Anila Bisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën për sigurim padie të aktores për pezullimin e ministres virtuale “Diella” që ka zërin dhe imazhin e saj.
Pala paditëse pretendoi se kontrata ishte vetëm për asistente virtuale, por ajo është shkelur. Tashmë pritet që çështja të kalojë në seancë themeli ku aktorja kërkon dëmshpërblim 1 milion euro për prishje imazhi.
Në një reagim për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Bisha është shprehur se nëse nuk do ia dalë me gjykatat shqiptare, do e çojë çështjen deri në Strasburg.
Kjo pasi Bisha pretendon se i janë marrë të drejtat personale për ministren Diella, pa asnjë kontratë.
“Ky është vendimi i gjykatave shqiptare! Mua më përdorën të drejtat personale për ministre pa asnjë kontratë dhe gjykata këtë nuk e merr fare parasysh. Por unë do të vazhdoj padinë time më tej. Nëse nuk ja dal me gjykatat tona, absolutisht çështjen do e çoj në Strasburg!”, thuhet në reagimin e aktores Anila Bisha për ‘Studio Live’ në Report TV./shqiptarja.com/











