Pas disa ditësh qetësi, zjarret kanë nisur sërish.
Ministria e Mbrojtjes, përmes një njoftimi, bën me dije se nga ora 09:00, deri në orën 16:30, janë raportuar 10 vatra zjarri, gjashtë prej të cilave janë shuar dhe katër të tjera mbeten aktive.
“Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive”, njofton ministria.
Në fshatin Delisuf, Novoselë të Vlorës, situata paraqitet paksa më kritike, pasi zjarri ka rënë në një terren ranor, e për shkak të favorizimit nga era ka marrë shtrirje drejt fshatit Pishë – Poro. Në zonë ndodhen tre automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, katër forca AdZM, si dhe dhjetë forca bashkiake. Po kështu, në ndihmë kanë ardhur katër helikopterë nga Baza e Kuçovës, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro. Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë. Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet në njoftim.
Sakaq, aktive mbeten vatrat në Parkun Natyror Gërmenj, në fshatin Pezë Helmës të Tiranës, si dhe në fshatin Bogovë të Skraparit. Në Bogovë, zjarri është aktivizuar në një hangar, e më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Fatmirësisht, nuk ka rrezik për banesat.
“Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.
Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.
Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat“, thuhet në njoftim.
Siç njofton ministria, janë izoluar plotësisht vatrat:
1. Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës
2. Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe
3. Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës.
4. Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.
5. Në Lagjen 18, Rajoni Nr.1, bashkia Korçë.
6. Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr.1, bashkia Tiranë.
Kujtojmë se disa nga situata me zjarret në vend, janë të qëllimshme. Për këtë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka paralajmëruar se zjarrvënësit do të përballen me forcën e ligjit.

