Intervistoi Xhevdet Shehu / Gazeta Dita
Avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla, në këtë pjesë të dytë të intervistës ekskluzive jep një përgjigje kategorike në emër të klientit të tij se as ka dhe as nuk do të ketë as paqe dhe as ndonjë pakt midis Izet Haxhisë dhe Sali Berishës.
Një nga çështjet më të diskutuara kohët e fundit ka qenë e dashura franceze e Izetit. Si qëndron e vërteta? Reagimi i Izetit dhe një postim në Facebook e Ismet Haxhisë…
– Avokat, cili është roli i të dashurës së tij në këtë histori, pasi po flitet shumë për të?
– Xhevdet, ti e di shumë mirë se në këtë botë nuk ka histori pa dashuri! Më konkretisht respektoj të gjithë aktorët që sinqerisht sakrifikojnë nga vetja e tyre duke investuar për t’u zbardhur e vërteta dhe për t’u bërë drejtësi në këtë vend sepse ajo është shtylla vertebrale e dinjitetit të një shoqërie të civilizuar njerëzore. Jam kategorikisht kundër atyre që me mendimet apo veprimet e tyre, rreshtohen kundër kësaj rrjedhje që përmenda më sipër. Duke e përfunduar përgjigjen e kësaj pyetjeje më duhet të pohoj se roli i secilit në këtë proces gjyqësor penal historik do të memorizohet dhe do të jetojë gjatë dhe secili në përpjekjen për më të mirën do të marri edhe kontributin e vet.
– Zoti avokat, dje më the se ti bashkë me Izetin jeni të vendosur që kësaj çështjeje t’i shkoni deri në fund. A disponon Izeti fakte të tjera nga ato që ka thënë deri tani publikisht?
– Nuk besoj se hapja në faqen e parë në gazetën “DITA” me artikullin a do të ketë pakt Izet Haxhia me Sali Berishën?, do të përbënte një mundësi të mos përgjigjesha. Ashtu si kundër e kemi lënë në mundësinë e shpjegimeve të mia pas kontaktit direkt me Izet Haxhinë, dua të them se në konfidencë dhe jo vetëm në takimin e zakonshëm jam shprehur me Izet HAXHINË kam parë dhe ndjerë këto deklarime të drejtpërdrejta:
-Bashkimi avokati im, si kur dhe qielli me tokën të bashkohen mua me Sali Berishën dhe shpurën e tij nuk më bashkon asgjë.
-Kam ardhur këtu me vetëdije të plotë të përballem me atë person, shtetas që e ka emrin Sali Berisha.
– A është i shqetësuar Izeti që gjyqtarët tërhiqen dhe ngurrojnë të marrin përsipër gjykimin e tij?
– Në përgjigje të pikës 2, Izet HAXHIA nuk merret me gjyqtarë që tërhiqen apo që mund të kërkojnë të marrin çështjen në gjykim, në përputhje me detyrën e tyre. Ai pret që të zgjidhet “rebusi” i këtij akti procedurial, normal se s’ka pse të përkthehet si anormal.
– Le të bëjmë një supozim: Nëse asnjë gjyqtar nuk e merr përsipër rigjykimin e kësaj çështjeje, a ka hapësira ligjore që në këtë rast të kërkohet një trupë gjyqësore e huaj?
– I nderuar, miku im, supozimi dhe ëndërrimi është tjetër gjë. Gjërat janë të qarta si në ligjin material ashtu dhe në atë procedurial, ata që kanë mangësi në këtë drejtim të kulturës juridike, s’ua ka mbyllur kush derën të lexojnë e të studiojnë.
– A ndikon vetingu në gjyqësor për shtyrjet që po i bëhen hapjes së Dosjes Hajdari?
– Më lejo të shpjegohem, vetingu ende sa ka “futur hundët” në gjyqësor dhe subjekt objektet e vetingut nuk dinë ku kanë veten, pa le të marrin përsipër hapjen e dosjes HAJDARI. Edhe njëherë e them unë dhe klienti im Izet HAXHIA kërkojmë që, të sqarohet e vërtetohet pozicioni ynë juridik, me konkluzionin se kur faktet mungojnë përse duhet të lëngojmë 25- vjet vuajtje dënimi të padrejtë.
Edhe një herë dua të sqaroj, pse? Është tjetër gjë hapja e dosjes HAJDARI dhe është tjetër gjë, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria Izet HAXHIA në atë proces penal.
– Pas disa ditësh mbushen plot 20 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit. Mendoni ju, por edhe Izeti se do të dalin fakte tronditëse që mund të përmbysin historinë e asaj vrasjeje?
– Zbardhja e krimit dhe e autorëve të krimit nuk matet as me një vit as me një 20- vjet, e vërteta zhytet po nuk mbytet. Faktet tronditëse që ju flisni nuk mund të krijohen artificialisht ato nëse janë do të vijnë logjikisht dhe do të jenë në lartësinë e provës, për shqyrtim në hetim dhe në gjykim.
– Vrasja e Azemit është quajtur edhe si “vrasja e shekullit”. Mendoni se rishqyrtimi i dosjes Hajdari mund ta kthejë këtë proces në “procesi i shekullit”?
– Po, i përgjigjem kryeartikullit që keni botuar dje. Izet HAXHIA sa të jetë gjallë kurrë nuk mund të bëj kompromis me Sali Berishën. Unë kam komunikuar sërish dje me klienmtin tim dhe ma ka theksuar sërish këtë bindje të tij. Kurrë! Kurrë! As pakt, as kompromis me atë kriminel të ndëshkuar moralisht nga shumica e shqiptarëve! Kështu më ka thënë dje Izeti.
– Ç’ju tha tjetër Izeti dje?
– Përveç të falave për ty Xhevdet, po u them ato që nuk kanë të bëjnë direkt me procesin. Izeti më tha: Nuk kam nevojë as të më mëshirojë dhe të më mbrojë askush në devizën time për drejtësi, respektoj gjithkënd që është dakord me vendimin tim të patjetërsueshëm, për të cilën jam përgatitur të paguaj çdo çmim, çmimin e lirisë dhe të drejtësisë.
Përsa i përket statusit të plotë që gëzon e dashura ime Erjona PARRUCA, dua të rideklaroj se çdo gjë që ka deklaruar është me miratimin tim, ai apo ajo që futet në gjërat e mia të shenjta dhe personale kushdo qoftë ai pa dashjen time e rreshton veten në krah të Sali Berishës me të cilin nuk kam vetëm unë punë po ka e gjithë Shqipëria dhe drejtësia.
Ju a kam bërë të qartë, -më tha mua,- gjithë kujt, se në luftën time për drejtësi nuk do të kursej as kënd, as vëllain tim,as mikun tim, as avokatin tim, as kënd. Ju lutem gjithkush që i lexon këto ti kuptojë drejtë e ti shpjegojë saktë, nuk do t’ia falë askujt do të degjeneroj procesin, i cili më ka kushtuar gjysmën e jetës, si kundër aksioma tjetër,” prangat mund ti duroj edhe burgun e përjetshëm, por lulet dhe dashurinë nuk mund të mi vrisni dot, ju lutem kini kujdes?!
– Po flitet se do të kemi vetting edhe për klasën politike. A do ta ndihmojë ky veting procesin tuaj?
Kur e takova ditën e parë të përfaqësimit tim ligjor në ambientet e burgut 302, ai mu drejtua,- ku je Bashkim NIKOLLA,?- këtu jam, ju përgjigja unë, kaq krime paske bërë ti?? Jo më thotë unë nuk kam vrarë as një pulë as një zog, nga e majta në të djathtë kam “sistemuar” nga ndonjë politikan, për të vetmen gjë jam pishman, se ata duhet të ishin shkundur më shumë. Unë e ti jemi nga familje patriotike, sepse e thamë edhe dje edhe sot, si të tilla, na detyrojnë që edhe të vuajmë dhe të rrojmë dhe të mbijetojmë për të treguar të vërtetën, të cilat për dikë mund të jenë pate e nxehtë.
Ismet Haxhia: E vërteta e marrëdhënieve tona me Izetin dhe e dashura virtuale e tij
Në një status në FB, vëllai i Izet Haxhisë, Ismeti, ka komentuar marrëdhëniet me vëllain e tij dhe thashethemet për të dashurën e tij. Ai thotë se e dashura e tij është virtuale dhe po e përdorin kundër nesh, pra njerëzve më të afërt të tij. Në vijim, statusi i plotë i Ismetit:
Te dashur miq. Këto ditë në media është hapur një treg i madh shitblerjeje, Ju lutem, dini gjë, kush është shitur dhe nëse dini gjë, kush e ka blerë të shiturin prej meje. Ata që më njohin, e dinë, që unë nuk shes njeri dhe kurrë nuk shitem, aq më pak familjarët dhe interesat e tyre. Ne jemi vëllezër, kemi edhe debate. E vetmja gjë që nuk kam qenë dakord me vëllain, është prishja e familjes së tij të mrekullueshme, e cila rriti dy fëmijë si engjëj, pa asnjë kontribut nga i jati, pas ca shpifje të ndyra të një personi, që bën si e dashura e tij virtuale (pasi ai kurrë nuk e ka takuar atë). Lidhur me këtë gjendje, ajo në emër të vëllait, deklaron: “Kush nuk don dhe respekton “dashurinë time”, të largohet nga jeta e Izetit.” Ne jemi vëllezër dhe motrat e atij dhe askush në botë, sado pjesë skenaresh të pista të përdorin kundër nesh, nuk mund të na ndajë nga ai dhe as kujdesi për të. Shpesh ajo ka mashtruar publikun, me faktin, sipas asaj, se gjoja unë, apo te tjere e paskemi kërcënuar, deri edhe me fëmijët, por kurrë nuk nxori për publikun qoftë dhe një provë për ndonjë kërcënim. Këtë nuk e kishte të vështirë ta bënte, pasi nuk ka lënë shpifje pa bërë për ne familjarët, deri dhe me absurdet. Ajo francuska, shpesh më ngjan me një të metë mendore, edhe pse jo rrallë e përmend që jam më e zgjuar se të tjerët dhe shpesh herë, edhe vëllain tim e ka kaluar në faza çmendurie, dyshuar kjo, nga qëndrimet që mban me familjarët, por, edhe me personelin e burgut. E ndjeja detyrim, jashtë dëshirës time, pasi kurrë nuk kam rënë në nivele kaq të ulëta me të tjerët. Isha i shtrënguar nga ilariteti mediatik dhe publik. Duke Ju përshëndetur, kalofshi ditë të lumtura, bashkë me familjet T’uaja.”