390 studentë kanë nisur studimet Bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë. Në ceremoninë e fillimit të vitit akademik, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u shpreh se përfshirja e të rinjve në formimin e brezit të ri të Policisë është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e institucionit. Hita tha se vendimi për t’u dhënë maturantëve mundësinë për të konkurruar për studimet në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” ka rezultuar i duhuri, duke theksuar rëndësinë e energjisë dhe mentalitetit të brezit të ri në rritjen e besimit të qytetarëve te Policia.
“Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri, energjia, mentaliteti dhe fytyra e re, komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te Policia”, u shpreh Hita.
Sipas tij, gjatë tre viteve të fundit, interesi i maturantëve për programin Bachelor ka qenë i lartë. Mijëra të rinj kanë konkurruar për të ndjekur studimet, ndërsa këtë vit, pas një procesi konkurrues dhe transparent, janë përzgjedhur 390 studentë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi zhvillimin e Akademisë së Sigurisë, duke theksuar se institucioni është tashmë pjesë e bashkëpunimeve me akademi prestigjioze në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Ai përmendi gjithashtu literaturën e akademive të huaja, si dhe ambientet dhe laboratorët në dispozicion të studentëve dhe pedagogëve. Hita tha se edhe vetë është shkolluar në këto ambiente, por theksoi ndryshimin mes kushteve të atëhershme dhe atyre që ofron Akademia sot.
Sipas tij, ndër vite Policia e Shtetit është zhvilluar profesionalisht dhe tashmë është një partner i besueshëm, pjesëmarrës në hetime dhe operacione ndërkombëtare. “Policia nuk është thjesht profesion, por mision”
Duke iu drejtuar studentëve të rinj, Hita theksoi se tre vitet e ardhshme do të jenë një periudhë e rëndësishme për formimin e tyre profesional dhe njerëzor.
“Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision. Dhe për të përmbushur këtë mision duhen këmbëngulje, vullnet, dije, përgatitje fizike, disiplinë, respekt për njëri-tjetrin dhe për pedagogët”, tha ai. Hita u kërkoi studentëve që të shfrytëzojnë maksimalisht vitet e studimit, duke nënvizuar se dija, stërvitja dhe disiplina do të jenë elementët kryesorë të formimit të tyre.
“Pas tri vitesh do të jeni oficerë të Policisë së Shtetit, një titull që ju jep privilegjin, por mbi të gjitha përgjegjësinë, për t’iu shërbyer qytetarëve, sigurisë dhe vendit”, deklaroi Hita.
Drejtori i Përgjithshëm tha gjithashtu se Akademia e Sigurisë do të vijojë të jetë një prej prioriteteve të tij, duke e cilësuar atë si “motorin kryesor të rigjenerimit të Policisë”, përmes shkollimit, trajnimit dhe përgatitjes së brezave të rinj. Hita u kërkoi studentëve të komunikojnë për çdo problematikë apo ide që mund të ndihmojë në përmirësimin e procesit, ndërsa i porositi që të mos harrojnë përgjegjësinë që kanë marrë përsipër.
“Mos harroni përgjegjësinë që keni marrë mbi vete dhe përkushtimin që duhet të keni për të dalë sa më të aftë nga ky fakultet, për t’i shërbyer qytetarit, ligjit dhe atdheut!”, theksoi ai.











