Gati një muaj nga aksidenti i rëndë në Kavajë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur teksa shkonin së bashku me nënën në burgun e Rrogozhinës për të takuar babain e tyre, dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës. Procedimi penal në ngarkim të tre zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar të arrestuar pas këtij aksidenti, prej katër ditësh është transferuar nga Kavaja në Tiranë, ku tashmë prokurori Endrit Bimi, po drejton hetimet kundër tre të arrestuarve Dritan Fejzo, drejtor juridik, Bib Gjomarkaj, drejtor rajonal në ARRSH, si edhe Lekë Tushajn, drejtor i kolaudimit po në këtë institucion. Ditën e shtunë gjykata e Tiranës ka vendosur të njohë masën “arrest në burg” të vendosur nga gjykata e Kavajës.
Tashmë prokuroria e Kavajës është duke kryer një sërë veprimesh hetimore, për të qartësuar përgjegjësitë penale të tre personave të arrestuar. Në vijim të hetimeve për aksidentin të shtunën me 7 maj, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, 3 dhe 5 vjeç nëna e tyre bashkë me foshnje 13 muajshe Prokuroria e Kavajës ndaloi këtë të enjte dy zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Tre zyrtarët e arrestuar
Dritan Fejzo, Drejtor Juridik në Autoritetin Rrugor Shqiptar si dhe Bib Gjomakaj Drejtor Rajonal po aty, akuzohen për “shpërdorimit të detyrës”. Mësohet se ata janë ndaluar në zyrën e prokurorit të Kavajës, nga oficerë të policisë Gjyqësore të kësaj prokurorie. Të dy zyrtarët sipas burimeve të policisë, akuzohen se nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit, që parashikonte zhvendosjen e vendnodhjes së karburantit përtej rrugës dytësore në segmentin rrugorë Plepa-Rrogozhinë, pranë zonës së Qerretit në Kavajë.
Po ashtu në këtë segment edhe autostrada duhej të ishte e ndarë nga rruga dytësore, pikërisht bazuar në vendimin e Gjykatës. Kompania e cila ka në pronësi karburantin pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja, kishte aplikuar pranë Autoritetit Rrugor, më parë, për për një hapje të saj me autostradën, por ky aplikim ishte rrëzuar. Ndërkaq ky rrëzim ishte paditur në Shkallën e Parë që kishte dhënë të drejtë kompanisë së karburantit, por se Shkalla e dytë e kishte hedhur poshtë këtë pretendim.
Sipas prokurorisë nëse barrierat mbrojtëse do të ishin vendosur në këtë segment rrugor, dëmet do të kishin qenë edhe më të vogla. Njëherësh me urdhër të prokurorisë është arrestuar dhe Lekë Tushaj drejtor i sigurisë dhe cilësisë në ARRSH pasi sipas saj ai ka firmosur marrjen në dorëzim të sigurisë së rrugës e është nën hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Tragjedia në rrugë
Një aksident i rëndë rrugor i mori jetën dy fëmijëve të familjes Negollari nga Durrësi, ndërsa e ëma mbeti e plagosur bashkë me fëmijën tjetër 13 muajsh. 24 vjeçarja Silva Negollari po shkonte sëbashku me 3 fëmijët për të takuar bashkëshortin në burgun e Rrogozhinës, i cili një ditë pas aksidentit u la i lirë. Aksidenti ndodhi në zonën e Qerretit, ku Negollari humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga duke u përplasur me trafikndarësen. Prokuroria e Kavajës ka nisur një hetim mbi elementët e sigurisë në rrugë, duke zbuluar një skandal të madh, gjë e cila solli më pas arrestimin e tre zyrtarëve.Një javë pasi humbën jetën dy fëmijë 3 dhe 5 vjeç, në zonën e Qerretit në Kavajë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë për vendosjen e barrierave anësore, të cilat ishin edhe shkak për pasojat fatale të këtij aksidenti.
Punonjësit e mirmbajtjes së rrugëve kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për të bërë riparimin e trafikndarëseve,të cilat prej muajsh ishin hequr për ti hapur rrugëkalimin një karburanti privat. Për riparimin e kësaj rruge, me qëllim plotësimine standardeve rrugore, ka pasur edhe një vendim gjykate, i cili nuk ishte zbatuar prej Drejtorisë së Rrugëve.(shqiptarja.com)
ma.me