Nga: Xhevdet SHEHU
Nuk e kisha njohur më parë Marenglen Kasmin. Kur ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorëve të saj u ndërmor një sulm i paskrupullt pak vite më parë, nuk ishin të paktë ata që u indinjuan dhe patën kurajon të dilnin në mbrojtje të kësaj vlere historike të kombit tonë. Ndër ata që u vunë në llogoren e parë të mbrojtjes së kësaj vlere të madhe ishin deputeti Spartak Braho, Dr. Sabit Brokaj, Shaqir Vukaj, historianët Pëllumb Xhufi dhe Paskal Milo e sa e sa të tjerë.
Por, ai që spikati në mënyrë të veçantë për argumentet me të cilët mbronte luftën tonë antifashiste ishte Marenglen Kasmi. Një historian i ri me një kulturë gjermanike që kishte kaluar vite të tëra duke gërmuar në arkivat gjermane të Luftës së Dytë Botërore, është padyshim një prurje shumë shpresëdhënëse për historiografinë dhe kulturën shqiptare.
Përballë atyre argumenteve që solli dhe sjell në vijimësi historiani Kasmi, shtangën edhe kundërshtarët, domethënë historianët kundërshtarë, ballistë e neoballistë, ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë.
Qëkurse është shfaqur për herë të parë emri i Dr. Marenglen Kasmit në shtypin shqiptar tërhoqi menjëherë vëmendjen për temat historike që trajtonte dhe sidomos për shfrytëzimin e një burimi deri atëherë të panjohur dhe pothuajse të pashfrytëzuar nga historianët tanë. Bëhet fjalë për burimet gjermane, ndërsa marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë shekullit të 20-të kanë një kurbë të çuditshme, me ulje e ngritje, ndërprerje e lidhje sipas rrethanave historike. Më e rëndësishme dhe më e diskutueshme është periudha e Luftës së Dytë Botërore kur Shqipëria e vogël u pushtua nga hordhitë naziste hitleriane në vitet 1943-44. Është një periudhë e përgjakshme, në fund të së cilës Shqipëria doli fitimtare si pjesë e koalicionit të madh antifashist botëror.
Pikërisht interesi i jashtëzakonshëm për këtë periudhë e ka shtyrë studiuesin dhe historianin t’i futet një pune të mundimshme për të zbuluar sa më shumë të vërteta rreth në këndvështrimin e pushtuesve gjermanë.
Si rezultat i një pune të palodhur prej vitesh ai tashmë vjen para lexuesve shqiptarë me një libër të shumëpritur me titullin “MARRËDHËNIET SHQIPTARO-GJERMANE NË SHEKULLIN XX (1900-1945)”, botimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ky libër doli në fundin e vitit që lamë pas. Sikurse vërehet edhe nga titulli, autori e ka shtrirë studimin e tij përtej kohës së luftës dhe hedh dritë për shumë anë deri më tani të marrëdhënieve midis dy vendeve që nga fillimet, madje shkon edhe më pas, kur më 1989 u rilidhën marrëdhëniet diplomatike të ndërprera më 1945.Kasmi ka një kulturë solide gjermanike, pasi ai ka studiuar për shumë vite në Gjermani. Pasioni prej historiani skrupuloz e ka shtyrë të kryejë hulumtime afatgjata në arkivat gjermane.
Pavarësisht nga rreth 600 faqe që përmban libri, ai përpihet në lexim për shkak të interesit që zgjon dhe për mënyrën e rrëfimit. Kasmi ka një stil të qetë dhe të sigurt në të shkruar, me kompetencën e një historiani serioz ai mbështetet në dokumente autentike dhe krejt të panjohura. Disa fragmente DITA i ka publikuar në periudha të ndryshme, sa herë janë hapur debate për luftën Antifashiste dhe kur janë bërë përpjekje për ta errësuar apo përbaltur atë luftë.
***
Jemi para zgjedhjeve shumë të rëndësishme të 25 prillit dhe Partia Socialiste është në kërkim të një mandati të tretë qeverisës. Pavarësisht arritjeve që janë shënuar në tetë vitet e kaluara, Partia Socialiste i ka të gjitha shanset që të korrigjojë një sërë gabimesh që ka bërë, dhe të mbështetet në figura me identitet të spikatur intelektual dhe moral për të fituar besimin e shumicës së votuesve shqiptarë.
Nëse ka pasur lëkundje të besimit ndaj Partisë Socialiste gjatë këtyre viteve, arsyet mendoj se kanë qenë vetëm dy:
E para, Partia Socialiste është lëkundur në qëndrimin ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ky qëndrim ka ngjallur indinjatë tek masa e gjerë e socialistëve, të cilët besojnë se partia e tyre ka tagrin të mbrojë dhe të mos lejojë njollosjen e kësaj lufte dhe të gjakut të dëshmorëve.
E dyta, duke u përpjekur që të promovojë sa më shumë të rinj e të reja në politikë, kryetari i partisë dhe njëherësh Kryeministër, Edi Rama, ka mënjanuar figura intelektualësh dhe specialistësh me përvojë. Këta ia kanë thënë hapur Kryeministrit. Tani në kërkim të mandatit të tretë, ai ka shansin të bëjë kolaudimet e nevojshme dhe të dalë me faqe të bardhë para elektoratit që e mbështet dhe do ta votojë.
Tek figura e një intelektuali të ri si Marenglen Kasmi mishërohen të dyja: atdhetarizmi dhe intelektualizmi. Përballë shumicës anonimate në Kuvend dhe në grupin e tij parlamentar, Edi Rama duhet të zgjedhë figura dinjitoze si Dr. Marenglen Kasmi, Spartak Braho e të tjerë që nuk i mungojnë së majtës shqiptare. Përndryshe, Edi Rama nuk mund të konsiderohet një vizionar. Historia është e çuditshme! Të ndëshkon aty ku nuk e pret!
***
Kanë kaluar 30 vjet dhe Shqipëria ende nuk ka mundur të bëhet një vend si e gjithë Europa. Një ndër shkaqet e shumta të këtij tranzicioni të stërzgjatur lidhet me lënien jashtë angazhimeve politike dhe zhvillimeve shoqërore të intelektualëve të vërtetë, të ndershëm e vizionarë për të ardhmen e vendit. Të tillë Shqipëria ka, por ata janë shpërfillur nga politika. Për fat të keq, politika shpesh ka pëlqyer intelektualë mediokër, klientelistë, të komprometuar e të nënshtruar.
Treva e Gramshit ka nxjerrë jo pak intelektualë, të ditur e të shquar, në fusha të ndryshme, të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në ekonomi, kulturë, arsim, shkencë, art, muzikë etj.
Në këto pak rreshta kam nderin, por edhe detyrimin moral të njoh lexuesin e gazetës tonë me historianin Marenglen Kasmi, një personalitet dinjitoz, i ditur, i aftë e me vizion intelektual progresist. Personaliteti dhe dinjiteti i tij e kanë burimin jo vetëm te cilësitë e vlerat vetjake, por edhe te formimi i tij profesional.
Marengleni ka lindur në vitin 1977 në Gramsh nga dy prindër intelektualë e të respektuar me kontribut të vlefshëm në zhvillimin e arsimit në Gramsh në vitet ’70 e më pas. Fatkeqësisht, kur Marengleni ishte ende fëmijë, babai i tij u nda nga jeta në moshën 44 vjeçare dhe vite më pas ndërroi jetë edhe nëna.
Marengleni arriti rezultate të shkëlqyera në mësime, çka i dhanë mundësinë atij ndërkohë që ishte student në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” të fitojë në vitet 1997-2000 një bursë nga qeveria gjermane për të vazhduar studimet ushtarake në Gjermani.
Pas diplomimit si oficer dhe një pune tre vjeçare si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane ai fitoi përsëri një të drejtë studimi dhe në vitet 2003-2008 u diplomua me rezultate të larta për Histori dhe Sociologji në Universitetin Helmut Schmidt, Hamburg. Studimet u financuan përsëri plotësisht nga qeveria gjermane.
Në vitin 2013 mbrojti gradën shkencore “Doktor” në fushën e historisë dhe para disa ditësh ka marrë nga juria përkatëse pranë Universitetit të Tiranës edhe titullin “Profesor i Asociuar”.
Deri në vitin 2015 Marengleni ka qenë ushtarak dhe pedagog i historisë në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Për shkak të vlerave intelektuale që përfaqëson, në vitin 2016, me propozim të Partisë Socialiste, është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë Anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me mandat 5-vjeçar. Ndërkohë ai vazhdon të zhvillojë leksione të historisë me kohë të pjesshme në universitete publike dhe private të vendit.
Kasmi vlerësohet si një nga zërat më të spikatur në fushën e historisë. Është autor i shumë botimeve me vlera shkencore nga fusha e historisë së Shqipërisë. Ka marrë pjesë me referime në konferenca e sesione shkencore kombëtare e ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit si në Gjermani, Austri e në vendet fqinje. Është autor i mjaft artikujve të botuar në revista shkencore dhe në shtypin e përditshëm si dhe pjesëmarrës aktiv në debate televizive.
Si studiues i historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj ngjarje të lavdishme të popullit shqiptar, z. Kasmi mbështetet vetëm në faktet historike duke promovuar vlerat e kësaj lufte dhe duke e mbrojtur atë nga përpjekjet për deformimin e së vërtetës historike. Sot në mjedisin ku jetojmë, ku antivlerat shiten si vlera dhe të bardhën duan ta sterrojnë, të guxosh të diskutosh në publik për çështje historike të Luftës Nacionalçlirimtare, nuk është e lehtë. Studiuesi duhet të jetë i pajisur edhe me kurajën për të mos heshtur e për të thënë të vërtetën, duke u nisur gjithnjë nga interesi kombëtar dhe nga e mira publike. Marenglenit, pavarësisht vështirësive, nuk i kanë munguar asnjëherë guximi e qëndrimi kritik ndaj zhvillimeve e dukurive politike e shoqërore që nuk i shërbejnë progresit. I mbështetur tërësisht në fakte të pakundërshtueshme, ai ka mbrojtur e mbron me fanatizëm të vërtetën historike. Ky është tipar dallues i karakterit të fortë, i guximit dhe mbi të gjitha i ndershmërisë së këtij studiuesi. Ndershmëri ndaj së vërtetës dhe dashuri ndaj atdheut, kjo është motoja e jetës dhe e punës së tij si historian dhe si qytetar i këtij vendi. Është kjo arsyeja që Marengleni pëlqehet nga qytetarët e të gjitha shtresave, të cilët ndjekin zhvillimet politike dhe diskutimet në fushën e historisë së Shqipërisë.
***
Në mënyrë të përmbledhur, Marengleni mund të portretizohet si djalë i denjë i Gramshit, i rritur me vështirësi, që di mirë ç ‘është vuajtja dhe dhimbja, ç’ është sakrifica dhe si ecet përpara. Shkallët e suksesit ai i ka ngjitur vetëm falë vullnetit, këmbënguljes, kurajës që e karakterizon dhe dashurisë që ka për vendin dhe historinë e tij. Marenglenin e karakterizon thjeshtësia, qetësia, maturia dhe kultura në komunikim. Është një figurë mjaft e njohur në qarqet shkencore dhe mediatike. Është arsimuar dhe edukuar në Perëndim (Gjermani) vetëm falë zotësisë së tij dhe e ka ndërtuar karrierën me shpatullat e veta, duke u shndërruar në një nga historianët më në zë të brezit të ri të Shqipërisë. Njëherazi është edhe një zyrtar i lartë i respektuar i shtetit. Ai rrezaton dije sipërore, humanizëm, patriotizëm, integritet e kurajë intelektuale. Një përfaqësues të spikatur, si Prof. Marenglen Kasmi, do ta kishin për nder jo vetëm banorët e Gramshit, por çdo komunitet në Shqipëri.
Pse e them këtë? Duke ditur se sa i vëmendshëm është Kryeministri Edi Rama ndaj argumenteve kokëfortë, po i referohem ca të dhënave mjaft domethënëse nga vendlindja e Marenglenit:
Në zgjedhjet e vitit 2017 në Gramsh kanë votuar 14.100 vetë. Prej tyre, për PS votuan vetëm 7.328 vetë. Pra, diçka rreth 50%. Dhe kjo në një bastion të Partisë Socialiste. Arsyeja është te kandidaturat e importuara që dërgohen në Gramsh ose zgjedhja e njerëzve që nuk e gëzojnë besimin e popullit të majtë të Gramshit.
Këtë radhë, nëse z. Rama do të fitojë, më tepër se premtimet për mandatin e tretë qeverisës, duhet të vlerësojë dhe zgjedhë mirë e me kujdes kandidatët për deputet. Ai duhet të mbështetet në personalitete si Marengleni e plot të tjerë si ai: me reputacion, me profil të lartë publik, me arsim perëndimor dhe përvojë të mirë profesionale dhe akademike, me integritet dhe pas asnjë dritëhije korrupsioni e problemesh me drejtësinë dhe jo të bëjë qoka interesi për të kandiduar persona që nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e mësipërme dhe e shikojnë angazhimin si një mundësi për të përfituar.
Sipas sondazheve shumë të besueshme, unë them se z. Kasmi gëzon mbështetjen e pjesës se shëndoshë të socialistëve të Gramshit dhe mund të arrijë pa diskutim nivelin më të lartë të votimit dhe të përfaqësimit në këto zgjedhje të rëndësishme, duke maksimizuar votat e Partisë Socialiste në gjithë qarkun e Elbasanit.
***
Marengleni tashmë ka një emër shumë të respektuar si historian dhe studiues. Është në të mirën e Partisë Socialiste që t’i promovojë figura të tilla intelektuale. Nëse ai si deputet do të përfaqësojë gramshiotët e tij, në të vërtetë do t’i bëjë nder Partisë Socialiste. Sepse ai si historian dhe si intelektual, nuk flet vetëm në emër të krahinës së tij, por të kombit që ai i përket dhe për të cilin ndihet krenar.
Është pikërisht ky momenti i duhur që Edi Rama, si Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër, ka shansin të bëjë korrigjimet e duhura dhe të domosdoshme në ekipin që do ta mbështesë për mandatin e tretë të cilin ai jo pa arsye këmbëngul ta fitojë. Për rastin në fjalë, Partia Socialiste tashmë e ka përzgjedhur Marenglenin në 57 kandidatët më të mirë nga rreth 1600 të tillë që aplikuan në platformën “Deputeti që duam” dhe që u klasifikuan për në fazën finale. Urojmë që ai të jetë përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Gramshin në Parlamentin e ardhshëm.