Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka përsëritur edhe njëherë apelin për respektimin e masave anti-COVID të bëra të ditura sot nga Komiteti i Ekspertëve.
Manastirliu shkruan në një status në rrjetet sociale se zbatimi i masave në dy javët e ardhshme do të vendosë nëse do të ketë apo jo lehtësim. Ajo shton se zinxhirin e infeksionit mund ta këpusim vetëm përmes zinxhirit të solidaritetit.
“Masat anti-COVID. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim.
Zinxhirin e infeksionit mund ta këpusim vetëm përmes zinxhirit të solidaritetit”, shkruan Manastirliu.
Komiteti teknik i Ekspertëvenjoftoi sot ndalimin e qarkullimit duke filluar nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit për të gjithë. Përjashtim nga ky ndalim bëjnë vetëm ata që kanë urgjenca shëndetësore dhe ata që shkojnë në punë.
Vendimi i dytë lidhet me aktivitetin e restoranteve dhe bareve, të cilët do të mund të qendrojnë hapur deri në orën 20:00 të mbrëmjes dhe mund të hapen vetëm pas orës 06:00 të mëngjesit.
Sa i përket shkollave të mesme, mësimi do të kalojë online deri më datë 25 shkurt në rrethet: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz duke aplikuar kështu skenarin nr.3 të protokollit të sigurisë të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë.
Vendimi i katërt lidhet me shtyrjen e sezonit të provimeve të semestrit në universitete duke bërë një kombinim mes provimeve online dhe me prezencë sipas nevojave që mbart lënda./a.p