Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të mbajnë një minutë heshtje të hënën për të përkujtuar 500,000 njerëzit që kanë humbur jetën në SHBA nga COVID-19.
“Sot ne shënojmë një moment me të vërtetë të zymtë, pikëllues – 500.071 të vdekur. Janë më shumë amerikanë që kanë vdekur brenda një viti në këtë pandemi sesa në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore dhe në Luftën e Vietnamit së bashku”, tha Presidenti Biden në një fjalim emocional të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
“Si vend, ne nuk mund ta pranojmë një fat kaq të egër. Edhe pse e kemi luftuar këtë pandemi për kaq kohë, ne duhet të rezistojmë dhe të mos bëhemi të pandjeshëm ndaj trishtimit,” tha zoti Biden.
Pas fjalimit, Presidenti Biden, Nënpresidentja Kamala Harris, zonja e parë Jill Biden dhe zotëria i dytë Doug Emhoff mbajtën një moment heshtje.
“U bëj thirrje të gjithë amerikanëve që së bashku me ne të kujtojmë më shumë se 500,000 bashkëqytetarë tanë amerikanë që kanë humbur jetën nga COVID-19 dhe të mbajmë një minutë zi në perëndim të diellit,” tha zoti Biden.
“Ne, si komb, duhet t’i kujtojmë ata, në mënyrë që të fillojmë të shërohemi, të bashkohemi dhe të gjejmë qëllimin si një vend i vetëm për ta mposhtur këtë pandemi,” tha ai.
Biden ka urdhëruar që të gjithë flamujt në pronat federale dhe objektet ushtarake të ulen në gjysmë shtize për pesë ditët e ardhshme, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jens Psaki.
Në Katedralen e Uashingtonit të hënën ranë kambanat për të përkujtuar viktimat e pandemisë.
Ndërkohë, në të gjithë vendin, vaksinat dhe ulja e rasteve të infeksionit po ngjallin shpresën se jeta së shpejti mund të kthehet në normalitet. Megjithatë një nga çështjet e diskutueshme është rihapja e shkollave.
Numri i të vdekurve në SHBA nga koronavirusi është deri tani më i larti në botë dhe shifra mund të jetë edhe më e lartë, duke parasysh rastet që nuk janë llogaritur, veçanërisht në fillim të epidemisë.
“Këto nuk janë thjesht numra, por njerëz. Nëna ime është një prej tyre. Ka njerëz prapa numrave, dua të them, nëna jonë qëndron prapa këtij numri dhe është me të vërtetë e trishtueshme,” tha Wendy Jensen, nëna e së cilës, Carole Rea Woodmansee, vdiq pasi u infektua me virusin në këtë praktikë.
Megjithatë, javët e fundit, rastet dhe shtrimet në spital kanë rënë, ndërsa rritet numri i vaksinimeve.
Ndërkohë, rreth 40% e nxënësve të shkollave kanë mundësi të shkojnë nëpër klasa pesë ditë në javë, sipas firmës teknologjike Burbio, që ndjek rihapjen e shkollave.
“Ka kaq shumë të dhëna shkencore që konfirmojnë se mbyllja po dëmton miliona fëmijë në Amerikë, që nuk po shkojnë në klasë çdo ditë”, thotë Steve Scalise, anëtar republikan i Kongresit.
Kur mori detyrën në janar, Presidenti Joe Biden, vendosi objektivin për rihapjen e shkollave fillore dhe tetëvjeçare deri në fund të prillit. Ai po i kërkon Kongresit 130 miliardë dollarë për të përmirësuar mjediset shkollore, për të punësuar më shumë mësues dhe për masa të tjera për klasa më të sigurta.
Disa sindikata mësuesish thonë se anëtarët e tyre duhet të vaksinohen dhe të merren masa të tjera para se të kthehen në klasa. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se vaksinimi i mësuesve nuk duhet të jetë parakusht për hapjen e shkollave dhe përcakton kushte të tjera për ta bërë një klasë të gatshme për mësim personal.
“CDC thotë se për të qenë të sigurt, ka një numër hapash që mund të ndërmerren. Vaksinimi i mësuesve është njëri prej tyre, por gjithashtu edhe hapa të tjerë si më pak nxënës në klasë, të jenë të distancuar fëmijët në autobus, dhe më shumë testime “, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Disa ligjvënës argumentojnë se duhet të hapen shkollat që distriktet e tyre të përfitojnë nga paketa e stimujve ekonomikë, për të cilën po punon Kongresi.
Sipas CDC, “pastrimi dhe dizinfektimi janë faktorë në uljen e përhapjes së COVID-19”. Udhëzimet gjithashtu thonë se administratorët duhet të punojnë me mësuesit dhe personelin për të vendosur se cilat aspekte të pastrimit dhe dizinfektimit do të mbulohen nga mësuesit, personeli mësimor dhe personeli i pastrimit. /VOA