1/3 e bizneseve në Shqipëri kryejnë evazion fiskal duke iu shmangur në këtë mënyrë taksave. Alarmi është dhënë nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj i cili në një dalje për mediat, paralajmëroi nisjen në shtator të operacionit ndaj informalitetit.
Duke e krahasuar këtë operacion të ngjashëm me atë të energjisë elektrike, Ahmetaj theksoi se situata nuk është krijuar tani, por është trashëguar nga qeverisja e kaluar.
Në këtë kuadër Ahmetaj tha se në shtator nis operacioni në terren për të ndëshkuar të gjithë shkelësit e ligjit.
Ahmetaj i drejtoi apelin e fundit bizneseve që operojnë pa licencë apo atyre që nuk kanë një kasë fiskale qëtë pajisen dhe të regjistrohen me gjithë dokumentacionin e nevojshëm, përpara nisjes së aksionit.
“Duhet të ndërtojmë një shtet ku secili paguan atë që i takon dhe ata që mundohen t’ia hedhin të tjerëve të ndëshkohen. Kjo është një betejë kundër informalitetit dhe kundër atyre që i shmangen taksave. Koston e vjedhjes së njëri-tjetrit e paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Ahmetaj.
Më tej Ahmetaj tha se kompanitë kanë nevojë për konkurrencë të ndershme” dhe shtoi se “informaliteti gllabëron paratë e shqiptarëve”.
“Duhet ta luftojmë këtë sëmundje. I bëj apel të gjithë bizneseve të vendosin kasën fiskale para se të nisë operacioni në shtator dhe të vihen para ligjit”, tha Ahmetaj.









