Nga Sokrat Hoxha
KQZ-ja bëri të ditur dje se ka vendosur të gjobisë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në atë që ky institucion e interpreton si “zhvillim aktivitetesh që janë të ndaluara të bëhen 4 muaj para zgjedhjeve”. Ky vendim ka ardhur pas disa ankesave të bëra nga LSI në KQZ. Ndonëse, në dukje, vendimi duket si administrativ, në thelb vendimi ka një prapavijë të theksuar politike.
Qëllimi i LSI është i qartë: një përpjekje për të bllokuar kryebashkiakun Veliaj për detyrimet që ai ka ndaj qytetarëve të Tiranës për punët publike, rrugë, kanalizime, ujë, ndërtim shtëpish të dëmtuara nga 2 tërmetet, si dhe plot detyrime të tjera që rrjedhin nga mandati i tij si i zgjedhur si kryebashkiak.
Që në krye të herës duhet theksuar se ka një diferencë mjaft të madhe mes një mandati të fituar si kryebashkiak, dhe atij si deputet. Veliaj, si i zgjedhur me votë të qytetarëve të Tiranës, ka detyrime për ata që e kanë zgjedhur: për rrugë reja, rehabilitim të atyre të vjetra, mënjanimin e përmbytjeve, furnizimin e kryeqytetit me ujë, ndërtim shkollash e kopshtesh, për t’ju gjendur familjeve në nevojë, për t’u rindërtuar shtëpitë të dëmtuarve nga tërmeti. Ai është i zgjedhur dhe ka detyrime ndaj zgjedhësve, pasi është zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës, dhe jo për t’u ngujuar në zyrën e tij, se kështu thotë LSI. Mandati i të zgjedhurit ushtrohet. Eshtë detyrim kushtetues, ligjor dhe politik, i cili nuk mund të vihet asnjëherë në diskutim as KQZ-ja e aq më pak nga PD- LSI.
Për të ardhur tek arsyetimi i KQZ. Në fakt, të gjitha punët për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në shtator dhe nëntor të vitit 2019, kanë nisur menjëherë pas këtyre tragjedive kombëtare. Veliaj nuk po hap themelet e shtëpive sot, 4 muaj përpara zgjedhjeve, por i ka hapur ato 4 javë pas këtyre dy dramave të mëdha kombëtare, ku Tirana u prek rëndë nga të 2 tërmetet.
Ajo që shohim sot është finalizim i një pune dhe sakrificash të jashtëzakonshme të shumë punëtorëve dhe ndërtuesve për të strehuar një orë e më parë të gjithë të dëmtuarit nga tragjeditë e tërmetit, duke filluar që në Tiranë, Kombinat, Baldushk, Ndroq, Farkë e dhjetra fshatra të tjerë, ku njerëzit kishin mbetur në qiell të hapur në netë dimri të ftohta, e jo nëpër shtëpi sa te Gjiri Lalzit apo në kodrat përreth Tiranës, ku jetojnë një pjesë e mirë e atyre të LSI-së që kanë bërë dhe ankimin në KQZ.
LSI, një subjekt politik që s’i ka thënë ende askush “puna e mbarë”, nuk është se e ka hallin shumë tek ato shtëpi që po rindërtohen nga tërmeti. Mjafton të shikosh programin e tyre politik të prezantuar për zgjedhjet e 25 prillit, për të konstatuar se nuk ka asnjë rresht për tërmetin apo pandeminë. Mjafton kaq për të kuptuar se dramat njerëzore që kanë kaluar dhe po kalojnë të dëmtuarit nga tërmeti, nuk janë fare në fokusin e tyre. Gjithçka bëhet thjesht për të bllokuar politikisht Veliajn, në një përpjekje mjaft të dobët për ta trajtuar atë si një deputet të thjeshtë liste dhe jo si të zgjedhurin më të votuar në shkallë republike, që ka vota si individ më shumë se LSI në të gjithë vendin.
Zgjedhjet janë politike dhe jo vendore. Ndaj është absurde që të përpiqesh të bllokosh punët e bashkisë nëpërmjet ngjizjeve artificiale të fakteve, që në thelb janë vetëm interpretime politike që kanë ndikuar edhe në vendimarrjen joobjektive të KQZ-së.
Gjoba e KQZ ndaj Veliajt, në fakt përpiqet të fshehë një shqetësim serioz të subjektit politik LSI, që është edhe ankimuesja. LSI, muajt e javët e fundit, ndodhet jo vetëm në rënie të frikshme të mbështetjes në elektorat, sipas të gjitha sondazheve, ku LSI është në kufijtë e 2-4%, por edhe përpara një hemoragjie të pandalshme të braktisjes nga ana e anëtarësis së saj.
LSI jo më kot e ka vënë në shënjestër Veliajn, pasi kudo që ai shkon, si drejtues politik për qarkun e Tiranës, thuajse në të gjitha takimet që po zhvillon me strukturat e PS, janë qindra anëtarë të LSI që po largohen nga ky subjekt politik dhe po i bashkohen PS. Ky është shqetësimi real i LSI-së, që po përpiqet të bllokojë Veliajn, nëpërmjet KQZ. Në fakt, kjo përpjekje jo vetëm nuk e ndalon Veliajn dhe ta mbyllë atë në zyrë, por nuk ndalon dot as largimet masive nga radhët e LSI. Veliaj nuk është thjesht kryebashkiak i Tiranbës, por një fenomen i ri politik që ka trazuar jo pak ujrat e ndonjura në të cilat vegjetojnë prej dekadash krerët e LSI dhe PD. LSI dhe PD po përpiqen të bllokojnë frymën e re politike që përfaqëson Veliaj. Tirana do jetë epiqendra e cila do të ndajë fitoren në zgjedhjet politike të 25 prillit. Ja pse LSI dhe PD po bëjnë çmos për të bllokuar Veliajn me anë të gjobave politike. Një mision i pamundur ky, pasi Tirana ka nevojë çdo ditë për punë dhe jo për gjumë.