Debati më i fundit në Shqipëri është ai për Reformën Zgjedhore. Qetësia e brishtë që u vendos pas firmosjes më 5 qershor të Marrëveshjes nga anëtarët e Këshillit Politik me ndërmjetësimin e ambasadorëve të huaj, politika u trazua sërish. Dhe për këtë shërbyen partitë e vogla që përbëjnë opozitën parlamentare!
28 deputetë të saj të fundit firmosën një kërkesë për ndryshimin e dy neneve të Kushtetutës, kërkesë që u protokollua në Kuvend. Por vetëm kaq.
Nisma është guximshme, pasi synon të ndryshojë pas 12 vitesh Kushtetutën, por ajo ka gjasa që ajo kërkesë të mos merret në konsideratë dhe madje as të shqyrtohet. Ajo do të mbetet nul. Dhe kjo jo për shkak të mungesës së vullnetit politik (që sigurisht edhe kështu mund të jetë), por më së shumti për një kleçkë ligjore që mesa duket po shërben si “mburojë” për mazhorancën.
Sepse, afati përfundimtar për miratimin e Reformës Zgjedhore është 30 qershori, çka nxjerr “jashtë loje” iniciativën “revolucionare” të deputetëve opozitarë.
Kërkesa për ndryshime në Kushtetutë pengohet nga Gjendja e Jashtëzakonshme që është ende në fuqi për shkak të pandemisë botërore të Covid-19. Shtyrja e afatit të Gjendjes së Jashtëzakonshme deri në 23 qershor u votua nga Parlamenti dy muaj më parë, pasi propozimi i qeverisë kaloi në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë plenare.
Në nenin 170 Kushtetuta ka dy pika që qartësisht pengojnë atë çfarë kërkojnë deputetët opozitarë në Kuvendin e Shqipërisë. Pika 5 e nenit 170 të Kushtetutës saktëson se : “Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme.
Ndërsa në pikën 6 parashikohet që “gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme”.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, ndërsa zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, gjë që ka ndodhur.
Dhe në fakt nuk është hera e parë që ndodh kështu. Shqipëria ka përjetuar në dy fund të vitit 2019 dhe në muajt e tanishëm dy kriza të mëdha, njëra prej të cilave tërmeti i 26 Nëntorit dhe e dyta pandemia e Covid-19. / Shqip
g.kosovari











