Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka qenë i ftuar në Radio Montecarlo të hënën, ku ka shprehur dëshirat për fazën finale të Euro 2016. Kapiteni kuqezi dëshiron të shmangë vetëm Spanjën, pa iu trembur të tjerave.
Me cilat skuadra do të donit të përballeshit në Euro 2016?
Në një fazë finale të Europianit nuk ka domosdoshmërisht grupe të lehta. Kjo është e pamundur. Megjithatë, ka ekipe që unë do të doja t’i shmangia. Spanjën, për shembull. Ky është një ekip që mund të na vërë në telashe të mëdha. Do të doja të luaja ndaj Anglisë, Gjermanisë, Italisë.
Shqipëria është një komb që po ecën përpara dhe do të dojë ta tregojë këtë edhe në Euro 2016…
Kemi përjetuar diçka të jashtëzakonshme në kualifikueset e fundit. Për herë të parë e kemi dërguar vendin tonë në një kompeticion të madh në futboll. Shqipëria do të vijë me shumë mbështetës në finalet e Europianit. Ne do të festojmë. E dimë se sa janë forcat tona, ndaj ju siguroj se do të dimë t’i vëmë ekipet në vështirësi.
Shqipëria, e cila do të jetë në vazon e fundit të shortit të 12 dhjetorit, është e dënuar të jetë në një grup me ekipe të mëdha. Do të jetë problem mungesa e përvojës në kompeticione?
Nuk do të jetë aq shumë. Ne e kemi përmbushur objektivin tonë me kualifikimin në Europian, këtu do të bëjmë çfarë kemi mundësi. Natyrisht, kemi përgjegjësinë për ta përfaqësuar sa më mirë vendin tonë. Kualifikimi në “Euro 2016”, e përsëris, ishte një fitore e madhe. Tani njerëzit janë mësuar të na shohim duke fituar dhe duke qenë konkurrues. Lojtarët tanë kanë eksperiencë ndërkombëtare, sepse kanë filluar të bredhin kudo, në Champions League, Europa League, në kampionatet më të mira. Ne mund të bëjmë diçka të prekshme dhe të qëndrueshme.