Nga Artur Ajazi
E nisën me bojkot, rrëmuja në Parlament, çizme dhe vezë të hedhura drejt foltores dhe kryeministrit, dhe pastaj e vazhduat me largim nga jeta parlamentare duke braktisur votuesit. Pastaj u kujtuat se “duhet rrëzuar Rama”, dhe nisët të dilnit në rrugë, sheshe dhe bulevarde, (gjithnjë dhe më pak në numra) duke dhunuar institucionet, uniformat e shtetit, duke thyer ligjet dhe përdhosur Kushtetutën. Nga pas vinte Iliri, “dashnori” më i zjarrtë i pushtetit, njeriu që kurrë nuk ka vënë firmën në bordero, por sot është sheiku i këtij vendi. E morët me vrap, dhe kujtuat se 1 vit apo 2 vjet pas nisjes së mandatit të dytë “Rama do të rrëzohej”. Vrapuat pas “berihait”, dhe nuk menduat se Rama nuk ikën prej andej edhe sikur ju të zbrisni përfundimisht nga “kali” edhe Sali Berishën, ikonën e gjallë të Partisë Demokratike. Sa ishit në pushtet, nuk latë gjë pa vjedhur, pa zhvatur nga posti, nga tenderat, nga investimet e huaja.
Mbaj mënd se një ish-ministri juaj (sot kandidat për deputet) i kërkoi një mikut tim italian që erdhi gjithë besim të investonte në Shqipëri plot 1 milion dollarë “paradhënie” për ti firmosur atij projektin e ndërtimit të një fshati turistik në bregdet. I tmerruar italiani iku dhe nuk u duk më.Nuk vutë një “tullë” gjëkundi, aq sa kur Edi Rama mori pushtetin me votë popullore në 2013, as vetë nuk e besonte se do të gjente një katrahurë në gjithë sektorët më jetikë të vendit. Shkollat, ambulancat, spitalet, depot farmaceutike, portet, doganat, gjithçka i kishit grabitur, dhe lënë si në mesjetë.
Nuk vutë një “tullë” në art, kulturë sport, politikë të jashtme, aq sa konsullatat dhe ambasadat i kishit kthyer në “qebaptore”, ku kishit punësuar me kuç dhe me maç, duke u zhvatur para për çdo emërim. Drejtësia ishte një pocaqi e madhe, ku vidhej me ligj paraja e shqiptarëve, ku tjetërsoheshin vendimet për kriminalët, ndërsa gjykatat dhe prokuroritë ishin kthyer në vatra korruptive ku ishin (dhe akoma janë) plepaxhinjtë, që kanë 30 vjet që veç pasurohen. Policia ishte kthyer në repart gjurmimi dhe ndëshkimi ndaj kujdo, që ngrinte zërin ndaj padrejtësive, ndaj kujdo që nuk zbatonte urdhërat e ardhur me sms nga “shefi” i çdo qarku, që bënte punësimet, transferimet dhe largimet nga detyra në varësi të “dhorove”. Kishte arritur deri në 120 mijë euro një vend drejtori policie në rrethe, dhe kjo padyshim do të kishte koston e vet, në zbatimin dhe drejtpeshimin e ligjit. Nuk vutë një “tullë” në sistemin shëndetësor, duke lënë pas 1600 qendra shëndetsore krejtësisht të shkatërruara dhe në kushte mesjetare, apo spitalet që ngjasonin me kampet e pritjes së refugjatëve në Siri.
Të bësh bilancet e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe ti krahasosh ato me çfarë ka bërë Edi Rama deri sot, është njëlloj sikur të krahasosh të zezën me të bardhën. Por më habitorja, është kurajo që keni, apo mungesa e ndjesisë qytetare (dhe jo politike) kur flisni për “programe qeverisëse, për ekip qeverisës, dhe koalicion fitues”. Kjo opozitë është fragmentizuar, si bashkimi më qesharak i një grushti politikanësh, që edhe pse e dinë se do të humbin në zgjedhje, sërish kërkojnë të luajnë me sentimentin themelor të shqiptarëve, siç është “vota pro, për atë që e meriton”. Ju meritoni përçmimin, dhe atë do të merrni në 25 Prill….