Administrata tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të këtij muaji.
“Bazuar në Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 60 “Detyrimi i tatimpaguesve për të dhënë informacion administratës tatimore”, Ju bëjmë me dije se duhet të depozitoni inventarin analitik të datës 31.12.2025”, thuhet në njoftimin që u është dërguar subjekteve.
Ky informacion duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 31.01.2026, me emrin Inventari 31.12.2025
Bazuar në analizën e riskut duke marrë për bazë një sërë indikatorësh si mosdorëzimin ne afat , pasaktësinë e tij, mospërputhjen me të dhënat nga fiskalizimi etj , tatimpaguesi mund të konsiderohet me risk dhe bëhet objekt i verifikimit në vend, për saktësinë e këtij inventari, përfundon njoftimi i tatimeve.
Ka biznese që ankohen se pas probleme që ata hasën me self-care, që për tre javë, deri ditën e djeshme ishte tërësisht jashtë funksioni, ky afat është tepër i shtrënguar, pasi nuk kanë pasur akses në rakordimin e faturave. Të tjerë pohojnë se mosfunksionimi i self-care nuk pengon për inverntarët, pasi informacioni mund të merret nga sistemi i tatimeve e-filing.
Mosfunksioni i self-care ka penguar bizneset dhe në hartimin e pasqyrave financiare të 2025-s. “Normalisht, Self Care është baza kryesore për rakordimet. Edhe tani, gjatë përgatitjes së Planit Financiar vjetor 2025, duhet të kryhen disa rakordime me Self Care, prandaj është e nevojshme të kesh akses në platformë”, ka pohuar me herët kontabilisti Sotiraq Dhamo.
Edhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë kërkoi një plan emergjence dhe një shtyrje e afateve të bilanceve, që është 31 marsi, por që përgatitja e tyre kërkon kohë dhe puna nis që në janar.
Sipas shoqatës, rakordimi i shitjeve dhe konfirmimi i blerjeve midis asaj që raporton softueri dhe asaj që ka “gllabëruar” serveri tatimor është kthyer në një mision të pamundur.
Pa këtë pasqyrë të qartë, hartimi i Pasqyrave Financiare kthehet në një ushtrim hamendësimi, duke cënuar parimin bazë të vërtetësisë./Marrë nga Monitor












Amund te hetohete