieri i dështuar i SHQUP-it, të cilët, të përfshirë prej panikut të humbjes së radhës në zgjedhjet e 21 qershorit, kanë sajuar alibinë e shpifjes për gjoja blerje të votuesve!
Makina e vjetër propagandistike e stilit stalinist të SHQUP-it, në përpjekje për t’i paraprirë humbjes që do të vijë prej ndëshkimit qytetar, është kaq e çekuilibruar dhe e çoroditur, saqë fyen e poshtëron votuesit dhe mbështetësit e vet, të cilët i konsideron si mall që shiten e blihen, duke dëshmuar në këtë mënyrë, krizën e thellë e të pashërueshme të besimit ndaj SHQUP-it, si kuzhinë e shpifjeve dhe e trillimeve bajate.
Frika e pamundësisë për t’i shkuar garës deri në fund, mungesa e alternativës reale për qytetarët, kriza e besimit të qytetarëve ndaj SHQUP-it dhe kryekuzhinierit të dështuar që si një dështak që e dinte se do të humbasë i iku ballafaqimit me qytetarët e Tiranës, janë shkaqet reale se përse ata ndodhen në këtë gjendje mjerane e të dëshpëruar.
Rritja e mbështetësve dhe e votuesve të LSI-së në të gjithë vendin, forca dhe besimi i qytetarëve që gjejnë tek LSI shprehësen dhe mbrojtësen e interesit të tyre nga njëra anë, dhe, zhgënjimi e distancimi real prej SHQUP-it i shumë qytetarëve, janë parathënie e qartë e verdiktit qytetar të 21 qershorit që si më 23 qershor të vitit 2013, do të dinë të dënojnë me votë, trilluesit dhe fabrikuesit e çorbës bajate të kuzhinës së SHQUP-it.
LSI është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet e të japë të gjithë kontributin e nevojshëm, që të realizojë një proces zgjedhor të ndershëm e korrekt, dhe të mos lejojë askënd në SHQUP a kudo tjetër që të kontaminojë e të prishë procesin zgjedhor.
SHQUP-i dhe kryekuzhinieri i dështuar i tij, të heqë dorë prej alibisë së shpifjeve, dhe nëse ka prova apo fakte, për cilindo përfaqësues, anëtarë a simpatizantë, votues apo mbështetës të LSI-së, le t’i dërgojë ato pranë organeve kompetente të zbatimit të ligjit.
Për të gjitha shpifjet, sajesat dhe trillimet e turpshme, LSI u është drejtuar organeve të zbatimit të ligjit, të cilat i nxit, i inkurajon dhe i mbështet që të ndëshkojnë me rreptësinë më të madhe cilindo që tenton apo që rezulton të jetë i implikuar në përpjekjet për të manipuluar, vjedhur, blerë apo tjetërsuar votën.
Kryekuzhinieri dështak të mos ngatërrojë zgjedhjet e lira, të ndershme e korrekte të 21 qershorit, me fushatën e blerjeve që e emëruan atë kryekuzhinier të SHQUP-it.
Ndaj në gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet, s’më mbetet tjetër veç t’i kujtoj vargjet e këngës popullore: “O Lulo të hëngërt tënja, se e ke të keqen brenda!”