Reshjet e dëborës që përfshinë Bulqizën mbrëmjen e kaluar janë ndërprerë nga ngricat, duke shkaktuar probleme serioze në qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në rrugën e Arbrit, afër tunelit të Qaf Buallit.
Rënia e temperaturave deri në -7°C ka bërë që të formohet një shtresë akulli mbi asfalt, duke vështirësuar kalimin e automjeteve. Shoferët janë gjetur të papërgatitur për këto kushte dhe shumë prej tyre kanë mbetur të bllokuar për më shumë se një orë, për shkak të rrugëve të pasigurta dhe mungesës së ndërhyrjes me kripë.
Autoritetet lokale dhe firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës kanë marrë masa urgjente dhe janë kujdesur për të siguruar kalueshmërinë e rrugës, duke përfshirë përdorimin e kripës dhe pastrimin e akullit, për të shmangur bllokimet e tjera në këtë rrugë.