Bëhet fjalë për favorizimin e paligjshëm të kompanisë CEZ, me anë të ndryshimit të nivelit të borxhit të keq nga 4 % në 14 %, duke i dhuruar kësisoj CEZ 130 milionë USD gjatë tre viteve. Nën presionin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ERE, me vendim Nr. 99, datë 20.09. 2011, i ka njohur rritjen e borxhit të keq CEZ për vitet 2008, 2009 dhe 2010, në masat 14%, 14% dhe 13%.
“Nivelet aktuale të borxhit të keq, me korrektimet e mësipërme, për vitet 2008, 2009, 2010 janë respektivisht 14 %,14 % dhe 13 %. Borxhi i keq do të llogaritet si përqindje mbi shumën e të ardhurave të furnizuesit publik me pakicë sipas pikës 5.2 të deklaratës Rregullatore”, thuhet në vendimin e ERE.
Sipas llogarive dhe bilancit të anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar, ky vendim i ERE i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 130 milionë USD. Shqiptarja.com ka mësuar se favorizimi i CEZ me anë të borxhit të keq do të jenë pjesa më e rëndësishme e dosjes, e cila do të referohet në organin e akuzës, duke përfshirë, sipas përgjegjësisë, ish-zyrtarët e implikuar.
Vendimi i ERE ka ardhur pas një letre të drejtuesve të CEZ drejtuar ish-këshilltares së ish-kryeministrit Berisha, znj. Suzana Goxholli. Menjëherë pas letrës, në lëvizjeve janë vënë organet e kontrolluara asokohe nga Berisha. Por në letër, CEZ, ka kërkuar që borxhi i keq të njihej në nivelin 16.85%. Për të plotësuar kërkesat e CEZ, ERE, në datë 29.06.2012 ka miratuar rishikimin e çmimit nga 2.83 lekë/kwh, duke e çuar në 2.2 lekë.
Në të njëjtën kohë, u mundësua ulja e tarifës së shitjes së energjisë elektrike nga KESH tek CEZ, duke e favorizuar CEZ në mënyrë të trefishtë. Në shpjegimet e tyre, Sali Berisha dhe Ridvan Bode, janë mbrojtur me argumentin se borxhi i keq dhe humbjet janë konfirmuar me vendim gjykate, por ka rezultuar se ish-drejtuesit e institucioneve nuk i kanë ankimuar këto vendime, duke konfirmuar se proceset gjyqësore kanë qenë formale.
Organet nën varësi të qeverisë “Berisha” kanë favorizuar CEZ, duke i njohur rritjen e nivelit të borxhit të keq me 10 %, në shkelje flagrante të vendimeve të miratuara po nga qeveria “Berisha”, të cilat përcaktonin rregullat, detyrimet dhe kushtet e privatizimit të OSSH. Konkretisht, CEZ është favorizuar në shkelje të VKM nr. 487 datë 16.04.2008 dhe VKM nr. 835, datë 11.06.2008. është shkelur hapur pika 5.2 e VKM nr. 835 datë 11.06.2008, e cila parashikon vetëm llogaritjen e borxhit nga CEZ, por jo ndikimin e financiar të tij tek palët, për shkak se mbledhja e faturave të energjisë ishte detyrë e CEZ.
Në kohë kur CEZ negocionte me qeverinë “Berisha” dhe ERE urdhërohej që t’i njihte një borxh edhe më të madh, CEZ kishte filluar lëvizjet me disa kompani për të mbledhur borxhin e keq, duke i ndarë përgjysmë paratë e mbledhura. Pjesë e këtyre kompanive ishte edhe e famshmja DIA. Skandali mes CEZ dhe kompanive në fjalë, ka krijuar dyshime të forta, se nga afera me borxhin e keq kanë përfituar të gjitha palët, në dëm të shtetit shqiptar.
Gjetjet e komisionit, dëmi ekonomik
Teksa vijon puna me pyetjen e dëshmitarëve dhe mbledhjen e dokumenteve, komisioni hetimor parlamentar për çështjen CEZ ka bërë disa gjetje paraprake. Komisioni ka konstatuar se nga ngritja e çmimeve me pakicë të energjisë në vitet 2010-2014, sipas vendimit të ERE-s nr. 100, datë 15.12.2010, dëmi ekonomik i shkaktuar është 228 milionë dollarë. Dëmi i shkaktuar nga kompensimi- diferencë- tarifë shitje për vitin 2009 është 3,7 milionë dollarë. Dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, për efekt të ndryshimit të humbjeve nga 32% në 34,5%, është 88 milionë dollarë. Pavarësisht se pretendohet se kjo kompani është shitur 102 milionë euro, shteti shqiptar jo vetëm që nuk i ka marrë këto 102 milionë euro, por, përkundrazi, ka dalë me humbje. Shuma totale e dëmeve të llogaritura deri më tani është 414 milionë euro.
Shpjegimet e Berishës dhe të Bodes për historinë e borxhit të keq
1. Sali Berisha
“Së pari, në 2007-n të përfundonte një herë e mirë ndërprerja e energjisë dhe të hiqeshin motorët dhe ajo u bë. Së dyti, të hiqeshin faturat oforfe dhe ato u reduktuan. Kur erdhëm ne, më shumë se gjysma e familjeve paguanin fatura aforfe. Ne i reduktuam në shkallën maksimale. Së treti, jo rritje çmimi. Kjo nuk u lejua në asnjë rrethanë, ai krim i shëmtuar që bëtë ju me qytetarët duke ua rritur çmimin sa erdhët në pushtet me 24%, në një kohë që Edi Rama vodhi me CEZ-in 634 milionë euro. Ai është krim makabër. Sigurisht ju vodhët paratë e faturave, Edi, jo ju, dhe ua ngarkoi qytetarëve. Nuk u rrit çmimi i energjisë nga ne, nuk i takonte Edit që ta rriste çmimin e energjisë, përkundrazi, lexojeni kontratën se çfarë thoshte për çmimin e energjisë në vitet 2013-2014. Lexojeni mirë. Nuk u rrit çmimi, por Edi Rama futi duart e zeza bashkë me CEZ-in, bashkë me ata hajdutë që falimentuan kompaninë. Dhe pastaj njeriu që u zotua se do ta heqim, do ta ulim, të zbresë në 6% TVSH-në e energjisë. Jo që nuk e preku as 0,1%, por e rriti me 24% çmimin e energjisë dhe bërtet i papërgjegjshëm para shqiptarëve, që të gjithë e dinë se është i sëmurë, se “nuk e kemi rritur, nuk është e vërtetë që e kemi rritur çmimi i energjisë”, paçka se banka…
2. Ridvan Bode
“Nuk është e vërtetë që qoftë borxhi i keq, qoftë humbjet në rrjet, dy treguesit kryesorë që përcaktojnë dhe ndikojnë në nivelin e tarifës dhe vetëshpërndarjes së çmimit në zinxhirin e energjisë elektrike kanë qenë pjesë e vendimmarrjes së qeverisë apo vetëm e Entit Rregullator. Jo, sepse kanë qenë dy palë: shteti shqiptar dhe ai që e blinte. Ka qenë kompania ndërkombëtare e zgjidhur nga të dyja palët, që ka qenë Deloitte and Touche, e cila ka bërë fiksimin e parametrave që ju bëni hesape, humbëm aq e fituam kaq. Ne nuk kishim asnjë të drejtë. Nga momenti që institucionet shqiptare nuk zbatuan ligjin, vendimet e gjykatave kanë qenë… Ka dy vendime gjykate: vendim për borxhin e keq dhe për humbjen në rrjet”.