Nga Bedri Islami
Historikisht, sa herë që shteti serb ka dashur të bëjë një lëvizje të re politike, shoqëruar me dhunë dhe përgjakje, çdo gjë ka nisur nga fjalët e përhapura , fillimisht nga një pjesë e klerit të lidhur fort me pushtetin, pastaj nga njerëz të lidhur drejtpërsëdrejti me qeverinë serbe, është demantuar fillimisht prej saj, ndërkohë që ka përgatitur skenarin e një “incidenti” të mundshëm.
Kjo po ndodh edhe tani në Kosovë.
Ka disa ditë që përfaqësues të lartë të klerit ortodoks serb e, pas tyre, njerëz të politikës, po sjellin dëshmi se me 5 gusht, ditë kur duhej të ishte përmbyllur, sipas tyre, koncensioni politik i Asosacionit, krijimit të një strukture të veçantë për komunat me shumicë serbe, do të ketë trazira, do të shpallet Autonomia e serbëve në Kosovë, do të ngrihen strukturat e saj dhe, e gjithë kjo do të ketë si paraprirje dhunë të dyanshme: nga protestuesit serbë dhe, përballë tyre Policia e Kosovës.
Mediat që i bëjnë jehonë këtij versioni, duke sjellë “të dhëna” shtesë, kanë bërë thirrje që banorët e veriut të Kosovës, sidomos në Mitrovicën e Veriut, por edhe nga komuna të tjera, të mos largohen nga vendi i tyre, por, fuqimisht, të jenë të gatshëm për të bërë përballjen e tyre e forcat e ndërhyrjes së policisë kosovare, e cila, si vihet në dukje jo rastësisht, ka edhe mbështetjen e strukturave të posaçme ndërkombëtare.
Krijimi i një qendre autonome për serbët në Kosovë ka nisur të lulëzojë si mendim pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, kur, pas dhunës së ushtruar ndaj fëmijve shqiptarë që të ndjekur nga huliganët serbë u mbytën në lumin e Ibrit, kishte një revoltë të pa llogaritur shqiptare dhe përplasje të ndjeshme edhe me forcat ndërkombëtare.
Edhe atëherë ishte thënë në mjaft media serbe, por edhe nga peshkopë serbë se, muaji mars do të ishte një muaj përleshjesh dhe se “banditët” shqiptarë po përgatiten të djegin kishat dhe manastiret serbe, përgjithsisht vendet që ata i quajnë të shenjta dhe të paprekshme.
Në vitin 2004, kur zemërimi nga zvarritjet ndërkombëtare për statusin e një shteti të ri po shkonin përtej limitit të pritjes, skanimi serb përllogariti gjithçka dhe, duke përfituar nga veprimet e dënueshme të rebelimit shqiptar, i vunë flakën, më shumë vetë ata se të tjerët, disa nga ndërtesave fetare, duke hedhur akuzën mbi revoltën shqiptare.
Tani, sipas një skenari që kundërshtohet nga një pjesë e udhëheqjes serbe dhe mbështetet nga pjesa tjetër, jo vetëm më radikale, por edhe me duart e zëna herë pas here në skenën politike të Kosovës, pakica serbe në Kosovë, sipas modelit boshnjak, po përgatitet të shpallë autonominë , sidomos autonominë e veriut të serbëve të Kosovës, si një fillesë për të krijuar një strukturë të veçantë, dominuese dhe radikale.
Që në vitin 2004 shteti serb ka ngritur strukturat e veçanta, më të specilizuara për Kosovën. Në të janë përfshirë akademikë të njohur, politologë, klerikë nacionalistë të rrymës së ashpër, ushtarakë që kanë pasur të kaluar në Kosovë, dhe, për fat të keq edhe shqiptarë të serbizuar.
Përmes këtij mekanizmi të fuqishëm tashmë janë bërë të gjitha detajimet e posaçme për zhbërjen e shtetit të Kosovës, afrimin e një lëvizje nacionaliste serbe në drejtimin e pakicës serbe në Kosovë, depërtimin financiar dhe ekonomik përmes firmave të tyre dhe lidhjee të dyanshme, rrëzimin e miteve dhe të vërtetave historike, deri në rrënimin e mitit dhe të vërtetës së një figure madhore kombëtare si ajo e Adem Jasharit apo të Adem Demaçit, çka dha frutet e saj në ditëlargimin nga jeta të Demaçit, deri në lëvizjet politike, sociale dhe nacionale të serbëve në Kosovë.
Pjesë e këtyre studimeve është edhe lëvizja e tashme, e bërë një pikun e bisedimeve Kosovë – Serbi, kur shumë gjëra janë ende nën mjegullën e enigmës dhe kur spekullimet janë më të shumta se të vërtetat e thjeshta.
Është periudha kur secila palë në këto bisedime kërkon të tërheqë litarin nga ana e vet, të përfitojë deri në momentin e fundit dhe, nëse pala serbe po i zhvillon të gjitha bisedimet mbi bazën e një platforme të ngritur mbi mendimin akademik, shqiptarët, si palë fituese e një lufte dhe bashkëfenduese e afërt e mendimit politik euroatllantik, është ende e ngritur mbi folklorizmin, iantet dhe ndasitë, të cilat, nëse do të bjerë qoftë edhe një hektar tokë, nuk do të ketë fitues dhe as të mundur. Të mundur do të jemi të gjithë.
Pikërisht në këtë kohë, jo rastësisht, struktura të veçanta serbe, që nga njerëzit e shërbimit të saj sekret dhe deri tek peshkopët radikale, ngrejnë çshtjen e autonomisë për serbët, sidomos në Veriun e Kosovës.
Edhe mund ta provojnë me 5 gusht, provat i kanë dhënë disa herë që janë të aftë të ngritin pluhur edhe mbi tryezën e bisedimeve, megjithëse këtë herë mund të ketë edhe skena të ashpra dhune.
Përballë tyre do të jetë shteti i Kosovës dhe liderët e saj, që kësaj here, janë të gjithë nga trupa e lartë drejtuese e UÇK-së.
Asnjëri prej tyre nuk e ka të drejtën që të lejojë, qoftë edhe në formë mashtrimi apo provokimi, një strukturë që i bie ndesh Kushtetutës së Kosovës.
Shteti dhe qeveria e Kosovës, si duket, i kanë marrë seriozisht paralajmërimet për një lëvizje radikale serbe dhe duket se janë përgatitur për përballimin e një ngjarje të tillë, të hidhur dhe që nuk do të mund të kalojë pa pasoja.
Serbët, nëse e kanë vërtet jo vetëm të menduar, por edhe të planifikuar, një lëvizje të tillë , qoftë autonomiste, qoftë diçka tjetër, kanë bërë llogari të prapshta dhe nuk i kanë menduar saktësisht të gjitha pasojat.
Nuk mund të ketë autonomi, as politike, as teritoriale, as financiare dhe as shtetërore për një pakicë serbe që, e ndarë në zona të ndryshme banimi, me një pjesëmarrje më pak se 5 përqind të popullsisë, synuese për shkatërrimin e vlerave të krijuara, kur, për më tepër, as disa kilometra larg tyre, në një konfiguracion kompekt, në Kosovën Lindore, jeton një popullsi hegjemone shqiptare, të cilës nuk i lejohet as flamuri i tyre kombëtar dhe po detyrohen përdhunshëm të largohen nga vendlindja.
Provokimi serb mund të jetë i planifikuar jo shumë larg Kosovës, por e vërteta do të jetë aty.
Do të jetë edhe një provë qëndrueshmërie e strukturave drejtuse të Kosovës si dhe prova e fundit në bisedimet e vështira për të ardhmen mes dy vendeve.
Kur një shtet, edhe sot e kësaj dite, e trajton kufirin e Kosovës me shtetet fqinj , njëjtë si në ditët e Milleshiviqit, ai nuk ka mësuar asgjë, por edhe prej tij duhet pritur çdo gjë.
E keqja nuk është një ves që harrohet. Sidomos tek serbët nacionalistë.