LSI dhe PS po dëmtojnë rendë procesin zgjedhor nëpërmjet blerjes së votave, manipulimit të sistemit TIMS dhe presionit të administratës publike për të votuar në favor të tyre. Ka qenë kjo deklarata e fortë e kandidates së Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës Voltana Ademi, në një takim publik me temën “Gratë dhe fëmijët në programet e kryebashkiakëve” organizuar nga Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA) ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori Amerikan, Donald Lu.
“Duhet të verifikohet në mënyrë të menjëhershme sistemi TIMS. Ka denoncime se po përdoret sistemi TIMS në mënyre abuzive për regjistrimin e emigranteve që gjoja hyjnë në Shqipëri, për të justifikuar votimin fiktiv të tyre nga persona të tjerë, përmes përdorimit të kartave falso”, tha Ademi.
Ajo u ndal edhe tek blerja e votës në këmbim të parave duke theksuar se koalicioni qeverisës PS-LSI u kërkojnë qytetarëve kartat e identitetit dhe u japin shuma nga 30 apo 50 euro në varësi të sasisë së votave që do të garantojnë për ta.
Blerja e votave në Shkodër nga këto stafe elektorale, tha Ademi, po organizohet edhe nëpërmjet shpërndarjes së thasëve me miell, vaj, sheqer apo oriz të cilat u jepen familjeve të ndryshme.









